Ndotja atmosferike vret më shumë njerëz se sa duhanpirja

18/03/2019 4:06 PM 0 komente
Foto: Agency Gazeta/Kuba Atys/via REUTERS

Ndotja atmosferike po merr gjithnjë e më shumë jetë njerëzish në vit se sa duhanpirja, sipas një studimi të ri të publikuar disa ditë më parë, i cili bëri thirrje për ndaljen e menjëherëshme të djegies së lëndëve djegëse fosile.

Kërkues në Gjermani dhe Qipro vlerësuan se ndotja atmosferike shkaktoi 8,8 milionë të vdekur më shumë në vitin 2015 – thuajse dyfishi i 4,5 milionë personave, sipas vlerësimeve të mëparshme. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhanpirja vret rreth 7 milionë persona në vit në të gjithë botën.

Kërkuesit zbuluan se në Europë – ku u fokusua edhe kërkimi i Shoqatës Europiane të Kardiologjisë – ndotja atmosferike shkaktoi rreth 790 mijë të vdekur, 40 deri në 80% e tyre me sëmundje kardiovaskulare si infarkti dhe goditje cerebrale.

“Duke qenë së pjesa më e madhe e grimcave dhe ndotësve të tjerë atmosferikë në Europë vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, duhet të mendojmë menjëherë për burime të tjera energjie” – tha një nga autorët e studimit, prof. Jos Lelieveld, nga Max-Plank Institute for Chemistry të Mainz, Gjermani dhe Cyprus Institute Nicosia, Qipro.

“Kur përdorim energjinë e pastër dhe të rinovueshme, jo vetëm përmbushim Marrëveshjen e Parisit për zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike, por mund të reduktojmë edhe normën e vdekshmërisë që shkaktohet nga ndotja atmosferike deri në 55%”.

Studimi i publikuar në European Heart Journal, u përqendrua tek ozoni dhe grimcat më të vogla të ndotjes, që njihen si PM 2,5, që janë veçanërisht të dëmshme për shëndetin, pasi mund të depërtojnë te mushkëritë dhe të kalojnë edhe në gjak.

Kërkuesit thanë se të dhënat e reja tregojnë se ndikimi i rrezikshëm te shëndeti i PM2,5 – shkaku kryesor për sëmundjet respiratore dhe kardiovaskulare – ishte shumë më i keq se sa mund të mendohej më parë.
Ata kërkuan reduktimin e nivelit të PM2,5 në Bashkimin Europian, aktualisht niveli është 25 mikrogramë për metër kub, 2,5 herë më i lartë se sa normat e lejuara nga OBSH.

“Në Europë, vlera maksimale e lejuar… është shumë e lartë” – tha Lelieveld dhe bashkautori i studimit, prof. Thomas Munzel nga Departamenti i Kardiologjisë në University Medical Centre Mainz në Gjermani, në një deklaratë të përbashkët.

Në mbarë botën, ajri i ndotur shkakton 120 vdekje më shumë në çdo 100 mijë persona në vit, ku në disa vende të Europës, norma e vdekshmërisë është më e lartë, deri në 200 të vdekur në 100 mijë persona.

“Në këtë këndvështrim, kjo do të thotë që ndotja atmosferike shkakton më shumë të vdekur në vit se sa duhanpirja” – deklaroi Munzel.

“Duhanpirja mund të shmanget, ndotja atmosferike jo”.

Burimi: World Economic Forum

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of