Flet Fatos Risto, Koordinator i Programeve dhe Prodhimit Vizion Plus
Vizion Plus do t’i kushtojë vëmendje dramave turke në këtë sezon. “Ato kanë ndikim të jashtëzakonshëm te shikuesit, që duket se gjejnë veten në secilën prej tyre”, thotë Fatos Risto, Koordinator i Programeve dhe Prodhimit në Vizion Plus.
Emisioni politik “Kapital” është zhvendosur të dielën në mbrëmje dhe të premten do të vijë një spektakël argëtues, për të cilin Risto nuk preferon të japë shumë detaje.
Cila është audienca që i drejtohet Vizion Plus dhe programet e reja që do të shtoni këtë sezon?
Audienca, së cilës i drejtohet Vizion Plus, mbetet gjithmonë e njëjtë dhe ajo më e gjera nga 15 – 65 vjeç për meshkuj dhe femra. Një audiencë, nga e cila pozicionohet edhe si një rrjet gjeneralist. Themi rrjet, sepse tashmë Vizion Plus komunikon përmes më shumë se një kanali tv, si me faqen web vizionplus.tv ashtu edhe me llogaritë zyrtare me shumë ndjekës në YouTube, Facebook e Instagram. Plateja e ndjekësve bëhet më e gjerë kur llogarisim edhe shikuesit tanë jashtë kufijve, në rajon e deri në SHBA, përmes mbartjes së sinjalit në platformat lokale.
Programet e reja që shtohen për këtë sezon janë, pa diskutim, dramat turke, me ndikim të jashtëzakonshëm te shikuesit, që duket se gjejnë veten në secilën prej tyre. Ato janë zgjedhur me kujdes për të kënaqur të gjitha shijet. Kështu për romancë e “love-story” kemi “Ylli i Mëngjesit” dhe “Ëndërr”. Ndërsa për dramë të fortë e aksion, “Familja e Madhe”, ende në produksion dhe me një trashëgimi në kast që thërret në memorien e të gjithë shikuesve të superproduksionit të suksesshëm “Lugina e Ujqërve”.
Më tej, gjatë sezonit do të vijë një show tërësisht i ri. Për të ruajtur traditën e së premtes mbrëma, është menduar një produksion që nuk mund t’i qëndrosh indiferent, plot emocione, kostume, popullaritet e mbi të gjitha argëtim, në një studio të madhe e me spektatorë që bëhen protagonistë të shfaqjes. Një emision investigativ, gjithashtu, do të jetë i pranishëm në skemat javore të programacionit, për të hapur një dritare të re për teleshikuesit që duan të hetojnë mbi faktet dhe të zbulojnë të vërteta. Dhe në fund po mendohet për të rikthyer reality-show në Prime-Time.
A do të ketë modifikime në programet ekzistuese?
Lista e programeve është e pasur dhe e shtrirë si vertikalisht edhe horizontalisht. Të gjithë programet vijnë të rinovuar në formë dhe në përmbajtje. Nga aspekti estetik kanë skenografi tërësisht të reja që reflektojnë motivet e logos së rinovuar që Vizion Plus prezantoi në fillim të shtatorit.
I pari, në çdo rast është kontenitori prej 2 orësh i mëngjesit, “7pa5”, me autore e drejtuese gazetaren Pranvera Borakaj. Këtë vit, formula e programit ka ndryshuar në funksion të një mëngjesi ritmik dhe të pasur. Studio mirëpret gati 10 të ftuar në ditë që flasin për tema që nisin nga aktualiteti deri te stili i jetesës, të ilustruara edhe me kronika e reportazhe jashtë studios.
“Next” është revista e përditshme e të rinjve, me autor Fabian Basha, që këtë sezon vjen në moderimin e dy të rinjve: Inger Skura dhe Enea Melaj. Aty flitet për muzikë, kinema, teknologji, modë e rrjete sociale, pikërisht ato që ju interesojnë më shumë të rinjve.
Spirancën në “daytime” e ka hedhur edhe “Vizioni i Pasdites”, kontenitori tradicional i kanalit, me moderatore Anila Çela Telitin, që këtë vit vjen me një formë të ndryshme. Duke lënë pas panelet me figurat e njëjta, redaksia është fokusuar më shumë te tregimi i historive shoqërore e personale nga vetë personazhet, duke hapur edhe një dritare ndaj fakteve të aktualitetit, përveç thellimeve sociale, lifestyle, modë e argëtim.
Programi politik nga Sokol Balla “Real Story”, vjen me dopio takim, çdo të hënë e të enjte, ora 21:00, me një studio tërësisht të re dhe filozofinë e kohës: në kërkim të së vërtetës dhe kundër fake-news. Studio mirëpret debate e komente nga analistët e përhershëm të programit, ashtu sikurse edhe tema të nxehta nga politika e aktualiteti.
“By Pass”, programi satirik i kanalit, i drejtuar nga aktori Agim Bajko, vjen çdo të diel në një studio të re. Në ndryshim nga sezonet e mëparshëm do të ketë edhe të ftuar në studio për të komentuar në stilin satirik aspekte të aktualitetit dhe shoqërisë sonë.
“Al Pazar”, nën drejtimin e Agron Llakaj, do të jetë përsëri mbreti i audiencës së të shtunës. Me një kast që bën bashkë aktorë të njohur të humorit me të rinj të spikatur, që përmes rolesh e lojës së thurur mjeshtërisht, do të bëjnë për vete edhe më shumë shikues, nga të gjitha anët e Shqipërisë.
Prodhimet tuaja apo blerjet do të zënë pjesën dominuese në programacion?
Oferta jonë është gjithmonë e balancuar dhe tradicionalisht ruajmë një raport 60 me 40%, në favor të produksioneve origjinale ose lokale të prodhuar nga brenda Vizion Plus ose në bashkëpunim. Ne duam të flasim me gjuhën e publikut dhe të pasqyrojmë emocionet e tyre. T’i përfshijmë e të përfshihemi në jetën e tyre të përditshme. Prodhimet origjinale janë pika që na bashkon, na bën të pëlqyeshëm, të diskutuar dhe të ndjekur, ashtu si moto në rrjetet sociale – “like, share, follow”.
Cilat janë disa nga blerjet më të mirat që keni arritur të mbyllni kontratat?
Energji e madhe harxhohet edhe në ndërtimin e diskutimin e marrëveshjeve që kemi me shpërndarës ndërkombëtarë të përmbajtjes. Ata sugjerojnë dhe ne vlerësojmë çfarë është më e mira për nevojat e planit tonë. Blerje e mirë është kur ne gjejmë tituj me impakt që premtojnë të argëtojnë me cilësi audiencën tonë. Është një proces i hapur dhe në kërkim në çdo kohë, por ne kemi besuar në cilësinë e emrave si Fox Group, Global Agency, Universal dhe Endemol Shine. Shumë filma seriale e formate vijnë falë bashkëpunimit disavjeçar që kemi me ta.
Si është qasja e biznesit në aspektin e marketingut e lidhur me programet specifike, ku preferojnë të reklamojnë?
Patjetër të programet me audiencën më të lartë! Sponsorët zgjedhin të komunikojnë produktet e ofertat e tyre, duke qenë të garantuar se mesazhi do të arrijë te njerëzit. Zgjedhin gjithmonë programet me një historik, qëndrueshmëri, e profil të orientuar mirë. Por në periudhën e fuzionit ku jetojmë, televizioni nuk është i vetmi mjet komunikimi për ta. Krahas reklamave tradicionale, në formë spotesh, ata janë të interesuar për mesazhe, ndërveprim me produktet e tyre, prandaj krahas tyre, ne i përfshijmë edhe në rrjetet sociale që Vizion Plus drejton.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.