Në fshatrat e Korçës, ku po lulëzon turizmi bio dhe i natyrës

06/05/2017 10:05 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Një udhëtim ndryshe në fshatrat përreth Korçës, aty ku gjen natyrë të mrekullueshme, njerëz miqësorë dhe ushqim tradicional bio

 

Nga Elona Bedalli

“Të huajt vijnë enkas këtu për të shijuar ushqimin. Janë kryesisht nga Maqedonia”, shprehet drejtuesi i një prej të paktave restorante në fshatin Boboshticë, rreth 10 km larg nga qyteti i Korçës. Është e njohur kjo zonë për peizazhet natyrore që ofron, por edhe për cilësinë e ushqimit tradicional.

“Çdo vit, ne përballemi me një kërkesë në rritje nga turistët, veçanërisht ata të huaj. Kryesisht janë gjermanë, austriakë, maqedonas, por edhe shqiptarë të Maqedonisë. Duan ushqimet tipike të zonës, siç është lakrori, petullat e fshira apo edhe mishi në hell”, shprehen drejtuesit e restorantit Tomas, në Boboshticë, të cilët janë të identifikuar nga marka ‘Authentic Albania’, por edhe nga vetë Tripadvisor. Sipas tyre, kjo zonë ka shumë mundësi për të tërhequr turistë, të cilët nuk ngurrojnë që të vijnë qoftë edhe për të konsumuar një drekë. “Ne kemi turizëm gjithë vitin dhe kjo është ajo çka e dallon këtë zonë. Megjithatë, periudha më e populluar mbetet dimri dhe pranvera”.

Në fakt, Korça me fshatrat e saj tradicionalisht turistikë po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje, jo vetëm nga të huajt.
Por, kjo zonë ka nevojë për promovim, trajnimin e burimeve njerëzore dhe ngritjen e standardeve.
E për këtë kërkohen fonde. Vetëm për vitin 2018, është Bashkimi Europian i cili do të akordojë rreth 20 milionë euro për Korçën, Beratin, Fierin dhe Shkodrën. Janë katër zona pilot që do të mbështeten për të rritur mundësitë për të zhvilluar turizmin.

E teksa lëmë pas Boboshticën, destinacioni ynë i radhës është Vithkuqi, një zonë që së fundmi po merr vëmendje, kjo edhe për shkak të rrugës (Vithkuq-Shtyllë–Panarit) tërësisht të rikonstruktuar me standarde të realizuar nga projekti i gazsjellësit TAP, i cili pritet të kalojë edhe në këto zona.
Rruga drejt Vithkuqit në pranverë (e cila kalon përmes fshatit Uji i Bardhë) është një mrekulli më vete. Ka kudo gjelbërim, pemë që sapo kanë çelur dhe mbi të gjitha burime të pafundme ujore.

Në këtë zonë janë realizuar sekuenca filmash shqiptarë, si “Beni ecën vetë”, “Dimri i madh”, “Udha e shkronjave”, etj., një vlerë që fare mirë mund të përdoret për të nxitur kërshërinë e turistëve.
Janë destinacione që ia vlejnë nëse doni t’i largoheni së përditshmes, zhurmave të qytetit, të kërkoni prehjen.
Këta fshatra malorë ju çojnë në një realitet tjetër, pasi nuk mungojnë edhe historitë, legjendat e gojëdhënat mjaft interesante.

Ajo që herë pas here na prish këtë marrëdhënie të krijuar me natyrën, janë furgonët e mbushur me drurë të prerë, që tentojnë të përvidhen rrugës e të fshihen, duke qenë se ka një “Moratorium” 10-vjeçar që e ndalon një gjë të tillë. As kamerat e instaluara nëpër shtyllat e larta nuk i trembin dhe masakra vazhdon çdo ditë.
Por, ajo që na ka shkëputur nga ky realitet është “Rezervuari i Gjençit” siç e quajnë banorët e zonës. Një copës toke në mes të rezervuarit me një pemëna bëjnë që të dalim shpejt nga makina e të tentojmë të bëjmë sa më shumë fotografi. Nuk është nevoja që të jesh profesionist sepse panorama nuk ka nevojë për ‘nënshkrime’. Mjafton që këto vende të gjenden diku në një hartë apo të identifikohen për t’i bërë të prekshme nga turisti qoftë vendas apo i huaj. Një shëtitje me varkë në atë zonë mund të ishte fare mirë një atraksion turistik i veçantë.
E lëmë “Rezervuarin e Gjençit”, të cilit nuk do t’i rezistojmë dot as më vonë për të bërë disa foto në perëndim, për të vazhduar rrugën tonë drejt Vithkuqit.

Në qendër të fshatit, pranë disa godinave të ndërtuara me gurë tradicionalë të zonës, na pret kryetari i njësisë administrative të Vithkuqit, Altin Prifti. Një i ri i kuruar në pamje dhe që na pret me shumë mirësjellje.
Është historia e një të riu që për rreth 17 vjet ka qenë emigrant në shtetin fqinj Greqi, por që është kthyer për të gjetur një të ardhme në vendin e lindjes. I hapur dhe pa komplekse na tregon se ka qenë emigrant në Selanik, ku ka punuar në sektorin e ndërtimit, në bërjen e tavaneve të varura dhe krijimin e mjediseve fine. Altini tregon se atij ju dha një mundësi për të ardhur dhe për të zhvilluar këtë zonë të cilën për shumë vite nuk e kishte parë. Flet me pasion dhe tregon dëshirën që ka që Vithkuqi të bëhet një zonë e njohur për zhvillimin e turizmit, sikundër është edhe Dardha apo Voskopoja.

Është një njësi që numëron rreth 2,500 banorë dhe përfshin 14 fshatra.
Procesi regjistrimit të pronave i realizuar nga projekti TAP, për të bërë të mundur rehabilitimin e rrugëve ndihmëse dhe kalimin e tubave i ka ndihmuar shumë banorët e zonës.

“Kjo do t’i ndihmojë ata që në të ardhmen të mund të krijojnë bujtina për turistët. Këtu kapacitetet akomoduese janë shumë të pakta. Kemi vetëm dy hotele. Emigrantët, që kryesisht ndodhen në Greqi, por edhe në SHBA, janë të gatshëm të investojnë për t’i shndërruar ato në shtëpi pritëse për turistët. Por kjo kërkon kapacitete, informim, projekte dhe ne jemi një njësi shumë e vogël administrative, pa fonde në dispozicion. Nuk mund të bëjmë shumë”, shprehet z. Prifti. Ai thotë që kjo zonë ka shumë mundësi për të zhvilluar turizmin, ka burime natyrore. “Në këtë zonë gjenden 1,5000 lloje bimësh mjekësore dhe kjo është pasuri që na e ka falur natyra, ndaj ne duhet të gjejmë mënyra për ta vënë në shërbim të komunitetit. Tashmë me rrugën e re, Vithkuqi është vetëm 45 minuta larg Korçës, ndërsa dikur koha e udhëtimit mund të shkonte edhe dy orë e gjysmë. Shpesh në dimër këto zona bllokohen nga dëbora. Ja, nuk kemi shumë kohë që zhbllokuam rrugën që të çon në fshatin Panarit. Përmes infrastrukturës së përmirësuar, ne mund të rrisim mundësitë jo vetëm për të zhvilluar turizmin, por edhe bujqësinë. Na duhet më shumë vëmendje, qoftë nga pushteti vendor dhe ai qendror me projekte që të rrisim kapacitetet”, thotë z. Prifti.
Në fakt, kjo është një zonë e cila njihet për kultivimin e arrës cilësore. Kjo pemë për shumë fshatarë siguron të ardhurat gjithëvjetore. Ka nga ata që nga një pemë fitojnë deri në 80,000 lekë në vit e me këto para mbulojnë pensionet. Fshatarët thonë se nëse do të kishin mundësi, do të mund t’i shisnin arrat në qytet dhe të fitonin më shumë prej tyre, pasi cilësia është e garantuar.

Kjo zonë njihet edhe për kultivimin e qershisë, mollës dhe patates. Prodhime që shpesh nuk arrijnë dot të shkojnë te konsumatori, por kalben nëpër shtëpitë e fshatarëve.
Një pasuri tjetër e zonës janë edhe burimet hidrike – 101 kroje. Madje në Vithkuq gjendet edhe hidrocentrali i parë i ndërtuar në Shqipëri, në vitin 1936, i cili tashmë menaxhohet nga kompania “Favina”. Një vepër, e cila fare mirë mund të shërbejë edhe si atraksion turistik.

Por, nëse doni të shijoni produkte bulmeti të freskëta dhe të bëra nga duart e fshatarëve, duhet të vizitoni edhe
fshatin Shtyllë. Rruga e re jua lehtëson ndjeshëm transportin.
Përpara sesa të mbërrini do të përballeni me një tjetër pejzash që të lë pa frymë. Bëhet fjalë për atë që banorët e zonës e njohin si “Gropa e Sharrës”, një rezervuar i vogël, i rrethuar nga kodra plot gjelbërim me pisha e bredha. Është ideale për të bërë piknikë. Ky fshat, që më së shumti mbahet me blegtori, dikur ka qenë vend strehimi për të internuarit. Shumë familje shqiptare janë internuar në këtë zonë e cila tashmë nuk vuan më brengën e izolimit, por kërkon vëmendje dhe përkrahje nga shteti me politika subvencionuese që fermerët të mund të shesin produktet e tyre dhe të mbajnë gjallë ekonomitë familjare, por edhe jetën në fshat, që ndien peshën e braktisjes.

 

monitor 778.inddZona e Vithkuqit njihet edhe për një tjetër pasuri, siç është religjioni. Janë 18 kisha që gjenden në këtë zonëZ, pesë prej të cilave janë në gjendje të mirë dhe madje ka pasur edhe restaurime.
Një prej tyre është edhe Kisha e Shën Mëhillit, më e vjetra dhe më e madhja që ruhet në Vithkuq, e ndërtuar në vitin 1728, në të cilën është xhiruar edhe filmi “Udha e shkronjave”.

Përbëhet nga naosi, narteksi dhe hajati. Muratura e kishës është e rregullt, e ndërtuar me blloqe të punuara guri shmërc. Përpara kishës, në anën jugore, hapet një shesh i gjerë, i rrethuar me mure, ndërsa nga ana veriore ndodhen varrezat e vjetra të fshatit, në të gjendet edhe “Varri i pagëzimit” me një histori të trishtë të dy prindërve që donin të kishin një fëmijë e që ju vdes përpara sesa të pagëzohej.

Ndërsa sipas mbishkrimit mbi portën jugore të kishës shkruhet: “Kisha ka filluar të ndërtohet në vitin 1682 dhe është pikturuar nga Mihaili dhe Gabrieli, me shpenzimet e të krishterëve që jetonin në Vithkuq dhe me kontributin e prift Stavrit, ikonom dhe epitrop, të episkopimit të gjithëshenjtë, Mitropolitit të Kosturit Zotit Krisanth dhe të priftërinjve të tjerë, në 1 tetor 1728”.

monitor 778.inddNjë tjetër kishë po kaq e bukur është edhe ajo e Shën Pjetrit që gjendet në lartësi 1,400 metra mbi nivelin e detit. Është një ndër 18 monumentet kulturore dhe historike të Vithkuqit.
Manastiri i Shën Pjetrit i është nënshtruar së fundmi procesit të restaurimit.
Pas kishës së parë të ndërtuar në Vithkuq në vitin 1162, ajo e Shën Thanasit, u ndërtuan edhe shumë kisha të tjera (18 kisha), të cilat kanë vlerat e tyre, por më madhështoret janë Manastiri i Shën Kollit, i Shën Minait, Mitropolia, Manastiri i Shën Millit dhe Manastiri i Shën Pjetrit.

Monumenti që ka një rëndësi të veçantë si vepër monumentale, historike dhe fetare, kisha e Shën Pjetrit, e cila u ndërtua në shek. 18, rreth 1764-1773, përbëhet nga afreske të mrekullueshme me rreth 2000 piktura, e punuar e gjitha me kontributin e vetë vithkuqarëve dhe e ndërtuar nga mjeshtërit e zonës që kishin punuar në Venecia si Dhima Dukasi, Hari Venetiku, Dine Krekasi, Vaso Sumbulla, Kule Deti, etj.
Projektuesi i kësaj kishe ishte vendasi Than Lena bashkë me të birin e tij, Gjikë Lena.
Në këtë manastir ka ekzistuar një bibliotekë e famshme në të cilën ruheshin libra që ishin shtypur në Shtypshkronjën e Voskopojës, midis tyre dhe “Traktati logjik i Kavaliotit”.

monitor 778.inddBujqësia, prodhimet nuk po çajnë dot tregun

Në rajonin e Korçës nuk janë vetëm blegtorët që përballen me pamundësinë për të depërtuar në tregjet e qytetit, por janë edhe bujqit. Një prej tyre është edhe Aurel Malo, i cili ka marrë 12 dynymë tokë me qira në fshatin Açmenik dhe ka punësuar rreth tetë fshatarë. I gjetëm teksa mbillnin patate dhe uronin që këtë vit prodhimi të ishte i mbarë.

“Kemi mbjellë qepë dhe patate. Se këto duan kohë të ngrohtë për t’u mbjellë. Kam marrë disa punëtorë që na ndihmojnë. I paguajmë me 1,000 lekë dita”, thotë Malo. “E shikon – dhe më tregon një kokërr patate e cila ka disa sytha. – Është bio. Nga një gropë arrijmë të marrim 3 kilogramë prodhim. Janë patate të mira. Po me sa e shisni, – e pyes. Me 20 lekë, më thotë. E pastaj më pyet sesa e blejmë ne në Tiranë. I tregojmë se shitet me 70 – 80 lekë. Po, kjo nuk është si ajo patate që blini ju atje, është pa kimikate, pa hile, më tregon si për të më garantuar për mallin”.
E në fakt nuk ka nevojë ta bëjë këtë, se kokrrat e patates që mbjell në tokë janë si rruaza, të zgjedhura një nga një.

Aureli bashkë me gruan e tij tregon se pataten e shiti te fshatrat përreth. “Shkova fshat më fshat me makinën time.. U tregova i zgjuar se kur u bë shumë ftohtë, unë i kisha mbuluar patatet me dhe’ dhe copa, ndërsa fshatarët e tjerë vetëm me rroba dhe ua zuri ngrica. Kështu e mbrojta prodhimin e shita me 40 lekë”, thotë Aureli. Ai thotë se nuk kanë asnjë ndihmë nga shteti, as subvencionim nafte e asgjë.
Do të donte që të paktën të krijoheshin zona grumbullimi, ku ata të mund të çonin prodhimet e tyre dhe ta kishin të garantuar shitjen. “Kështu do të mund të shtoja sipërfaqet, të punësoja më shumë dhe të kisha më shumë të ardhura”, na thotë Aureli, i cili shpreson që fjalën e tij ta përcjellim këtej nga Tirana, tek ata që merren me politikat e bujqësisë dhe jo që kujtohen për ta sa herë që ka zgjedhje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of