Ekspertiza e sjelljes konsumatore, blerjet e shtrenjta dhe shpenzimet marramendëse të shtresave të pasura në kohë krize, i kanë shpjeguar me nevojën që këta të pasur kanë për t’u diferencuar nga të tjerët. Ata nuk duan t’i përkasin një shtrese më të ulët, pse rrethanat i kushtëzojnë, ndaj edhe harxhojnë më shumë. Është një sakrifi cë në emër të Statusit. Në vendin tonë, kjo duket se është e vlefshme për qeveritë. Edhe pse vendi ka kohë që është futur në një cikël të mbyllur krize dhe mosbesimi, shpenzimet qeveritare të luksit nga fondet buxhetore janë rritur, ndërsa investimet publike kanë mbetur të paplotësuara. Kundërshembulli vjen nga Anglia, ku kryeministri i vendit, David Cameron, i bleu bashkëshortes së tij një automjet të dorës së dytë ‘Nissan micra’, jo më të shtrenjtë se 2 mijë paund. Pagoi të gjitha taksat dhe nuk kërkoi as favore për ulje çmimi, tha shitësi i automjetit. Shembulli i kryeministrit nuk është humor si ai që anglezët dinë të bëjnë, por shembulli se si një qeveritar kupton pozicion e tij kundrejt publikut. Shtypi anglez e komentoi gjerësisht këtë gjest si një shembull që liderët botërorë duhet të mësojnë dhe të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin e jo të keqpërdorin paratë e taksapaguesve. Cameron e bëri këtë blerje për bashkëshorten, sepse nuk ka nevojë dhe nuk kërkon të diferencohet nga populli i tij. Nuk besoj se ne shqiptarët dimë të bëjmë dhe të kuptojmë humorin anglez në mënyrë të vullnetshme, por e hamendësoni që gruaja e çdo kryeministri shqiptar apo cilido qeveritari, apo shtetari tjetër të udhëtojë rrugëve të Tiranës me një makinë të përdorur dhe të lirë? Jo, sepse prej kohësh, kjo shtresë politikanësh kërkojnë të shkëputen nga populli i vet. Në vjeshtën e këtij viti është koha kur BE do të vendosë për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësimin me Shqipërinë. Edhe Britania është në një proces të ngjashëm për t’i thënë po ose jo BE. Por nëse për ne vendosin të tjerët, Britania vendos vetë dhe, e dini pse? Fare thjesht, jo vetëm për shkak të historisë së saj shtetformuese dhe demokracisë funksionale, por edhe se udhëheqësit e saj, megjithëse me sovranitet të spikatur politik, dinë ta humbasin atë në emër të publikut. Ndërsa këta “tanët” do të humbisnin sovranitetin pasuror, diferencimin shtresor, edhe pse nuk kanë punuar një ditë në jetën e tyre, humbisnin gjithçka që mund ta bënin lirshëm pa u monitoruar nga BE. Nga integrimi do të humbisnin ata dhe jo shqiptarët që nuk kanë se çfarë e duan më sovranitetin e tyre kombëtar, përveçse për të ushqyer ndonjëherë krenarinë që tashmë është e regjur nga dhuna, indiferenca dhe përjashtimi që i bën klasa jonë politike për më shumë se dy dekada. Ka dhe një arsye tjetër pse BE duhet t’i hapë negociatat. Refuzimi i ka përkeqësuar gjërat, ndërkohë e kundërta, edhe kur nuk i kemi plotësuar kushtet e pranimit, na ka bërë më të mirë. Kështu ndodhi kur shpërtheu Gërdeci dhe ne hymë në NATO dhe ia vlejti vendimi. Kështu ndodhi kur u liberalizuan vizat. Kështu ndodhi edhe kur morëm statusin: politika shqiptare nuk po ndryshon, por shqiptarët ndryshuan se ndihen dhe jetuan më mirë. Ndaj hapja e negociatave duhet bërë, pasi duhet parënjo si një shpërblim për kushtet e plotësuara nga politika, por si një ndëshkimn për politikën dhe vlerësim për shqiptarët. Refuzimi sa do të mbajë sovranitetin e pushtetit më tej në këmbë. Bëjeni në emër të popullit, ashtu siç kërkoni të bëni edhe reformën në drejtësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.