Kompanisë Eurocol i është lënë afat edhe një vit për ndërtimin e resortit në fshatin Gjilekë në zonën e Dhërmiut, Bashkia e Himarës. Agjencia e Zhvillimit të Territorit bën të ditur se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit u vendos që leja e zhvillimit të shtyhet për shkak se firma e ndërtimit nuk ka zbatuar afatet për ndërtimin e këtij resorti. Madje nuk do të përjashtohen edhe sanksionet për vonesat e krijuara, por që do të mësohen me zbardhjen e vendimit nga AZHT-ja.
Zhvillimi i projektit duhej të realizohej brenda një periudhe 3-vjeçare nga data e miratimit të lejes dhe do të kalonte në disa faza, si në: përgatitjen e kantierit, realizimin e muraturës e rifiniturës, rrjeteve të instalimit apo gjelbërimet.
Ky projekt është miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit në mars të vitit 2014 dhe ndërkohë do të duhet të kishte nisur me kohë zhvillimin e tij. Sipas planit, ky resort do të ngrihej në një sipërfaqe prej 19,100 m₂ dhe do të zhvillohej në konceptin e vilave me pesë tipologji të ndryshme, përfshi këtu edhe vila në ndara në apartamente.
Gjithashtu, projekti parashikon të zhvillojë edhe shërbime të tjetra utilitare, si bar-restorante, pishina, prontil druri etj. Resorti do të njihej me emrin “White Rocks”.
Hapësirat e gjelbra do të përbëjnë rreth 58% të territorit, ku do të mbizotëronin agrumet dhe ullinjtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
fillovi ndertimi