Flet Xhentij Demiraj ish-Drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit Publik
1. Si i vlerësoni lëvizjet e fundit të qeverisë për ndryshimet në buxhet?
Gjykoj se ulja e shpenzimeve është në nivelin e maksimumit të mundshëm, duke pasur parasysh se kanë mbetur më pak se 3 muaj nga përfundimi i vitit fiskal dhe hapësira për të bërë modifikime në shpenzime është shumë e kufizuar. Mendoj që manovrimi më i mundshëm është ulja (shtyrja mbase) e disa investimeve të filluara dhe kjo s’është pozitive për ekonominë, por është e detyruar në këtë moment. Problemi i vërtetë qëndron në anën e të ardhurave: një rënie kaq e madhe e të ardhurave është vështirë të akomodohet në periudhë kaq të shkurtër dhe qeverisë i duhet të marrë masa tejet urgjente dhe efikase për ristabilizimin e ritmit të mbledhjes së të ardhurave fiskale. Në këtë aspekt, tranzicioni i gjatë paszgjedhor i ka shërbyer negativisht vendit.
2. Sa të rrezikshëm e gjykoni nivelin prej 72% të PBB-së të borxhit?
Mjaft të rrezikshëm nëse nuk adresohen me shpejtësi faktorët për mitigimin e situatës: rritja e menjëhershme dhe e konsiderueshme e nivelit të të ardhurave në buxhet, menaxhimi i kujdesshëm i shpenzimeve, mbajtja hapur e kanaleve të ndryshme për financimin e qëndrueshëm të nevojave të buxhetit (përfshirë roll-overin dhe shlyerjen e borxhit ndaj kreditorëve), rikthimi i besimit dhe optimizmit në ekonomi. Gjithsesi, kur flasim për nivel deri në 72% të borxhit, duhet të kemi parasysh se bazohet në një vlerësim ne nivelin e 500-600 milionë dollarësh të borxhit ndaj biznesit. Deri në evidentimin e saktë dhe përfshirjen në buxhet të këtij borxhi, mendoj se raporti i borxhit ndaj PBB-se nuk do jetë mbi 68%.
3. Rritje e borxhit për të nxitur ekonomisë, apo masa shtrënguese?
Për ekonominë shqiptare, ky është një moment i pazakontë që implikon marrjen e masave disi të kundërta në afatshkurtër krahasuar me ato në afatmesëm: nëse në afatshkurtër objektivi primar është konsolidimi fiskal (rritja e të ardhurave, ulja e të gjitha llojeve të shpenzimeve), në afatmesëm është rikthimi i rritjes së lartë dhe të qëndrueshme, që midis te tjerash nënkupton edhe rritjen e shpenzimeve kapitale. Nëse financat publike nuk stabilizohen shpejt, kalimi i ekonomisë në krizë të plotë është thuajse i pashmangshëm. Në afatmesëm, ka një sërë masash dhe reformash që duhen ndërmarrë në mënyrë që ekononomia të rritet qëndrueshëm dhe borxhi të reduktohet gradualisht. Nuk ka shumë rëndësi se sa në ç’nivel ekzakt do të jetë borxhi në vitin x a y, por ka rëndësi që ky nivel të futet në një trajektore të qëndrueshme rënieje.
4. A rrezikon Shqipëria të vuaje një krize borxhi si Greqia dhe pse?….
Ende jo, sepse ekonomia shqiptare është ende në rritje, dhe borxhi i ri merret ende për investime, jo për shpenzime operative. Megjithatë, nëse nuk identifikohen dhe zhvillohen shpejt burimet e rritjes, kombinuar me përmirësimin e qëndrueshëm të mbledhjes së të ardhurave dhe menaxhimin eficient të shpenzimeve, ekonomia e vendit do të qëndrojë e rrezikuar.
5. Në afatin e mesëm, cilat mendoni se janë mënyrat më të mira për reduktimin e borxhit?
Padyshim faktori më i rëndësishëm është rritja e qëndrueshme dhe e lartë e ekonomisë, në nivelin e potencialit të saj (rreth 6%/vit). Qe kjo të arrihet me sukses, duhen identifikuar dhe zhvilluar shpejt burimet e rritjes, duhet përmirësuar klima e biznesit dhe duhen ndërmarrë reforma te thella institucionale që sjellin besimin e investimit në vend, duhet zgjidhur drejt, shpejt dhe pa konflikt social çështja e pronave, duhet zhvilluar sa më shpejt infrastruktura energjetike e vendit, përfshirë burimet alternative; duhet investuar me efikasitet në arsimin profesional, në zhvillimin e turizmit, të kapaciteteve agro-përpunuese, etj. Pra, në esencë, ekonomia e vendit duhet të bëhet më produktive dhe më konkurruese, duke zhvilluar me shpejtësi dhe efikasitet avantazhet e saj konkurruese. Siç e vini re, të gjtiha masat mësipërme kanë të bëjnë me rritjen e qëndrueshme të ekonomisë, dhe jo menaxhimin e borxhit në vetvete. Sigurisht që ka gjëra që duhen bërë më mirë dhe me menaxhimin e borxhit, por tek e fundit niveli i qëndrueshmërisë së borxhit publik varen principalisht nga ekonomia e vendit.
6. Sa të realizueshme i shikoni premtimet e qeverisë së re për uljen e një sërë taksash (kryesisht niveleve të TVSH), përshkallëzimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e pritshme të tatimfitimit, në kuadrin e domosdoshmërisë për konsolidim fiskal?
Mendoj se të gjitha masat që ju përmendni nuk janë të mundura që të zbatohen në këtë moment, pa u evidentuar fillimisht aftësia e qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, si dhe aftësia e saj për të bërë reforma strukturore të qëndrueshme. Në këtë moment, qeveria thjesht nuk ka luksin për të zgjeruar bazën dhe thelluar nivelin e përfitimeve sociale, pa rrezikuar qëndrushmërinë e financave publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.