Ndryshimet në buxhetin 2017, të cilat në pjesën e dërrmuese të tyre i dedikohen gjetjes së fondeve për importin e energjisë dhe shuarjes së zjarreve, kanë synuar në 8 ndërhyrje në zërat e të ardhurave dhe shpenzimeve.
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, rialokime brenda zërave të shpenzimeve të buxhetit janë bërë përkatësisht:
1- Rritjen e huamarrjes neto nga sektori energjetik me 3 miliardë lekë, për të mundësuar përmbushjen e nevojës për energji elektrike deri në fund të 2017.
2-Rialokimin e shpenzimeve kapitale, nga projektet me ecuri të ngadalte tek ato me ecuri të lartë. Gjithashtu kemi propozuar kalimin e një fondi në masën 1 miliard lekë si kontigjencë tek projektet e investimeve publike (me financim të brendshëm apo me financim të huaj), bazuar në performancën e tyre për periudhën e mbetur të vitit. Ky fond propozohet të përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.
3-Rritjen e zërit “shpenzime personeli” me 300 milionë lekë, si pasojë e akomodimit të politikës së rritjes së pagave dhe ndryshimeve strukturore të disa institucioneve.
4-Reduktimin e shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.
5-Rritjen e shpenzimeve korrente me 200 milionë lekë për të përballuar kryesisht shpenzime të lidhura me përfaqësimin e Shqipërisë në çështjet e arbitrazhit të Gjykatave ndërkombëtare, për të evituar krijimin e detyrimeve të prapambetura, shpenzimet të lidhura me emergjencat civile nisur dhe nga situata aktuale problematike e lidhur me temperaturat e lartë dhe zjarret në masive pyjore të vendit.
6-Reduktimin e shpenzimeve për fondin e sigurimeve shoqërore të ISSH-së në masën 600 milionë lekë, duke u bazuar në realizimin faktit të 6-mujorit të parë të vitit 2017.
7-Reduktimin me 200 milionë lekë të pagesë së papunësisë, nisur nga niveli i ulët i realizimit në 6-mujorin e parë.
8-Shtimin me 1.2 miliardë lekë të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave, duke konsideruar realizimin faktik tij në fund të 6-mujorit, si pasojë e përdorimit të tij për arsye të paparashikuara që kanë karakterizuar gjysmën e parë të këtij viti dhe pritshmëritë e përdorimit të tij për në gjysmën e dytë të vitit. Fondi prej 1 miliard lekësh parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat qe lidhen me faktorë natyrorë.
9-Shtimin me 500 milionë lekë të fondit të shpronësimeve që është një nga elementet më të rëndësishme në progresin e projekteve të infrastrukturës publike.
Situata e pritshme hidrike e parashikuar për vitin 2017 nuk do të jetë në nivelet e parashikuara nga KESH. Si rezultat, prodhimi i shoqërisë KESH do të jetë në nivele më të ulëta se sa parashikimi. Ky devijim nga parashikimi do të sjellë që OSHEE për të plotësuar nevojat për furnizim me energji, të sigurojë pjesën e nevojshme në tregun e lirë. Nisur nga situata financiare e shoqërisë, lind nevoja imediate për mbështetje të saj, për të garantuar shërbimin e domosdoshëm për qytetarët.
Ministria e Financave ka ndërmarrë procesin dhe ka përgatitur skenarin e rishikimit të buxhetit 2017 duke rritur fondet për importin energjisë me 3 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.