Më shumë se 200 vjet nga lindja e tij në Odense, në ishullin Funen, popullariteti i shkrimtarit më të madh të Danimarkës, Hans Christian Andersen, mbetet i njëjtë.
Odens e përkujton qytetarin e saj më të shquar gjatë gjithë vitit me evente dhe itinerare që zbulojnë vendet ku Andersen u rrit dhe u frymëzua për përrallat e tij.
Itinerari në gjurmët e Andersen në Funen
Udhëtimi në zbulim të vendeve të Andersen nis në ishullin përrallor Funen, ishulli i njohur si “kopshti i Danimarkës”, pikërisht për shkak të bimësisë së harlisur dhe më saktësisht në Odense. Ndalesa e parë është shtëpia e lindjes së Andersen, një shtëpi e verdhë në lagjen e vjetër Odense, ku çdo gjë është ruajtur si njëherë e një kohë.
Pak më tej ju mund të vizitoni Muzeun Hans Christian Andersen (i përkohshëm) në pritje të hapjes së muzeut të ri Hans Christian Andersen, i cili është projekt madhështor i arkitektit Kengo Kuma, që do të përurohet në vitin 2020 dhe do të quhet Eventyrhuset, ose “Shtëpia e përrallave”.
Udhëtimi në Odense vijon në Møntergården aty pranë – një oaz kulturor në zemër të qytetit, me oborre karakteristike dhe ndërtesa të bukura që datojnë në kohën e fëmijërisë së Andersen në Odense. Në muze ju do të shihni edhe disa ekspozita që tregojnë historinë e Funen, vendi ku Andersen u frymëzua për të shkruar përrallat e tij.
Duke ecur në drejtim të katedrales dhe parkut Andersen, ju do të mbërrini në shtëpinë e fëmijërisë në Munkemøllestræde, ku shkrimtari jetoi nga mosha 2 deri në 14 vjeç. Në shtëpi, e cila është bërë muze në vitin 1930, ju do të shihni dorëshkrime dhe ditarë origjinalë. Ajo është mobiluar ashtu si shkrimtari e tregon në kujtimet e tij, duke përshkruar në mënyrë besnike kushtet e vështira dhe varfërinë në vitet 1800 në Odense.
Bota magjepsëse e Andersen jeton edhe në fshatin Funen (Den Fynske Landsby), një muze i hapur ku është ndërtuar ambient i një fshati danez mes viteve 1700 – 1900, me shtëpi prej guri e druri, një liqen dhe një rrugë e vogël e mrekullueshme.
Vende të tjera në Odense që lidhen me shkrimtarin:
-Bashkia (Rådhuset), ku Hans Christian Andersen u shpall Qytetar Nderi i Odense më 6 dhjetor 1867
-Manastiri Franceskan (Gråbrødre Kloster), në kopshtin e të cilit shkrimtari luante shpesh kur ishte fëmijë
-Teatri i Odense, ku shkrimtari bëri shfaqjen e tij të parë
-Kopshti i Mbretit (Kongens Have) dhe Kështjella e Odense, ku luante kur ishte në Odense. E ëma e Andersen punoi për një farë kohe në kështjellë, ndërsa ai fëmijë, luante me princin e ardhëm Frederik VII
-Kisha Shën Hans, ku shkrimtari u pagëzua më 1805.
Evente përrallore në Odense
Me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit të përrallave daneze më të famshëm në botë, më 2 prill, në Odense mbahen evente dhe spektakle falas gjatë gjithë ditës.
-Çdo vit, gjithnjë me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit, më 2 prill shpërndahet birra e Hans Christian Andersen. Ajo u prodhua për herë të parë në vitin 1988 për të festuar 1000-vjetorin e qytetit Odense.
-Përralla mbi lumin, 26 qershor – 4 gusht
-Parada e Hans Christian Andersen , 30 qershor – 11 gusht 2018
-Festivali i Hans Christian Andersen, 19 deri më 26 gusht 2018