Në 2018-n nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar prandaj parashikohet që tregu i qendrave tregtare të jete i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele. Operatorët janë optimistë se do të ketë rritje të shitjeve në tregtinë me pakicë. Si pritet tregu i qiradhënies
Nga Deada Hyka
E kemi pohuar edhe më herët: Nëse ka një segment të tregut të pasurive të paluajtshme ku të gjithë bien dakord se oferta ka kaluar çdo limit të mundshëm në raport me kërkesën është pikërisht ai i qendrave tregtare. Aktualisht, Tirana ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, sipërfaqe kjo ndër më të lartat në Europë, në një vend që ka konsumin më të ulët në Europë, që është vetëm 37% e mesatares europiane, sipas Eurostat.
Toptani Shopping Center iu shtua tregut të shitjeve me pakicë në 2017-n, duke marketuar afërsinë në kryeqytet dhe duke e çuar një total sipërfaqen e Qendrave tregtare në 202,000 m2. Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit. Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 16 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij. Tirana East Gate (TEG) dhe Qendra Tregtare Univers (QTU) mbeten qendrat tregtare më të mëdha në Shqipëri. Tirana Ring Center (TRC) është pozicionuar si një qendër tregtare e zonës perëndimore të qytetit.
Gjatë vitit 2018, të gjithë do të jenë janë në garë për klientë. Prania e të gjithë këtyre qendrave në zonën e kryeqytetit e kanë ashpërsuar luftën mes tyre, të cilat në “kërkim “ të blerësve, zgjedhin forma të ndryshme marketingu për të qenë konkurrues. Nga ana tjetër, dyqanet në rrugët kryesore tregtare përpiqen të mbijetojnë duke ofruar skonto të herë pas hershme.
“Në 2018-n, përveç ndryshimit të stokut të QTU, që do të shtojë sipërfaqen, nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar prandaj parashikojmë që tregu të jete i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele”, thotë Stela Dhami, Menaxhere e Collier Albania.
Të tjera qendra pritet t’i shtohen gradualisht Tiranës, por që do të jenë efektive pas vitit 2018. Kulla te stadiumi dhe kulla të tjera që pritet të ndërtohen kanë në plan të kenë hapësira tregtare. Ekspertët thonë se tregu i qendrave është tashmë i konsoliduar dhe me qendrat e tjera rrezikohet të krijohet mbiofertë në afatin e mesëm.
Zhvillimet e pritshme
-Stoku total i Qendrave tregtare ka arritur në 202,000 m2. Tirana ka 280 m² sipërfaqe qendrash tregtare për 1000 banorë, shifër që dëshmon ngopjen e tregut. Aktorë të fushës së ndërtimit pohojnë se tregu rrezikon të pësojë goditje, ndërsa burime nga Qendrat Tregtare kryesore flasin me nota pozitive për shtimin e konkurrencës, gjë që sipas tyre përmirëson tregun.
– Për vitin 2018 është parashikuar që qendra e parë në Shqipëri, Qendra Tregtare Univers të dyfishoje kapacitetin qiradhënës duke krijuar mundësinë për shumë marka të jenë prezente në këtë qendër, edhe për qytetaret të pozicionuar ne pjesën Veri-Perëndimore të Tiranës. Vlera e investimit do të jetë 12 milion euro.
-Tregu i shitjeve me pakicë është i konsoliduar. Përveç ndryshimit të stokut të QTU, nuk pritet të zhvillohet ndonjë projekt i mirëfilltë tregtar, ndaj Colliers International parashikon që tregu të jetë i stabilizuar dhe çmimet të mbeten ne të njëjtat nivele.
-Në vitin 2018 do të vijojë të jetë në fuqi ligji i cili përcakton se blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro. Sipas përfaqësuesve të dyqaneve të rrugëve tregtare, ata pritet të kenë aktivitet pozitiv, duke qenë se një pjesë e mirë e produkteve të veshjeve por sidomos produktet elektronike etj. tejkalojnë vlerën e lejuar të blerjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.