Momenti i duhur për Mariano Rajoy që të mendojë për një marrëveshje të re për Katalonian
Pas një muaji kaotik, sundimi i drejtpërdrejtë i Madridit duket se është pranuar nga katalanasit. Kjo hap një dritare të re në rrugën drejt zhvillimit
Udhëheqësi separatist emigroi jashtë vendit, duke kërkuar mbrojtje, pasi u kërcënua me 30 vite burg, për nxitje të kryengritjes dhe rebelimit. Në kryeqytet qeveria ka marrë kompetenca emergjente, duke pezulluar Parlamentin rajonal, menjëherë pasi ai deklaroi në mënyrë të paligjshme pavarësinë, duke marrë kontrollin e drejtpërdrejtë të policisë dhe shërbimit civil. Zgjohuni! Ky nuk është një vend i varfër dhe i vogël, por një demokraci moderne europiane perëndimore, Spanja, shkruan The Economist.
Askush nuk përfiton nga arroganca, jofleksibiliteti dhe mbi të gjitha nga dhuna në Katalonia. Edhe pse për fat të mirë, kriza e menjëhershme duket sikur ka përfunduar, ndikimi i gjendjes kaotike të tetorit, do të vazhdojë të ndihet edhe në vitet e ardhshme. Rreth 2.000 biznese janë zhvendosur nga Barcelona dhe disa qytete të tjera katalanase.
Për shumë njerëz, politika spanjolle është bërë më e ashpër dhe më e përçarë nëse e krahasojmë me periudhën para vdekjes së diktatorit Francisco Franco në vitin 1975. Por si mund të rregullohen të gjitha këto dëme?
Së pari, duhet të pranohet se ka pasur gabime nga të dyja anët.
Por gabimet më të këqija kanë qenë ato të Carles Puigdemont, Presidentit të Katalonjës, derisa ai u hoq më 27 tetor.
Referendumi i tij ekstrakushtetues, i mbajtur më 1 tetor, kishte mangësi të shumta në terma ligjorë, i hartuar pa diskutimin e nevojshëm të Parlamentit katalanas.
Në fushatën e tij të shkurtër, z. Puigdemont nuk arriti të shpjegojë procesin në të cilin do të kalonte shpallja e pavarësisë, duke thënë në mënyrë të gabuar se Katalonia mund të bëhej shpejt anëtare e BE-së.
Kjo ide është hedhur poshtë në Bruksel. Së fundi, ai dha një deklaratë të pavlefshme, pavarësisht se ishte e qartë se kjo do të detyronte ndërhyrjen e qeverisë qendrore në Madrid. Pasi krijoji të gjithë këtë rrëmujë, z. Puigdemont u largua duke i lënë të tjerët që të merren me rregullimin e saj.
Por edhe qeveria spanjolle ka bërë gabime. Mariano Rajoy, Kryeministri, e përkeqësoi situatën, kur më 1 tetor urdhëroi policinë për të thyer referendumin e z. Puigdemont, duke plagosur shumë prej katalanasve paqësorë që merrnin pjesë, ndërkohë që nëse do të donte ta shtensiononte situatën duhej ta kishte shpërfillur atë.
Megjithëse ai kishte të drejtë t’i përgjigjej shpalljes së pavarësisë, duke pezulluar qeverinë katalanase, përpjekja e avokatit të përgjithshëm për të kërcënuar z. Puigdemontin me 30 vjet burg, është një tjetër gabim, të cilat duke i mbledhur së bashku krijuan kushtet e duhura për përplasjen e ditëve të fundit.
Në vitin 2006, në kohën kur ishte udhëheqës i opozitës, ai kërkoi ndryshime në statutin e autonomisë së Katalonjës, duke hequr statutin preferencial të njohjes së gjuhës katalanase dhe mbi të gjitha, njohjen e Katalonias si një komb. Kuptimi i kësaj tradhtie nxori në pah egërsinë e separatistëve.
Shumë kohë më pas, z. Rajoy mësoi si të tregohet i qëndrueshëm. Ai ka kërkuar konsensus me partitë e opozitës në Madrid dhe shprehu gatishmërinë për të shqyrtuar Kushtetutën. Në rivendosjen e autoritetit qendror në Katalonia, ai siguroi se sundimi i drejtpërdrejtë i Madridit do të zgjasë pak kohë deri në zhvillimin e zgjedhjeve të 21 dhjetor, të cilat do të shmangnin protestat e shumta në Katalonia.
Z. Rajoy ka kohën e nevojshme për të marrë frymë lirisht dhe për të vepruar drejt deri në votimin e dhjetorit, dhe ai duhet ta përdorë më së miri atë.
Gjithashtu nuk duhet të pretendojmë edhe se pakënaqësitë do të zhduken papritmas. Një pakicë katalanasish nuk janë dakord me një zgjidhje të tillë. Pra, nevojitet një zgjidhje politike, jo thjesht ligjore.
Z. Rajoy duhet të hartojë pikat kryesore të një marrëveshjeje të re që ta prezantojë në bisedimet e ardhshme. Atyre do t’u duhet një kohë e caktuar dhe guxim shumë i madh për t’u ballafaquar me partinë e tij; çdo zgjidhje e re kushtetuese duhet të përfshijë të gjithë Spanjën.
Tani për tani, z. Rajoy duhet të tregojë gatishmërinë për të bërë lëshime në këto bisedime.
Këto mund të përfshijnë diçka të ngjashme si kthimi në statutin e vitit 2006; mekanizmat për të lejuar Katalonian, një nga rajonet më të pasura të Spanjës, të mbajë për vete më shumë para nga ato që gjenerohen nga të ardhurat tatimore dhe mundësinë e një referendumi të ardhshëm mbi pavarësinë, pas përfundimit të një marrëveshjeje të re.
Si t’i mbështesim besnikët
Disa shprehen se bisedimet e koncesioneve do të kompensojnë sjelljen e keqe. Në fakt, kjo do t’i jepte zë shumicës së katalanasve që duan të qëndrojnë në Spanjë. Kjo është edhe ajo që bëri Britania me Skocinë dhe Kanadaja me Kebekun.
Nëse z. Rajoy do të mund të fitojë mbështetjen e shtresës së mesme vendimtare, ndoshta një të tretën e atyre që janë pro reformave në vend të shkëputjes, ai mund t’i shmangë me shumë lehtësi separatistët nga kutitë e votimit. Nëse jo, ata madje mund të fitojnë përsëri dhe të pretendojnë për një tjetër fitore për pavarësinë. Kjo mund të sjellë një krizë më të thellë pas dhjetorit.