Biznesi i madh kërkon zgjidhje nga qeveria për “ngërçin” ku e ka futur biznesi i vogël, i cili nuk pranon faturat me TVSH, me qëllim shmangien e taksave.
Ministria e Financave njeh shqetësimin dhe konfirmon se pas një viti, biznesi i vogël mund të përfshihet në skemën e TVSH-së
Flasin për “Monitor” sipërmarrës dhe zyrtarë të Ministrisë së Financave
Nga Laura Çela
Paketa fiskale 2014, që ka në qendër të saj lehtësimin dhe nxitjen e biznesit të vogël, sapo është miratuar edhe në Parlament dhe së shpejti do të hyjë në fuqi.
Por ndërsa ajo “kënaq” sipërmarrësit e vegjël, që janë edhe më të shumtë në numër, bizneset e mëdha e të mesme kanë ende shqetësime.
Një nga problematikat më të mëdha për to, që nuk po gjen zgjidhje, është mos marrja e faturave me TVSH nga biznesi i vogël.
Biznesi i madh, i cili përbëhet kryesisht nga furnitorët më të mëdhenj të produkteve të importuara dhe të prodhuara në vend si dhe shërbimeve e ka shumë të vështirë të shesë “mallin” te biznesi i vogël me fatura TVSH-je.
“Ngërçi”, i cili zgjat prej shumë vitesh, vjen pasi biznesi i vogël nuk “pranon faturë” për të fshehur xhiron reale vjetore, me qëllim mospërfshirjen në biznes të madh, çka do ta detyronte të paguajë më shumë taksa. Kjo rënon biznesin e madh, që nuk ka se ku të shkarkojë TVSH-në.
Luan Leka, i cili drejton disa biznese në vend, njëherësh edhe anëtar i Këshillit Ekonomik pranë qeverisë, thotë se nëse nuk zgjidhet ky problem, ekonomia shqiptare nuk do të mund të formalizohet asnjëherë dhe të hyjë në një rrugë të duhur zhvillimi.
“Problemi që ne si industri prodhuese dhe në tërësi bizneset është formalizimi i biznesit të vogël. Biznesi i madh ka shumë vështirësi në lëshimin e faturave të TVSH-së, për shkak se biznesi i vogël nuk i merr, me qëllim uljen e fitimeve.
Qeveria duhet ta ketë në fokus këtë problematikë, sepse vetëm kështu mund të hyjë ekonomia në “shinat” e duhura. Duhet që të gjitha bizneset të jenë pjesë e TVSH-së”, thotë z. Leka, i cili administron kompaninë e përpunimit të mishit, EHW, ndër më të mëdhatë prodhuese në vend.
Të njëjtin shqetësim ka edhe znj. Eleni Babameto, drejtuese e kompanisë “Teuta”, që importon ushqime bazë në vend si oriz, sheqer, miell dhe vaj.
Ajo tregon se e ka shumë të vështirë që të mund të shesë mallrat që importon me fatura të rregullta.
“Me supermarketet dhe njësitë e organizuara të tregtisë me pakicë nuk kemi probleme, sepse ato blejnë me faturë TVSH-je. Por kjo nuk vlen për shpërndarësit me shumicë apo të tjerë operatorë të vegjël. Ata nuk pranojnë që të marrin faturat dhe për ne është shqetësim i madh, sepse nuk kemi ku të shkarkojmë TVSH-në”, thotë për “Monitor”, znj. Babameto.
Me shmangien e taksave dhe detyrimeve që bizneset e vogla i bëjnë shtetit, sidomos me TVSH-në, arrijnë që shpesh të regjistrojnë norma fitimesh më të larta se kompanitë e mëdha.
“Nëse qeveria do të mund të luftojë evazionin, do të arrijë të vjelë shumë më tepër të ardhura sesa nga rritja e taksave për biznesin”, thotë znj. Babameto, e cila është një nga sipërmarrëset më të vjetra (jo nga mosha!) në vend.
Nga ana tjetër, Gjergj Buxhuku, drejtues i organizatës së biznesit, Konfindustria, ngre shqetësimin se paketa fiskale 2014 që lehtëson vetëm për biznesin e vogël nuk është zgjidhje për problemin faturave të TVSH-së.
“Përkundrazi e vështirëson zgjidhjen, sepse trysnia do të jetë në shtim për fshehje xhiroje dhe moslëshim faturash”, thotë ai në një intervistë për “Monitor”.
INTERVISTA/ Flet Gjergj Buxhuku, drejtues i organizatës së biznesit, Konfindustria
“Paketa lehtësuese për biznesin e vogël rrit problemet me TVSH-në”
Sa problematike është vështirësia e lëshimit të faturave të TVSH-së nga ana e biznesit të madh?
Gjithmonë lëshimi i faturave të TVSH-së ka qenë shqetësues dhe mund të thuhet se është një nga shkaqet kryesore të krijimit të shmangies fiskale masive me të cilën përballet ekonomia shqiptare. Trysnia e prodhuar nga moslëshimi i faturave me TVSH, shoqëruar me shmangien e qarkullimit, natyrshëm të drejton drejt një shmangie fiskale të cilën biznesi i madh është i detyruar ta përballojë. Kuptohet që në kushte të tilla përballjeje mbijetese për biznesin do të thotë ose je i detyruar të ngarkohesh me kosto shtesë, që rrezikojnë të falimentojnë në një të ardhme të afërt si pasojë e konkurrencës së pandershme, ose je i detyruar të hysh në vorbullën e evazionit. Kuptohet lehtë se ç’do të thotë sa më sipër!
A e keni adresuar këtë problematikë te qeveria?
Konfindustria është përballur dhe ka vite që e ka ngritur shqetësimin për problematikën e lëshimit të faturave me TVSH. Anëtarët e Konfindustrisë si biznese të mëdha të rëndësishme të vendit janë të parët që e ndiejnë rritjen e kostove dhe trysninë e një gjendjeje të tillë. Adresimi është bërë i herëpashershëm por zgjidhje përfundimtare nuk ka pasur, pavarësisht se shqetësimet janë marrë parasysh sidomos me përshpejtimin e vendosjes së sistemit të kasave fiskale online si hap i rëndësishëm për zgjidhjen e çështjes.
Si mendoni ju se do të zgjidhet, sidomos në kushtet kur ka një paketë lehtësuese për biznesin e vogël, por pak po mendohet për zgjidhjen e këtij problemi?
Në fakt, paketa lehtësuese vetëm për biznesin e vogël nuk është zgjidhje për problemin e faturave të TVSH-së. Përkundrazi e vështirëson zgjidhjen sepse trysnia do të jetë në shtim për fshehje xhiro dhe moslëshim faturash.
Çfarë thonë Financat
Por bizneset i kanë adresuar ankesat e tyre edhe në Ministrinë e Financave dhe qeveri. Burime zyrtare te Ministria e Financave konfirmojnë për revistën “Monitor” se ky fenomen përbën një shqetësim për të gjithë, për shtetin dhe biznesin.
Në këtë drejtim, qeveria ka vendosur që hapi i parë i reformës për të formalizuar sa më shumë ekonominë është që biznesi i vogël do të kalojë nën administrimin e tatimeve. Prej 1 janarit 2014, taksat dhe tatimet e biznesit të vogël do të mblidhen nga administrata tatimore në përpjekje për të rritur eficencën e kontrollit ndaj tyre dhe për të ulur evazionin fiskal.
Qeveria e ka vendosur në axhendën e saj përmirësimin e situatës së raportimeve tatimore të biznesit të vogël.
“Është e vërtetë që edhe disa vite më parë, këto taksa mblidheshin nga tatimet, por ne do të përpiqemi në maksimum për të qenë eficentë”, thonë zyrtarët e Financave.
Dhe nëse rezultatet nuk do të jenë “të kënaqshme”, qeveria do të ndryshojë strategjinë e saj.
“Ne do të shohim ecurinë e kësaj skeme deri në vitin 2015, pra për një vit. Nëse rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme, do të vijohet me planin tjetër, atë të përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH-së”, shtojnë burimet e Ministrisë së Financave.
Për qeverinë nuk është e lehtë që të realizohet shpejt përfshirja e të gjitha bizneseve në skemën e TVSH-së dhe mendohet që të mund të kalojnë fillimisht bizneset me një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë, duke lënë jashtë vetëm sipërmarrësit e vegjël “të kioskave”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Po qe te kesh Tvsh te biznesi I Vogel NE radh te par faturat e blerjes se mallit qe un te jem I sigurt qe cmimi esht I njejt e NE baz te kesaj te behet dogana e tme vej nje cmim fiks NE shitje +Tvsh e nderkoh duhet tme njohi humbjet e stoqet e ateher mendoj se duhet te veproj