Të ardhurat buxhetore shënuan një rënie vjetore me 4 për qind në muajin mars, ndonëse në nivel tremujor arkëtimet janë 10 për qind më të larta se të vitit të kaluar, për shkak të ecurisë pozitive në janar e shkurt.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave totali i të ardhurave në muajin mars ishte 1.2 miliardë lekë më i ulët se i marsit 2015, apo 4% më pak.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë pasur një ecuri të mirë duke shënuar një rritje me 11 për qind në krahasim me 2015, porse rënia duket të ketë ardhur nga zërat jo tatimorë.
Në marsin e vitit që shkoi arkëtimet nga të ardhurat jo tatimore shënuan 4.9 miliardë lekë. Ky zë në atë periudhë i dedikohej shitjes lejeve 3G ndaj operatorëve celularë. Nga të ardhurat jo tatimore në tremujorin e parë janë arkëtuar vetëm, 1.5 miliardë lekë me një rënie 68 për qind në krahasim me 2015.
Më përkeqësim janë edhe të ardhurat nga pushteti vendor. Megjithëse janë bërë përpjekje për rritjen e arkëtimeve të taksës së pasurisë, duke e përfshirë atë të fatura e ujit, sërish të ardhurat nga taksa e banesave janë më rënie. Në mars 2016 të ardhurat nga pushteti vendor janë ulur me 10 për qind, ku rënien më të madhe e ka pësuar taksa mbi pasurinë ndërtesat me 45 për qind më pak se marsin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksat e biznesit të vogël në mars janë rritur me 200 % në krahasim me marsin e vitit 2015. Më poshtë shihet tabela me ndryshimet përkatëse në të gjitha zërat e të ardhurave.
Ngadalësimi i rritjes së të ardhurave ishte i pritshëm, për shkak se rritja dy shifrore e dy mujorit i dedikohej dhe nivelit të ulët të të ardhurave në janar-shkurt 2015, për shkak të problemeve që u hasën me sistemin e ri online dhe uljes së importeve të mallrave të akcizës, teksa ato u importuan ndjeshëm më shumë në dhjetor 2014, në pritje të rritjes së taksave.
Financat duket se do ta kenë të vështirë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së të ardhurave të konstatuara në dy muajt e parë të vitit. Niveli ulët i të ardhurave në dy muajt e parë të vitit të kaluar dhe rritja e fortë e mallrave të akcizës, dy faktorët që ndikuan në rendimentin e mirë të janar-shkurtit, nuk pritet të “ndihmojnë” më në muajt në vijim.
Në janar dhe shkurt 2015 u mblodhën më pak se 30 mld lekë në muaj (25.7 mld në janar dhe 26 mld lekë në shkurt), më pas, ritmi u përmirësua ndjeshëm dhe mesatarja mujore ishte gati 33 miliardë lekë në muaj (as shkurti as janari 2016 nuk e kapën këtë mesatare të mars-dhjetorit 2015).( Lexo: Iluzioni i rritjes së të ardhurave! Janari me 26% “fsheh” shkurtin me vetëm 6%.
Të ardhurat buxhetore Mars 2016-Mars 2015 (mln lekë):
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Pershendetje! Sipas te dhenave te publikura nga MF, nese nuk gabok, nuk rezulton qe te kete renie por nje rritje te lehte me 23 milione leke!
Tabela eshte ne fund dhe eshte publikuar nga vete Ministria e Financave, behet fjale per faktin, jo per planin
Faleminderit per pergjigjen. Ne publikimin nga MF te tregueseve fiskal, rezulton qe te ardhurat paraprake per muajin mars 2016 jane 35,551 ndersa per muajin mars 2015 kane qene 35,538 milione. Nuk e di nese po i referohemi te njejtave tabela. Me poshte link-u nga MF :
http://www.financa.gov.al/al/raportime/thesari/treguesit-fiskal-sipas-buxhetit-te-konsoliduar
http://www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/raporte-dhe-statistika-fiskale-mujore/statistika-fiskale-mujore
Keto jane te dhenat update
fakti mars 2015 35,405
fakti mars 2016 34,165
Ok po i rferoheshim dy publikimeve te ndryshme. Ju faleminderit per pergjigjen!
ky i fundit (qe kemi perdorur ne) eshte me i sakti, sepse eshte me e sakte TVSH (neto, duke hequr rimbursimet)