Kompania SHELL deklaron se është 300 metra larg zbulimit të naftës në Shpirag, sakaq, blen edhe 25% të aksioneve të konsorciumit me “Petromanas”. Zhvillimet e fundit nga “Bankers” dhe “Stream Petroleum”, por edhe dilemat e “Albpetrol”
E nisën inxhinierët shqiptarë, rreth 12 vjet më parë, kur zbuluan burimin me hidrokarbure në Shpirag të Beratit. Arritën të nxirrnin në ditë deri në 300 fuçi, por kushtet ekonomike nuk mundësuan një rritje të mëtejshme të prodhimit.
Sot, në këtë zonë, është duke operuar “Petromanas”, në bashkëpunim me gjigantët e “Shell”. Ishte “Petromanas”, që hyri i pari në treg, duke ftuar edhe holandezët, por zbulimet e fundit kanë sjellë zhvillime interesante në këtë sektor. Inxhinier Maksim Shuli thotë se kompanitë po shfrytëzojnë burimet e zbuluara më parë nga shqiptarët, duke prekur në mënyrë integrale rezervat.
Të dhënat flasin se të dyja kompanitë janë shumë pranë rezervës me “ar të zi”, duke rritur kështu kuotat në bursa, por edhe shpresat për një përmirësim të bilancit në këtë sektor. Mësohet se, kompania kanadeze “Petromanas Energy” në fund të muajit qershor ka ndryshuar marrëveshjen me gjigantin “Shell” për blloqet e naftës 2-3 (Shpiragu 2 – Berat). Sipas kësaj marrëveshje, “Shell” do të marrë një përqindje shtesë prej 25 përqindësh (duke arritur në 75 për qind) me një çmim prej pothuajse 22 milionë dollarësh.
Analistët e fushës e shpjegojnë këtë marrëveshje, e nxitur nga suksesi i mundshëm për zbulimin e naftës. Pra, tashmë “Shell” është e sigurt për rezervat dhe në këto kushte bleu aksionet për ndarjen e fitimeve me “Petromanas”, që tashmë janë në raportin 75 me 25 për qind (nga 50 – 50).
“Ky Joint Venture ka përcaktuar një program shpimi që do të përfshijë tre puse dhe një program sizmik, të cilat do të arrijnë në një kosto prej 200 milionë dollarësh. Ne e shohim dëshirën e ‘Shell’-it për një interes shtesë si një besim në të ardhmen pozitive të Blloqeve 2-3 në Shqipëri”, tha Glenn McNamara, CEO i “Petromanas”.
300 metra larg
Duhet thënë se kompania “Petromanas” dështoi në zbulimin e naftës në Juban të Shkodrës, pasi shpoi mbi 3 mijë metra nën tokë dhe investoi disa milionë dollarë. Shpresat e vetme kishin mbetur te zona e Shpiragut, vendburim më i sigurt me naftë dhe gaz, të konfirmuar para disa vitesh nga studimet e ekspertëve shqiptarë. Megjithatë, një operacion i tillë, ku parashikoheshin shpimi i tre puseve, kërkonte mbështetje më të madhe financiare, ndaj u lidh marrëveshja me “Shell”, kompani lider në tregun botëror të karburanteve. Entuziazmi i qeverisë shqiptare ishte i madh, aq sa edhe vetë kryeministri Berisha mori pjesë në përurimin e punimeve.
Por në çfarë faze janë sot kërkimet?
“Petromanas” deklaron se pusi i naftës “Shpirag-2” ka arritur në thellësinë totale prej 5,500 metrash, duke iu afruar thellësisë së synuar prej 5,800 metrash. Ky operacion pritet të kushtojë deri në fund në rreth 70 milionë dollarë. Pra, duket qartë se investime të tilla janë të papërballueshme për palën shqiptare. Sakaq, të dyja kompanitë do të nisin punimet për shpimin e dy puseve të tjera. Këto punimeve përfshihen në fazën e kërkimit dhe zhvillimit, ndërsa faza tjetër, ajo më e rëndësishmja, operimi do të kalojë në një proces delikat të arritjes së marrëveshjes me qeverinë shqiptare për ndarjen e fitimeve dhe prodhimit.
Duhet thënë se në muajin dhjetor 2012, në bazë të shpimeve në pusin “Juban-1”, “Petromanas” përfundoi punën e saj sipas kushteve të kontratës lidhur me Blloqet A-B. Por, bazuar në informacionet e marra gjatë testimeve në pusin Juban-1, u konfirmua një sasi e papërfillshme hidrokarburesh dhe kompania vendosi që të mos vazhdojë në fazën e tretë të shfrytëzimit të Blloqeve A-B. Përpara tërheqjes, kompania deklaroi se do të investonte 295,000 dollarë për të sistemuar zonën e shpuar duke e çuar në 19 milionë dollarë koston totale të shpimit në këtë zonë.
AKBN
50 mijë fuçi në ditë
Të dhënat zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore tregojnë se, “Petromanas” në vitin 2016 pret të fusë në prodhim një fushë të re naftëmbajtëse që pritet të prodhojë 50,000 fuçi naftë në ditë. Në shtator priten rezultatet e pusit kërkimor Shpirag dhe së paku edhe tre puse të tjera do të shpohen së shpejti. Sakaq, thotë AKBN, “Petromanas” ka investuar rreth 290 milionë dollarë së bashku me partnerin “Shell”.
Rezervat
438 milionë tonë
Dosja e dështimit të privatizimit të “Albpetrol” i ka kaluar prokurorisë, për të hetuar mungesën e garancisë prej 10 për qind, afro 85 milionë euro, por sakaq, interesimi shtrihet për të ardhmen e kompanisë. Sikurse është bërë e ditur, qeveria e re e socialistëve do ta fusë sërish në axhendën e privatizimit, por me një formulë të re.
Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm i “Albpetrol”, Ferdinand Murati, thotë se Shqipëria ka 438 milionë tonë naftë burime, nga të cilat aktualisht 25.5 milionë tonë naftë janë rezerva të provuara. Nga kompanitë e huaja në sektorin e naftës janë investuar 830 milionë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.