Fanella legjendare me numër “10” e Maradonës në kohërat e Napolit; ajo e veshur nga Pelé, i cili feston fitoren e tretë të Brazilit në Botëror; dorezat që kanë mbrojtur duart e Dino Zoff në Botërorin e vitit 1982, të fituar nga Italia.
Këto janë vetëm disa nga reliket e famshme të protagonistëve të futbollit në ankandin që do të mbahet live në internet `Football Memorabilia´ më 14 dhjetor në site Astebolaffi.it.
Ky është ankandi i dytë që zhvillohet me relike të botës së sportit. Fanella që Maradona ia dhuroi Agostinelli-t më 22 dhjetor 1985 pas ndeshjes Napoli – Avellino (1 – 0) është një nga elementet më të çmuara në ankand, e cila vlerësohet 8 – 10 mijë euro.
Fanella e Pelé, e prerë enkas te jaka me formë rrethore, pasi “O Rei” nuk e pëlqente jakën me prerje V, vlerësohet rreh 8- 10 mijë euro.
Dorezat që Dino Zoff veshi gjatë finales së Botërorit që u luajt në Spanjë në vitin 1982, vlerësohen 6 – 7 mijë euro.
Në ankand do të jetë edhe fanella me numër 11 që i përkiste fituesit të “Topit të Artë”, sulmuesit ukrainas Oleg Blochin, i cili luante me Bashkimin Sovjetik (5 – 6 mijë euro); fanella e veshur nga Gigi Riva në një ndeshje të Botërorit të zhvilluar në Gjermani në vitin 1974 (6 – 7 mijë euro) dhe fanella me numër 17 e argjentinasit Pedro Pasculli e veshur në finalen e Kupës së Botës në vitin 1986 (3.500 – 4.500 euro).
Burimi: Corriere della Sera