Agjencia e Prokurimit Publik ka gati draftin me ndryshime thelbësore në kuadrin ligjor qe lidhet me prokurimin publik, i cili është nxjerrë për konsultim me palët e interesuara. Janë një seri ndryshimesh që i janë bërë këtij ligji në funksion të lehtësimit të procedurave për insitucionet dhe operatorët ekonomikë, në funksion të rritjes së eficencës së përdorimit të parasë publike si dhe rritjes së “sitave” të kontrollit për mënyrën e zbatimit të kontratave.
Blerjet e vogla
Ndryshimet në draftin e APP parashikojnë se për blerjet e vogla që përgjatë vitit nuk kalojnë vlerën 100 mijë lekë nuk do të jetë e nevojshme të kryhen procedura prokurimit. “Një nga ndryshimet thelbësore të propozuara është edhe fakti se, autoriteti kontraktor mund të përdorë procedurën prokurim me vlerë të vogël, për prokurimet, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, është nga 100.000 (njëqind mijë) lekë deri në 800.000 (tetëqind mijë) lekë.
Ndërkohë, autoritetet kontraktore do të lehtësohen në drejtim të procedurave për objektet, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, nuk është më e madhe se 100.000 (njëqind mijë) lekë, pasi këto objekte ku përfshihen mallra dhe shërbime të ngjashme, nuk do t’i nënshtrohen procedurave të prokurimit.
Pavarësisht se, në këtë rast autoritetet kontraktore nuk do të aplikojnë rregullat e prokurimit publik për objektet me vlerë deri në 100.000 lekë është propozuar planifikimi i tyre duhet të pasqyrohet në Regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit publik me qëllim përpunimin e të dhënave lidhur me këtë kategori” thuhet në draft.
Sigurimi i ofertës
APP ka rishikuar nenin që lidhet me sigurimin e ofertës duke qartësuar edhe rastet kur nuk ështe e nevojshme kjo procedurë duke nënvizuar se sigurimi i ofertës nuk kërkohet në procedurat e prokurimit me vlerë më të ulët se kufiri i lartë monetar.
Kaosi me certifikimet e cilësisë
Në treg sipas APP ushtrojnë aktivitetin me dhjetëra trupa certifikues të cilësisë por që nuk përmbushin as vetë standardet e nevojshme dhe kjo mund të sjellë cënim të cilësisë kur bëhet vlerësim I punëve. Në këtë kuadër është riformuluar neni për kërkesat e cilësisë duke saktësuar se certifikatat duhet të jenë të lëshuara nga një organ i vlerësimit të konformitetit i akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose organizma ndërkombëtar akreditues të njohura nga Republika e Shqipërisë.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave
Në draft për herë të parë specifikohen kushtet që duhet të përmbushë çdo anëtar që është pjesë e komisionit të Vlerësimit të Ofertave si dhe fakti se secili prej tyre duhet që mendimin e tij për pro ose kundër një operatori ta japë të argumentuar në procesverbal duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë.
Marrëveshjet kuadër
Një tjetër risi është ajo që lidhet me marrëveshjet kuadër ku APP saktëson se kjo marrëveshje mund të përdoret për të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve të përdorura zakonisht me natyrë të përsëritur me qëllim prokurimin e tyre në kohë, duke shmangur kështu në maksimum përdorimin e procedurës së prokurimit “negocim pa shpallje paraprake e njoftimit të kontratës”. Po kështu vlerësohet se ky është një mjet që do të shmang përdorimin e nevojave të pambuluara në fillim të vitit kalendarik, për shkak të vonesave dhe kohëzgjatjes së një procedure normale prokurimi.
Procedurat me negocim pa shpallje
“Kohët e fundit është konstatuar se problematikat e hasura në procesin e prokurimit sidomos në rritjen e numrit të procedurave të prokurimit ”negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” që zhvillojnë autoritetet kontraktore, vijnë edhe si rezultat i një planifikimi jo të mirë që bëhet nga këto të fundit.
Në këtë kuptim, është gjykuar që të rritet kontrolli mbi procesin e planifikimit të procedurave të prokurimit publik, duke parashikuar të drejtën që ka në këtë rast APP që të mos lejojë publikimin e regjistrave të parashikimeve, në rast se do konstatojë se ato nuk janë hartuar në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Po kështu, me ndryshimet e propozuara në këtë nen, është parashikuar që të rritet edhe kontrolli mbi ndryshimet e vazhdueshme që i bëhen regjistrit të parashikimeve nga autoritetet kontraktore në mënyrë të pajustifikuar, duke parashikuar përsëri të drejtën që APP ka për të mos lejuar publikimin e ndryshimit e regjistrave të parashikimeve, në rast se do të konstatojë se ndryshimet nuk janë bërë në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi” nënvizon APP në relacion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.