Ndryshimi i furnizuesit të energjisë, forcohen masat për rastet e debitorëve

11/02/2019 10:00 AM 0 komente

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar së fundmi ndërhyrjet në rregulloren për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike, një rregullore kjo e hartuar në vitin 2016. Ndërhyrjet e bëra konsistonin në forcimin e masave për rastet e debitorëve të cilët mund të ndryshojnë furnizues duke lënë pagesa të parakorduara me furnizuesin paraardhës.

Pas një diskutimi të gjatë me një sërë grupesh interesi ERE vendosi që të ndryshojë nenin 5 dhe saktësisht pas pikës 1 të shtohej pika 1.2 në të cilën thuhet se kush ka të drejtë të bëj kërkesë për ndryshimin e furnizuesit të energjisë elektrike përfshirë çdo klient debitor ndaj furnizuesit të mëparshëm.

Sipas ERE-s duhet të plotësohen kushtet që debia të merret përsipër nga furnizuesi i ri, sipas një marrëveshje të lidhur nga palët. Së dyti në rast se midis furnizuesit të mëparshëm dhe abonentit ka një marrëveshje për likuidim të vonuar të debisë. Së treti në qoftë se Klienti nuk respekton afatet e pagesave ndaj furnizuesit t të mëparshëm, këtij të fundit (Furnizuesit të mëparshëm) i lind e drejta të  kërkojë menjëherë pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për ish klientin e tij dhe në këtë rast klienti nuk do të furnizohet me energji elektrike nga asnjë furnizues alternativ. Në çdo rast Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të njoftojë Furnizuesin aktual dhe atë të mëparshëm për ekzekutimin e ndërprerjes së kërkuar brenda 48 orëve.

“Ndryshimet vijnë si një koncept i ri në këtë rregullore duke vendosur një garanci më shumë në rastin e klientëve me marrëveshje afatgjata për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për energjinë e konsumuar nga furnizuesi aktual, përpara kalimit tek furnizuesin e ri. Kjo shërben për të krijuar mundësinë që edhe nëse në një kohë të dytë këta klientë do të shmangen nga detyrimet me Furnizuesin e Mëparshëm, ky i fundit rezervon të drejtën të ndërpresë furnizimin e tyre me energji elektrike edhe pse kanë ndryshuar furnizues” argumenton ERE në vendimin e pak ditëve më parë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of