Sa do të rritet kufiri i tatimit të pagës dhe niveli i ri i dividendit, taksë e re për personat fizikë tregtarë
Shoqatat e biznesit janë në diskutime me Ministrinë e Financave lidhur me Paketën e re Fiskale për vitin 2019, ku po shqyrtohen ndryshime në ligjin për të ardhurat, procedurat tatimore, TVSH, akcizat.
Dy ndryshimet kryesore në ligjin për tatimin mbi të ardhurat lidhen me rishikimin e normës së tatimit mbi dividentin dhe kufirit të tatueshëm të pagës. Konkretisht, synohet ulje e tatimit mbi dividendin, i cili sot është në nivelin e 15%. Është ende në shqyrtim nëse dividendi do të ulet në 8% apo në 10%.
Ndryshimi tjetër është rishikimi i kufijve të pagës që tatohet me norma të ndryshme tatimore. Sipas informacioneve paraprake, ka një propozim për rritjen e limitit të pagës nga 130.000 lekë në 150.000 lekë, por është ende në diskutim. Aktualisht pagat mbi 130 mijë lekë taksohen me 23%, nivel që është më i larti në rajon dhe që ka nxitur evazionin te pagat e larta.
Në ligjin për procedurat tatimore po diskutohet rregullimi i taksimit për personat fizikë tregtarë, ku synohet dizenjimi i një skeme që takson të ardhurat pas tatimit (0% për 5 milionë, 5% për 5-14 milionë dhe 15% për mbi 14 milionë). Kjo pasi barra fiskale e një personi fizik është minimalisht 13% më e ulët se e një investitori në kapital, 6-7% më e ulët se e një të punësuari dhe maksimalisht pa taksë. Sipas informacioneve paraprake, diskutohet mundësia e vendosjes së një takse të re mbi fitimin neto (pas tatimit) të realizuar nga personat fizikë tregtare.
Po në këtë ligj, parashikohen dispozita shtesë në legjislacion për taksimin e fitimeve kapitale në lidhje me asete dhe të drejta në Shqipëri dhe që zotërohen nga persona jorezidentë, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive, aseteve (të luajtshme apo të paluajtshme) apo të drejtave që ndodhen në Shqipëri. Synimi është aplikimi i tatimit prej 15% mbi fitimet kapitale (pra çmim shitje minus çmim blerje) të realizuara nga persona jorezidentë për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë shitjen e kuotave/aksioneve të shoqërive të regjistruara në Shqipëri, si dhe shitjen e të drejtave për shfrytëzimin e pasurive minerare.
Ndryshimet në ligjin e TVSH-së
Në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, parashikohet përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik. Sipas diskutimeve të ministrisë ka 2 – 3 prodhues vendas, të cilët qeveria synon t’i stimulojë me dhënien e përjashtimit nga TVSH. Identifikimi i lëndëve të para që përfitojnë përjashtim nga TVSH do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Tjetër pikë është përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason. Ky përjashtim justifikohet nga ministria me vonesat në rimbursimin e TVSH për kontraktorët në industri.
Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore, sipas listës së miratuar me VKM, nga çdo importues. Aktualisht ka një listë makinerish bujqësore të cilat janë të përjashtuar nga TVSH në import nëse importuesi është fermer. Synohet shtrirja e përjashtimit edhe nëse importimi i këtyre makinerive bëhet nga një tregtar (i cili importon me qëllim rishitjen).
Normë e reduktuar TVSH 10% për importin e autobusëve elektrikë të transportit publik. Kjo nismë synon incentivimin e këtyre automjeteve në transportin publik.
Ligji “Për akcizat”
Ligji për akcizat synon rishikime të akcizës për rërat dhe zhavorret bituminoze, duke taksuar atë lloj lënde të parë që zëvendëson nënproduktet e naftës dhe ndikon në ambient. Sipas informacioneve paraprake, rishikimi synon vendosjen e akcizës për zhavorrin bituminoz i cili përdoret si lëndë djegëse në disa industri (e çimentos, tullave). Parashikohet një akcizë prej 2 lekë/kg. Parashikohet heqja e akcizës për fishekzjarrët, llambat, pilat/bateritë, por ky propozim do të ridiskutohet nga ministria, duke pasur parasysh efektet mjedisore të disa prej këtyre mallrave.
Rishikime të nivelit të akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvendësuesit e tij, duhanet me ngrohje, purot. Parashikohet rritje e nivelit të akcizës për duhanin e përpunuar. Akciza e cigareve do të rritet sipas skemës aktuale të miratuar me ligj. Synohet vendosja e akcizës së duhanit me ngrohje (për sasinë e duhanit që përmbahet në çdo njësi).
Ligji “Për Taksat Kombëtare”
Ligji për Taksat Kombëtare parashikon ndryshimin e skemës së taksimit të ambalazheve plastike, kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, te taksimi i materialeve plastike, duke e ulur me 2/3 normën ekzistuese. Sipas informacioneve paraprake, kjo do të ulë taksën për ambalazhet plastike dhe do ta shtrijë aplikimin e taksës edhe te materialet plastike që përdoren aktualisht për prodhim tubash PVC etj. Nuk ka ende informacion cilat kode të nomenklaturës doganore do të përfshihet me termin materiale plastike.
Synohen axhustime në skemën e rentës minerare për industrinë e kromit, me qëllim nxitjen e përpunimit brenda vendit të mineraleve duke shtuar vlerën e tij për eksport. Synohet ulja e rentës minerare mbi kromin e papërpunuar, nëse ky i fundit shitet për përpunim brenda vendit (duke synuar kështu uljen e eksporteve të kromit të papërpunuar dhe rritjen e sasive që iu shiten industrive vendase të përpunimit).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.