Ndikimi ekonomik i planifikimit familjar; Ekspertët: Duhet një strategji e re

08/09/2018 10:07 PM 0 komente

Ende nuk ka një korrelacion të qartë në shifra mes planifikimit familjar, varfërisë së familjeve dhe ndikimit në shoqëri. Por ekspertët tregojnë se në Shqipëri, rritja e abortit dhe përfshirja e grave në tregun e punës janë tregues të nevojës për të pasur një strategji të re të planifikimit familjar dhe informimit më të gjerë në shoqëri. Ekspertët e fushës psikologjike sugjerojnë se qeveria duhet ta ketë përparësi angazhimin më gjithëpërfshirës në aspektin e planifikimit familjar, për të shmangur problemet social-ekonomike të popullsisë.

 

Nga Deada Hyka

 

Planifikimi familjar njihet gjerësisht si një nga ndërhyrjet shëndetësore me kosto më efektive. Dekada hulumtimesh kanë treguar se investimet modeste në planifikimin familjar mund të shpëtojnë jetë dhe të përmirësojnë ndjeshëm shëndetin e nënës dhe fëmijës. Ekziston një nxitje në rritje në komunitetin e vendeve në zhvillim për të ripërcaktuar planifikimin e familjes, për shkak të rolit të ndërsjellë që ajo luan në arritjen e qëllimeve më të gjera zhvillimore, duke përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, sipas OBSH-së, si dhe reduktimin e varfërisë.

Në ditët e sotme, duket e domosdoshme që të ndihmohen gratë të shmangin shtatzënitë e padëshiruara, gjë që do të përmirësonte mirëqenien ekonomike. Por, të dhënat për të vlerësuar në mënyrë korrekte këtë marrëdhënie kanë qenë të kufizuara. Hulumtimet nëpër botë tregojnë se, përveçse ndikon për një shëndet më të mirë, planifikimi familjar është një komponent thelbësor i zhvillimit të qëndrueshëm dhe zbutjes së varfërisë.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen disa nga vendet më të varfra apo ato në zhvillim është nevoja urgjente për shërbime gjithëpërfshirëse shëndetësore riprodhuese të integruar, duke përfshirë planifikimin familjar. Nëse nuk arrihet, kjo sfidë do të rrezikojë masat për zvogëlimin e varfërisë të marra nga qeveritë, shoqëria civile dhe organizatat e bazuara në ndihmë dhe do të kërcënojnë perspektivat e tyre afatgjata të rritjes.

Dr. Lumturi Mërkuri, nga Instituti i Shëndetit Publik thotë për “Monitor” se sipas studimit të ISHP, vetëm 11% e shqiptarëve kujdesen për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar, ndërkohë që pjesa tjetër, specifikisht 95% e burrave në moshë riprodhuese, besojnë tek metoda tradicionale. Sipas saj, shqiptarët kanë pak njohuri për planifikimin familjar. “Sipas të dhënave nga ISHP, meshkujt raportojnë nivele më të ulëta të njohurive për kontraceptivët, pra janë shumë më pak të informuar për metodat moderne të kontracepsionit se sa gratë”.
Ajo shton se shërbimet e planifikimit familjar ofrohen në të gjithë vendin edhe në nivele komune. Ofrohen falas katër metoda kontraceptive dhe këshillime për kontracepsionin.

Ekspertët pohojnë se, investimi te gratë duhet të jetë prioritet global. Çfarë po e nxit këtë mendim? Vlerësimi se investimi në gra jo vetëm që ka kuptim nga një perspektivë humanitare, por ka kuptim nga një perspektivë ekonomike. Womenomics – një term që përdoret për të përshkruar këtë fenomen, është papritmas shumë popullor. Pse po investohet kaq shumë te gratë? Për një arsye themelore: GRATË INVESTOJNË NË FAMILJET E TYRE.

 

Por çfarë do të thotë të investosh te gratë?

“Ka shumë çështje për t’u adresuar – arsimimi, ushqimi, kujdesi shëndetësor, barazia gjinore, punësimi etj. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Por në nivelin bazik gratë duhet së pari të kenë kontrollin e trupave të tyre”, – thotë ekspertja e shëndetit riprodhues, znj. Mërkuri.
Sipas saj, planifikimi familjar është çelësi për të përmirësuar jetën e grave. “Investimi në planifikimin familjar i mundëson një gruaje që të ketë fëmijë kur – dhe nëse – dëshiron ato. Zvogëlon madhësinë e familjes, rrit të ardhurat, përmirëson shëndetin e saj dhe shëndetin e të gjithë fëmijëve të saj. Shkurtimisht, duke pasur më pak fëmijë dhe duke pasur fëmijë vetëm kur ajo është e gatshme, mundëson një grua që të kujdeset më mirë për veten dhe gjithë familjen e saj”, – shton ajo.

 

Planifikimi dhe korrelacioni me ekonominë

Zbatimi i një strategjie të planifikimit familjar lidhet ngushtë me mirëqenien si ekonomike, por edhe psikologjike të shoqërisë. Kështu shprehet Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve për “Monitor”.

“Kjo do të thotë të kërkosh familje të shëndetshme dhe shumë më pak probleme sociale. Çiftet e reja gjithmonë e kanë të nevojshëm planifikimin familjar, si në rastet e bartësve të talasemisë, por edhe në raste të shtatzënive të padëshiruara, e cila i bën nënat e reja të jenë më pak të kujdesshme ndaj fëmijëve të tyre. Kjo ndikon në shëndetin mendor të nënës, gjë e cila përcillet edhe në formën e atashimit që nëna duhet të ketë me fëmijën. Kjo ndikon në formimin emocional të fëmijës në një atashim të pasigurt kur fëmija duhet të vendosë marrëdhënie në një moshë madhore”, – thotë prof. Muçaj.

Ajo shton se pamundësia e rritjes mirë të fëmijëve shpeshherë i çon prindërit drejt vendimeve ekstreme siç është dhe vetëflijimi si një formë e dënimit që prindërit i bëjnë vetes.

“Ne e dimë mirë që buxheti familjar ndikohet dukshëm nëse ka një planifikim të mirë familjar. Por jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe për shëndetin e nënës. Pasi çdo lindje dhe çdo abort ka ndikim në trupin e femrës. Planifikimi familjar është dhe një parandalues i abortit. Kjo ndikon në ndërgjegjësimin e çifteve për t’u siguruar fëmijëve në radhë të parë nevojat bazë, ato fiziologjike, për të cilat fëmija ka nevojë dhe duke vazhduar me nevojën për siguri, përkatësi dhe dashuri, e cila jepet pa kushte nga prindërit”, – bën të ditur prof. Muçaj.
Sipas saj, çdo qeveri e ka për detyrë që t’i zhvillojë strategjitë e planifikimit familjar, për të ulur ndjeshëm ose sado pak, problemet social ekonomike të shoqërisë sonë.

 

Statistika

-Për çdo 1 dollar të investuar në planifikim familjar, shëndet riprodhues dhe mëmësor, shoqëria përfiton 130 dollarë.
-Sipas Konsensusit të Kopenhagës i cili bëri një analizë kosto-përfitim mbi nismat e ndihmës globale, investimi në aksesin universal në shëndetin seksual dhe riprodhues ka përfitime 1 në 130.
-Për çdo pikë përqindjeje të reduktimit të pjellorisë, rritja e PBB-së për frymë ka gjasa të rritet me 0.25%.
-Gratë që kanë qasje në planifikim familjar në botë, përbëjnë 40% më shumë dhe janë më aktive në tregun e punës.
Burimi: Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar pranë OKB

 

OBSH: Shqipëria e fundit në Europë për planifikim familjar

Strategjia e mirëfilltë për planifikimin familjar, si dhe sigurimi i një aksesi gjithëpërfshirës i metodave kontraceptive për familjet, është një ndër hapat kryesorë që Kombet e Bashkuara kanë përfshirë në Objektivat e Mijëvjeçarit, që edhe Shqipëria duhet të përmbushë brenda 2030. Por, sipas shifrave më të fundit të raportuara për shumë shtete në botë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Shqipëria rezulton e fundit në Europë për planifikim familjar. (shiko grafikun). Sipas këtyre shifrave, vetëm 12.9% e familjeve shqiptare kanë metoda të planifikimit familjar, shifra më e ulët në të gjithë Europën. E para është Franca, me 95.5% përfshirje në aplikim të metodave të tilla. Krahasuar me vendet ballkanike, jemi sërish të fundit, ku Mali i zi ka një përfshirje 34.2% të familjeve, dukshëm më shumë se vendet e tjera.

 

Pse duhet një strategji planifikimi familjar

-Parandalimi i rreziqeve të lidhura me shëndetin në shtatzëni te gratë
-Reduktimi i vdekshmërisë foshnjore
-Ndihma për të parandaluar HIV / AIDS
-Fuqizimi i njerëzve dhe rritja e arsimit
-Përfshirja e grave në tregun e punës
-Reduktimi i varfërisë
-Ngadalësimi i rritjes së popullsisë

Burimi: OBSH

 

ISHP: Ekonomia, shkak për 70% të aborteve në 2017

Më shumë se 70% të aborteve u kryen vitin e kaluar nga gra me gjendje të rënduar ekonomike. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka analizuar abortet sipas statusit ekonomik të femrave, është gjetur se pjesa dërrmuesve e ndërprerjes së barrës bëhet nga gra që janë të papuna dhe që nuk kontribuojnë në skemën e sigurimeve.

Teksa vitet fundit shihet një tendencë në rritje për abortet edhe te gratë në marrëdhënie pune, të cilat nxiten të ndërpresin barrën më shumë për shkak të karrierës. Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta, duke përbërë më shumë se 70,0% të aborteve gjithsej.

Sipas INSTAT, në vitin 2017, numri i aborteve të kryera nga gratë e punësuara është rritur me 5,9 pikë përqindje, duke arritur në 27,6% kundrejt 71,6% të aborteve të kryera nga gratë e papuna. Pjesa më e madhe e aborteve, gjatë vitit 2017, është kryer nga gratë me nivel arsimor 9-vjeçar dhe të mesëm, përkatësisht 37,1% dhe 36,0%. Peshën më të vogël e zënë gratë me nivel arsimi fillor, ndërsa përqindja e aborteve nga gratë me nivel arsimor të lartë është 21,1% të totalit.

Sipas INSTAT, ka dy kategori abortesh, spontane dhe të provokuara. Aborti i provokuar ka për origjinë një veprim të ndërmarrë me qëllim për të ndërprerë barrën. Të gjitha abortet e tjera konsiderohen spontane. Gjithsesi, numri i aborteve në vitin 2017 ka pësuar rënie duke arritur në 5.265 dhe po kështu, edhe raporti i abortit.

Raporti lindje-abort tregon se për çdo 5,9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort. INSTAT raporton se, abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve, duke përbërë në vitin 2017, 77,4% të totalit. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grupmoshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grupmosha më riprodhuese e gruas. Në këtë grupmoshë, 8,1% kryejnë një lindje dhe 1,11% kryejnë një abort. Ndërsa për grupmoshën mbi 34 vjeç, 1,13% e grave bëjnë një lindje dhe 0,53% kryejnë një abort.

 

Ndikimi në shoqëri

Planifikimi i familjes luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e nënës dhe fëmijëve, për statusin socio-ekonomik, si dhe për mirëqenien e së gjithë familjes, sipas ekspertëve të fushës psikologjike. Sipas Dr. Muçaj, në një shoqëri si kjo e jona, ku ka dominuar ndër vite familja patriarkale, shumë metoda si ajo e planifikimit familjar as që janë diskutuar. Sipas saj, femra gjatë periudhës së fertilitetit ka lindur aq sa ka mundur dhe nuk është menduar t’i ndalë lindjet.

“Pothuajse në çdo familje moderne, ta quajmë kështu familjen e sotme, çfarë është në përgjithësi në shumë vende të botës, e që shumë më pak është e pranishme te ne, planifikohet familja, e cila llogarit: sa shpenzime mesatare bëhen p.sh., për një fëmijë deri në moshën 7-vjeçare, sa kushton shkollimi cilësor për të, sa e sa para duhen për të e për vetë prindërit e saj. Por, fatkeqësisht, sot nuk kemi asnjë studim për kushtet tona, e që konsiderohet deri-diku pengesë edhe për planifikimin familjar. Planifikimi familjar parandalon po ashtu shtatzënitë e padëshiruara duke parandaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë abortet”, – thotë prof. Muçaj.

Ajo shton se promovimi i planifikimit familjar për të siguruar përdorimin e metodave të preferuara kontraceptive për gratë dhe çiftet është thelbësor për të siguruar mirëqenien dhe pavarësinë e grave, duke mbështetur shëndetin dhe zhvillimin e komuniteteve.

“Planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë për të rritur arsimimin dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, duke pasur familje të vogla u lejon prindërve për të investuar më shumë në secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë janë më mirë në gjendje t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra janë më të prirë për të vazhduar më gjatë shkollimin se ata me shumë vëllezër e motra”, – shton në fund prof. Muçaj.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of