Nga Fari i Aleksandrisë në Egjipt, te qyteti mesjetar i Rodit, statuja e Zeusit në Olimp, Greqi, e deri tek Petra në Jordani – këto mrekulli të botës sot rrezikojnë të zhduken nga fatkeqësitë e natyrës.
Për të shmangur këtë fatalitet, 55 shtete të botës nënshkruan në vitin 2015 Marrëveshjen e Parisit për Klimën, për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit dhe për të kufizuar rritjen e temperaturës.
Situata raportohet në një studim të publikuar në revistën Nature Communications, me koordinator Lena Reimann të Universitetit gjerman të Kiel. Kërkimi pasqyron gjendjen e 49 vendeve, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pranë brigjeve në 16 vende të Mesdheut, ndër to, Italia ka numrin më të lartë siteve, pasuri e Trashëgimisë së UNESCO-s që rrezikohen. Pas saj, Kroacia, me 6 vende, dhe Greqia me 3. Ndër lokalitetet italiane më në rrezik, në vend të parë është Venecia, që siç nënvizohet në studim, mbrohet nga ngritja e nivelit të ujit nëpërmjet një sistemi barrierash.
Në figurën 1 renditen gjithë vendet që rrezikohen nga përmbytjet bregdetare dhe erozioni për shkak të rritjes së nivelit të detit. Ndër to është edhe Butrinti.
Në figurën 3 – indeksi i rrezikut nga përmbytjet në çdo vend, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në kushtet aktuale dhe në të ardhmen, (a) – në vitin 2000 (b) në vitin 2100 në skenarin e rritjes së nivelit të detit. Në vitin 2000 Butrinti shënohet në hartë në ngjyrë të gjelbër (Indeksi i rrezikut nga përmbytjet 0.1 – 4). Në vitin 2100, siç shikohet, indeksi i rrezikut nga përmbytjet është në ngjyrë të verdhë, ose 4.1 – 7.0.
Në figurën 5 – indeksi i rrezikut nga erozioni në çdo vend, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në kushtet aktuale dhe në të ardhmen, (a) – në vitin 2000 (b) në vitin 2100. Në vitin 2000 Butrinti pasqyrohet në hartë mes e gjelbër-e verdhë, kurse në vitin 2100, e verdhë-portokalli.
Në total, sipas kërkimit, janë 37 vende, në Mesdhe, që rrezikojnë të goditen nga përmbytjet në 100 vitet e ardhshme, ndërsa 42 kërcënohen nga erozioni bregdetar – disa kërcënohen nga të dyja këto rreziqe.
Sipas kërkimit të Universitetit të Kiel, vetëm dy vende për momentin nuk preken nga ky kërcënim: oazi i qytetit të Medinës në Tunizi dhe siti arkeologjik Xanthos – Letoon në Turqi. Kërkimi nënvizon se brenda vitit 2100, rreziku i përmbytjeve mund të rritet me 50% ndërsa ai i erozionit me 13%.
Për të mbrojtur vendet e UNESCO-s, kërkuesit e Universitetit të Kiel nxisin përdorimin e barrierave artificiale, që nuk dëmtojnë profilin estetik të këtyre vendeve, ose natyrore, për shembull duke rivendosur ekosisteme bregdetare për të ndalur përparimin e detit.