Flet Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë
A janë sot bashkitë e vendit më të forta financiarisht për t’ju përgjigjur situatave të vështira?
Përmbytjet janë një fenomen natyror që e kanë shoqëruar njeriun gjatë jetës së tij. E ndërsa shkaqet kanë qenë fillimisht vetëm natyrore, tashmë dhe njerëzit ndajnë përgjegjësi për këtë fenomen. Në përpjekje për parandalim, duhen analizuar me përpikëri njeriu dhe natyra për të gjetur shkakun real e për të reaguar ndaj tij. Duke bërë një vlerësim të drejtë e objektiv do të jemi në gjendje t’ju japim zgjidhje shumë problemeve, duke filluar nga parandalimi, ndërgjegjësimi dhe masa të tjera, por mbi të gjitha duke shmangur retorikën politike në të tilla raste. E them këtë, pasi politika dhe pushteti abuzojnë duke marrë rolin e meteorologëve, me qëllimin e vetëm për të shmangur përgjegjësitë e punës së tyre dhe duke fajësuar motin si faktor fizik jashtë kontrollit të tyre. Dhe si rrjedhim, politika dhe politikani përmbyten nga deklaratat e tyre. Ndaj, të tilla probleme duhen trajtuar vetëm në frymën e institucioneve dhe solidaritetit, me punë konkrete.
Përmbytjet e fundit më krijuan bindjen se nuk ishin thjesht fenomen natyror, kur natyra nuk pyet njeri. Reshje të ngjashme me ato të kohëve të fundit, në intensitet dhe kohëzgjatje nuk kanë shkaktuar përmbytje vite më parë, para këtij urbanizimi që kemi sot.
Për këtë arsye, sot nga të gjithë ngrihet pyetja se kush duhet të merret me këtë punë? Kush është përgjegjës për marrjen e masave, përgatitjen, parandalimin, menaxhimin e përballimin, dëmshpërblimet etj. Sigurisht që është përgjegjësi e të gjithëve. Përgjegjësi e çdo individi, familje, komunitetit dhe e gjithë shoqërisë. Paqartësi mbeten në ndarjen e rolit dhe përgjegjësive mes autoriteteve qendrore dhe vendore. Ende nuk është ndarë qartë kush duhet të bëjë çfarë?
Para reformës territoriale u theksua argumenti se njësitë e vogla nuk kanë kapacitete menaxhuese për të përballuar të tilla situata, ndaj duhet riorganizimi në bashki të mëdha. Tani që i kemi këto bashki të mëdha, si po menaxhohen fatkeqësitë dhe situatat emergjente? Kaluam një verë me shumë zjarre dhe po kalojmë një dimër me shumë përmbytje. Pra, së paku deri tani argumentet e qeverisë për një menaxhim më të mirë të këtyre situatave rezultuan propagandë. Qeveria duhej të merrte masa të forta për të pasur bashki të forta. Qeveria duhej të buxhetonte mirë pushtetin vendor që bashkitë të buxhetonin menaxhimin e fatkeqësive dhe parandalimin e tyre. Por, a është vetëm çështje parash? Unë mendoj se po, por problem është dhe e gjithë arkitektura shtetërore në këtë sektor të parashikimit, parandalimit dhe përballimit të fatkeqësive natyrore. Pra, e gjithë skema e ndërhyrjeve dhe strategji për masat kundër fatkeqësive janë të dobëta. Por në zgjidhjen e kësaj situate mund të kontribuojë dhe rishikimi i tërë sistemit përkatës aktual të mbrojtjes dhe emergjencave civile p.sh. nisur nga juridiksioni, apo mundësia e organizimit si shërbim ndërbashkiak, si model rajonalizimi, etj.
Nuk duhet të harrojmë përmbytjen, pasi jemi tharë
U duk pozitiv transferimi i funksioneve të reja tek bashkitë si Bordi i Kullimit, Mbrojtja ndaj zjarreve, Rrugët rurale, Administrimi i Pyjeve, por ky transferim nuk u shoqërua me fondet për të funksionuar normalisht. Pra, u transferuan funksionet, por nuk u transferuan mjetet e nevojshme (makina dhe pajisje), ambiente të punës (ndërtesa dhe zyra) apo dhe punonjësit përkatës. U transferuan vetëm funksionet, të cilat ju sollën bashkive vetëm kosto shtesë. Për ushtrimin e tyre, bashkia shpenzoi më shumë nga të ardhurat e veta të limituara. Përveç mjeteve financiare, transferimi nuk u shoqërua dhe me transferim të njohurive, trajnime etj.
Problematika qëndron dhe në atë që bashkitë kanë trashëguar. Këtu kam parasysh investimet e kryera (ura, kanale, rezervuarë) nuk janë kryer në cilësinë e duhur. Këto investime nuk kanë përballuar dot përmbytjet që kanë ndodhur, por janë shkatërruar, ose nuk kanë funksionuar. Aktualisht, investimet në struktura nëntokësore janë shumë të pakta dhe shumë të dobëta. Ndërtimet pa kriter dhe mbi objekte që ndihmojnë parandalimin e përmbytjeve kanë dëmtuar funksionimin e këtyre objekteve. Kjo e vë në vështirësi bashkinë dhe shkakton probleme te qytetarët jo vetëm kur ndodh përmbytja, por dhe në kushte optimale të motit.
A janë bashkitë të forta financiarisht për emergjenca
Përmbytjet e përvitshme ndodhin dhe pse prej shumë vitesh nuk është investuar për mirëmbajtjen dhe funksionin e objekteve të cilat eliminojnë përmbytjet, për shembull nuk është investuar në shtratin e lumenjve, në rezervuarë, në bonifikim, kanalizimin etj.
U investua në rilindje urbane? Strategjikisht, dhe referuar nevojave, ky projekt nuk ishte prioritet dhe pse duhej. Por një volum kaq i madh investimi do të shërbente më mirë, nëse do të investohej në masa parandaluese të përmbytjeve. Fondet e Qeverisë Qendrore janë të pamjaftueshme për funksionin normal dhe aq më pak për të përballuar emergjencat civile. Çdo bashki parashikon në buxhetin e vet 3% të të ardhurave për emergjencat civile, një shifër e pamjaftueshme, por dhe pse të pamjaftueshme ato duhen menaxhuar mirë. Me transferimin e funksioneve të reja, në rang vendi afro 3.6% e transfertës së pakushtëzuar shkon për funksionin e ujitjes dhe kullimit, një shifër që flet vetë për mundësitë për investime apo mirëmenaxhim.
Struktura shtetërore përkatëse është në apati të plotë, pa fonde dhe kapacitete njerëzore, e mbi të gjitha pa vizion.
Sigurisht dhe bashkitë, dhe pse në kushte të pafavorizuara, duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. Çdo bashki duhet të ketë në mos një strategji, së paku një plan veprimi, të shoqëruar me buxhet dhe me mjetet ndihmëse. Çdo bashki, me pak shpenzime, duhet të bëjë zonifikimin e terrenit, duke evidentuar zonat me rrezik si për shembull përrenjtë, deltat e lumenjve, zona të banuara afër këtyre rreziqeve, dhe duhet të ketë skenarë për të reaguar në kohë me grupe pune të strukturuara apo vullnetare të trajnuara.
Është domosdoshmëri planifikimi dhe projektimi për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe alokimi i fondeve nga qeveria dhe donatorë, fonde të organizuara mirë nga bashkitë, dhe përgatitja çdo minutë për të parandaluar dhe për të përballuar situatat emergjente.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.