Anëtarët e BE-së bien dakord në faktin se monedha e vetme ka nevojë për më shumë integrim, por ata nuk bien dakord me mënyrat sesi një gjë e tillë duhet arritur
Shumë britanikë euroskeptikë (përkrahës të Partisë Konservatore) i mbështesin bindjet e tyre në Marrëveshjen e Maastrichtit të vitit 1992, ku ranë dakord për të pasur një monedhë të vetme. Për ata, ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një marrëveshje franko-gjermane, komenton The Economist.
Presidenti francez, François Mitterrand, pranoi bashkimin gjerman, dhe në këmbim të një veprimi të tillë, kancelari gjerman i asaj kohe, Helmut Kohl, ra dakord që ta zëvendësojë monedhën vendase me monedhën e vetme, euron. Në fakt, paratë ishin një prej faktorëve më të rëndësishëm që në fillim të këtij projekti europian.
Më 1950, Jacques Rueff, një ekonomist dhe këshilltar i qeverisë franceze, deklaroi se Europa do të përparonte vetëm nëpërmjet një monedhe të vetme ose në të kundërt, ajo nuk do t’ia dilte dot mbanë. Pas shpërbërjes së sistemit monetar ndërkombëtar, Bretton Woods, në vitin 1971, vendet europiane bënë shumë përpjekje për të siguruar stabilitetin e monedhës nëpërmjet marrëveshjeve të njohura si “gjarpri” – Sistemi Monetar Europian dhe Mekanizmat e Kursit të Këmbimit.
Lëvizja për të pasur një monedhë të vetme europiane dukej si zgjidhja e duhur logjike për një përpjekje të tillë, edhe pse ajo ishte shumë më e rëndësishme se kaq. Megjithatë, një marrëveshje e kursit të këmbimit mund të ndryshohej në çdo moment. Dhe ishte pikërisht kjo që ndodhi në mënyrë të përsëritur në vitet 1980 dhe 1990. Monedha e vetme do të shënonte fundin e një përçarjeje të tillë.
Me lançimin e euros në vitin 1999 dhe me zëvendësimin e kartëmonedhave dhe monedhave kombëtare në vitin 2002, BE-ja nuk po mbështeste vetëm tregun e përbashkët europian që ishte edhe projekti i saj më i suksesshëm, por ajo po ndërmerrte edhe një hap gjigant drejt integrimit më të thellë politik dhe ekonomik.
Megjithatë, projektimi i euros vuajti nga dy defekte të mëdha që ende sot evidentohen tek ajo.
E para kishte të bënte me zgjedhjen e shteteve të cilat do të ishin të afta t’i nënshtroheshin disiplinës për të qenë pjesë e një tregu të përbashkët me një monedhe të vetme.
Franca duhej të ishte një prej shteteve themeluese, por qeveria gjermane mendoi se fillimisht klubi nuk duhej të zgjerohej shumë.
Kriteret e vendosura në Traktatin e Maastrichtit mbi nivelin e borxhit dhe të deficitit të vendeve që do të bëheshin anëtare nuk kishin ndonjë rëndësi të madhe në fushën ekonomike, por ato kishin shumë rëndësi në fushën politike sidomos për gjermanët, të cilët dëshironin të mbanin jashtë saj shtetet mesdhetare që nuk i ngjallin besim, veçanërisht Italinë. Në Maastricht ishte mjaft e qartë se Britania dhe më vonë Danimarka nuk do të përfshihen në këtë situatë.
Gjatë viteve 1990, Italia e konsideroi si të drejtë faktin për të mos qenë pjesë e këtij bashkimi monetar dhe ekonomik, kryesisht sepse niveli i borxhit të saj publik ishte shumë më i lartë se kufiri i lejuar nga Maastrichti me 60 për qind të PBB-së, por edhe sepse rimëkëmbja e saj ekonomike në periudhën pas luftës bazohej kryesisht në zhvlerësimet e shpeshta të monedhës.
Megjithatë, kur Spanja dhe Portugalia vendosën që të bëhen pjesë e këtij bashkimi, edhe Italia mendoi që duhej të ishte pjesë e saj. Kriteret e vendosura si në Traktatin e Maastrichtit ashtu edhe në paktin e mëvonshëm të stabilitetit dhe të rritjes u përcaktuan në mënyrë të tillë që numri i shteteve anëtare të shkonte deri në 11. Pak më vonë edhe Greqia u bë pjesë e këtij bashkimi, si shteti anëtar i 12-të.
Mos u vononi më shumë, ndërmerrini reformat sa më parë
Fillimisht gjithçka shkoi mirë, rritja ekonomike ishte e fuqishme dhe inflacioni në nivele modeste. Vendet e Mesdheut përfituan nga konvergjenca e ulët e normave të interesit. Por kjo do të thotë se ata mund ta kishin shmangur sforcimin në sajë të ndërmarrjes së reformave strukturore për t’i bërë ekonomitë e tyre më konkurruese.
Shumë ekonomistë vunë në dukje faktin se reformat e tilla ishin të nevojshme sidomos për shtetet të cilat nuk ishin në gjendje të zhvlerësonin apo të drejtonin politikën e tyre monetare, por në të njëjtën kohë, politikanët ishin të gjithë të gatshëm për të shmangur kurat jopopullore. Një prej rezultateve të kësaj situate ishte divergjenca shqetësuese në rritje dhe kostot e punës për njësi, një element i rëndësishëm për konkurrencën e shteteve me njëra–tjetrën.
Dhe një gjë e tillë do të shkaktonte probleme serioze kur defekti i dytë i madh në euro do të dilte në dritë gjatë fundit të periudhës së dekadës së parë: struktura e saj plot të çara.
Nuk kishte asnjë rregullore për dorëzanitë dhe asnjë dispozitë se çfarë duhej bërë nëse qeveritë kombëtare kishin nevojë për ndihmë, një mangësi serioze kjo e fundit, duke qenë se tani borxhet e tyre ishin të shprehura në monedhë të huaj, mbi të cilën ata nuk kishin kontroll.
Euroja nuk kishte fonde qendrore që mund të shkonin në ndihmë të vendeve anëtare, nëse ato goditeshin nga faktorë të jashtëm. Edhe pse bankat po përpiqeshin të vepronin sipas një fryme europiane, ato mbetën në thelb shumë nacionaliste; bankat qendrore kombëtare nuk kishte as aftësinë dhe as burimet për të shpëtuar ose për të ristrukturuar ato më të mëdhatë. Banka Qendrore Europiane (BQE), nga ana e saj, nuk ishte në gjendje apo e gatshme të vepronte si një huadhënëse.
Entuziastët e këtij integrimi europian nuk i shikonin këto probleme si të pakapërcyeshme, sepse ata prisnin që bashkimi monetar do të çonte pashmangshmërisht në një bashkim më të ngushtë politik. Të shumtë janë ata që ende e besojnë një gjë të tillë. Por gjatë dekadës së parë të euros, faktorët problematikë ishin shumë të paktë.
Edhe rregullat e deficitit të buxhetit të vendosura nga pakti i stabilitetit dhe rritjes nuk u morën parasysh, dhe për ironi të fatit, ishin pikërisht Franca dhe Gjermania ato që u identifikuan në vitin 2013 si të parat shtete që i shkelën këto rregulla.
Në vitin 2009, monedha e vetme, ashtu e pambrojtur siç ishte, u përfshi nga kriza më e madhe globale që prej 1930, dhe kjo ndikoi që problemet e saj strukturore të dilnin në dritë. Kriza e euros vazhdoi për shumë vjet. Një fond emergjent huadhënieje, që më vonë u bë Mekanizmi i Stabilitetit Europian, u themelua me ndihmën e FMN-së.
Së pari, Greqia, dhe më pas sipas radhës Irlanda, Portugalia, Spanja dhe Qiproja u detyruan të ishin pjesë e programeve të huadhënies. Duke qenë se kriza filloi në Greqinë e shthurur, kura e përshkruar ishte zakonisht shtrënguese ndaj sektorit publik, edhe pse në pjesën më të madhe të vendeve të tjera, shpenzimet e tepërta publike dhe huamarrja nuk ishin problemet kryesore. Momenti që shënoi kthesën e ndryshimit ndodhi në vitin 2012, kur Mario Draghi, Presidenti i BQE-së, deklaroi se institucioni i tij ishte i gatshëm për të bërë “gjithçka që duhet” për të ruajtur euron.
Kjo u pasua nga lëvizjet drejt një bashkimi bankar, me BQE-në në krye dhe që do të mbikëqyrte bankat më të mëdha europiane. Në krahasim me Amerikën dhe Britaninë, Eurozona ka qenë shumë e shpejtë për të shkurtuar shpenzimet publike dhe për të rritur taksat; tepër e ngadaltë për të zgjidhur problemet e bankave të saj, pjesa më e madhe e të cilave janë ende të ngarkuara me borxhe të këqija; dhe shumë në mëdyshje për të çuar përpara reformat strukturore të punës dhe tregjeve të mallrave në përmirësim të konkurrencës.
Megjithatë, pavarësisht këtyre dështimeve, sëmundjet e Eurozonës janë të ekzagjeruara. Klaus Regling, drejtor i ESM, i pëlqen të theksojë faktin se norma e PBB-së për person (sesa PBB-ja absolute) dhe niveli i punësimit (sesa niveli i papunësisë), performanca e Eurozonës në këto 15 vitet e fundit nuk ka qenë më e ulët sesa ajo e Amerikës. Në ditët e sotme, të gjithë anëtarët e Eurozonës, duke përfshirë këtu edhe Qipron dhe Greqinë, po shënojnë rritje, dhe të gjithë e shpëtuan Greqinë që të rifitonte aksesin për në tregjet e kapitalit.
E shprehur ndryshe, problemet e euros vetëm sa kanë kaluar nga një gjendje akute në kronike.
Pierre Moscovici, komisioneri i BE-së për çështjet ekonomike dhe monetare, ankohet se rritja është ende e ulët; dallimet midis veriut dhe jugut mbeten të mëdha dhe konvergjenca ka ndaluar ose ka shkuar në drejtim të kundërt, ndërsa rajoni vuan nga pabarazitë serioze, duke theksuar shembullin e një Gjermanie, e cila ka një suficit prej 9% të PBB-së.
Gjermania është shumë e varur nga kërkesa e jashtme. Që nga koha e krizës dhe e huamarrjeve, e tërë zona ka pasur një tepricë (suficit) në llogarinë aktuale, gjë e cila mund të shkaktojë tensione të vazhdueshme sidomos me shtetet e mëdha të deficitit, të tilla si Amerika dhe Britania.
Një pasqyrë e plotë
Situata e Eurozonës, e cila që nga viti 2002 është zgjeruar duke marrë edhe tre vendet baltike, Slloveninë, Sllovakinë, Qipron dhe Maltën, mbetet problematike.
Sipas opinionit të një zyrtari të lartë në Bruksel, Eurozona funksionon më së miri për 16 prej anëtarëve të saj, por jo për 3 të tjerë: Greqinë, Portugalinë dhe veçanërisht Italinë.
Në të vërtetë, kërcënimi i vërtetë për euron nuk mund të jetë Greqia, duke marrë pasur parasysh madhësinë e saj të vogël. Shumë besojnë se monedha e përbashkët mund edhe t’i mbijetojë daljes së Greqisë nga euroja ndërsa disa të tjerë janë të shqetësuar në lidhje me një fakt të tillë.
Por Italia nuk ka parë asnjë rritje neto në PBB për person që prej vitit 1999, një fatkeqësi kjo për një vend të zhvilluar dhe një arsye e rëndësishme për dy prej partive më të mëdha politike, të cilat janë në favor të një referendumi mbi anëtarësimin në euro.
Për Italinë mund të thuhen që të dyja, ajo është shumë e madhe për të dështuar dhe shumë e madhe për t’u shpëtuar. Ka pasur diskutime për një nismë të re franko-gjermane, për të forcuar euron pas zhvillimit të zgjedhjeve të këtij viti, por gjithsesi dallimet ndërmjet dy vendeve mbeten të mëdha.
Zyrtarët gjermanë e shprehën hapur qëndrimin e tyre kundër raportit të “pesë presidentëve” në vitin 2015 (nga presidentët e Komisionit Europian, Këshillit të Europës, ministrave të Financave të Eurogrupit, Bankës Qendrore Europiane dhe Parlamentit Europian), një raport ky që propozonte një integrimin më të thellë për Eurozonën.
Ndërsa francezët janë pro ideve të tilla, por gjermanët janë ata që do të thonë fjalën e fundit. Edhe nëse kancelarja gjermane, znj. Merkel do të zëvendësohet nga z. Schulz, gjermanët nuk do të ndryshojnë qëndrim. Kjo shpjegohet edhe në librin e fundit (“Euroja dhe Beteja e Ideve”, nga Markus Brunnermeier, Harold James dhe Jean-Pierre Landau), ku tregohen se dallimet ndërmjet këtyre dy shteteve në lidhje me filozofinë që duhet ndjekur për të drejtuar Eurozonën, janë shumë të mëdha.
Francezët duan ta kompletojnë këtë bashkim bankar me një sistem të sigurimit të depozitave të përbashkëta dhe një rezolutë bankare.
Ata favorizojnë një qeveri ekonomike si kundërpeshë me BQE-në, me një ministër të Financave të Eurozonës, një buxhet të Eurozonës dhe madje edhe të një Parlamenti të Eurozonës.
Ata shpresojnë që të krijojnë Eurobondin. Megjithatë ata po u rezistojnë imponimit të kufizimeve të ashpra fiskale mbi qeveritë kombëtare dhe mbi të gjitha, atyre nuk u pëlqen t’u thuhet se çfarë reformash të ndërmarrin.
Gjermanët bien dakord mbi nevojën për një integrim më të thellë nëse bëhet fjalë për mbijetesën e Eurozonës, por ata kundërshtojnë propozimet e francezëve për mënyrat sesi mund të arrihet kjo gjë.
Ata e shikojnë si të domosdoshme sigurimin e depozitave të përbashkëta, një buxhet për Eurozonën dhe Eurobondin si mënyra të projektuara për të transferuar para nga taksapaguesit gjermanë drejt vendeve të shthurura.
Ata nuk ndajnë të njëjtin mendim me francezët për sa i përket fleksibilitet në politikën fiskale, duke preferuar vendosjen e disiplinës dhe rregullave.
Ata i druhen faktit se dorëzania apo ristrukturimi i borxhit mund të shkaktojë një dëm moral (i njohur me termin “moral hazard”) dhe eksperienca u ka treguar atyre që t’i shohin premtimet e francezëve në lidhje me reformat me shumë dyshim.
Me pak fjalë, Euro mbetet një monedhë me shumë probleme, me pikëpyetje në lidhje si me anëtarësinë ashtu edhe me drejtimin e saj. Të gjithë bien dakord se ajo ka nevojë për një integrim më të thellë por askush nuk bie dakord mbi mënyrat se si një gjë e tillë mund të arrihet.
Gjermania dhe kreditorët e tjerë ndihen të detyruar që të tregojnë solidaritet me vendet e tjera të Eurozonës, por në këmbim të një sjelljeje të tillë nuk po u ofrohen reforma dhe as një disiplinë buxhetore.
Kjo gjë ka shkaktuar një pakënaqësi të madhe dhe një ndjenjë antigjermane në shumë vende. Gjermania, nga ana tjetër, ankohet për mungesën e solidaritetit në një tjetër zonë: atë të emigracionit.