Rreth 37 mijë depozitues që kanë investuar paratë e tyre në shoqëritë e kursim-kreditit do të jenë më të sigurt për paratë e tyre. Qeveria ka parashikuar që të garantojë 1 milion lekë për çdo depozitë në këto shoqëri, ndërkohë që në bankat e nivelit të dytë shuma e garancisë arrin në 2.5 mln lekë. Ky diferencim ka shkaktuar edhe pakënaqësinë e unionit të kursim- kredive, qe në total përmbledh 120 shoqëri në të gjithë vendin. Gjatë diskutimit të këtij projektligji në komisionin e Ekonomisë, përfaqësues të Agjencisë së sigurimit të depozitave argumentojnë se me këtë masë kompensimi shoqëritë njësohen me sistemin bankar, pasi arrihet të sigurohen 90 % e depozituesve. Agjencitë e kursim-kreditit funksionojnë kryesisht në zonat rurale, aty ku nuk ka filial bankash. Ato ofrojnë interesa të leverdishme, konkretisht për depozitat arrijnë deri në 5.7 %. Ndaj edhe deputet e këtij komisioni kërkuan njësim të shumës së sigurimit të depozitave. Shuma e depozitave në këto shoqëri për 37 mijë qytetarë arrin në 20 milionë dollarë.
Në fjalën e tij përpara deputetëve, Cani tha se skema e sigurimit të depozitave është një nga shtyllat kryesore në rrjetin e sigurimit të sistemeve financiare. Duke pasur parasysh se ligji bazë ishte relativisht i vjetër dhe ishte amenduar disa herë, duke pasur parasysh nevojën për ta përshtatur me direktivat e udhëzimet e Bashkimit Europian, si dhe duke pasur parasysh sinjalet e marra lidhur me nevojën për përshtatjen me praktika më të mira, Ministria e Financave gjykoi se kishte ardhur koha të hartohej një ligj i ri. “Ligji bën një përshtatje me kuadrin e përgjithshëm të direktivave dhe udhëzimeve të Bashkimit European dhe merr parasysh edhe disa standarde dhe praktika më të mira.
Është gjykimi i palëve të intersuara siç janë shoqata e bankave dhe shoqatat e kursim kredive,” tha z. Cani. Ministri i Financave bëri një ekspoze të përmirësimeve që sjell projektligji i propozuar. Përmirësimet konsistojnë në procesin e kompensimit të depozituesve dhe rritjen e eficiensës së procesit; rritet autonomia e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave duke marrë më shumë kompetenca në marrëdhënie me institucionet e tjera dhe në menaxhimin e fondeve; është qartësuar fusha e mbulimit me sigurim dhe niveli i sigurimit të primit; kompensimi i depozitave të depozituesve merr përparësi dhe rregullohet më mirë në projektligjin e ri. Duke u ndalur në këtë pikë të fundit, z. Cani sqaroi se me duke i dhënë përparësi mbrojtjes së interesave të depozituesve sigurohet stabiliteti financiar i të gjithë skemës.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.