Kompanitë e reja, të krijuara nga ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike janë gjithmonë e më afër marrjes së funksionaliteteve të plota të tyre.
Bordi i Entit Rregullator të Energjisë miratoi javën e kaluar dy vendime që sanksionojnë transferimin e dy licencave nga kompania mëmë OSHEE te dy prej kompanive të reja. Konkretisht, bëhet fjalë për transferimin e licencës së furnizimit të energjisë elektrike dhe detyrimit të shërbimit universal të furnizimit të energjisë elektrike të shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a. te shoqëria “Furnizuesi i Shërbimit Universal” sh.a. e vlefshme deri më datë 8 korrik 2021.
Kjo shoqëri duhet që të paraqesë pranë ERE-s listën e personelit, sipas profilit, në përputhje me aktivitetin për të cilin kërkohet licenca pasi të përfundojë transferimi i personelit për këtë shoqëri nga strukturat përkatëse.
ERE, në bazë të kërkesës së OSHEE-së dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes, ka miratuar transferimin e licencës së operimit të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga kompania e parë tek e dyta.
Kjo licencë ka vlefshmëri të saj deri më 27 tetor 2044. Operatori i sistemit të shpërndarjes duhet që të paraqesë tek ERE listën e personelit sipas profilit në përputhje me aktivitetin për të cilin kërkohet licenca, pasi të përfundojë transferimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.