Në kërkim të pak “Western” në Zagori

24/07/2018 4:40 PM 0 komente

Flet Ilir Hitaj, Administrator i “Caravan Horse Riding Albania”

 

Vendi ynë mund të jetë edhe pak “Western”, sigurisht pa kaubojt tipikë në pritje të duelit të radhës. Gjithsesi, disa shtigje interesante të shëtitur me kalë nën një guidë profesioniste mund t’ua ofrojë, por deri më tani vetëm të huajve, kryesisht francezëve dhe gjermanëve.

“Vijnë nga këto dy shtete më shumë ata që rezervojnë paketat. Shqiptarët nuk para e zgjedhin këtë lloj aktiviteti, siç janë turet me kuaj, përpos faktit që duhet dhe një lloj përgatitje për të mësuar kalërimin”, – tregon Ilir Hitaj administrator i “Caravan Horse Riding Albania”.

Qendra e këtij aktiviteti që ka marrë jetë prej 8 vitesh, ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, duke u kthyer në një mundësi interesante për ata që duan të kalojnë ndryshe disa ditë.

Prej vitesh, ju ofroni paketa “all inclusive” që përfshijnë turet me kuaj në shtigje të përcaktuar. Si lindi “Caravan Horse Riding Albania”?

Zyrtarisht “Caravan Horse Riding Albania” lindi 8 vite më parë, por në mendjen tonë kishte nisur që në kohën e fëmijërisë. Në fillim nisëm që të organizoheshim mes miqsh në ture njëditore, sipas mundësive me kuaj, mushka apo gomarë. Madje, një pjesë i merrte me qira thjesht për organizimin. Me kalimin e kohës, vendosëm që ta orientonim këtë pasion tonin për turet e kësaj natyre, në funksion të një biznesi të lidhur me turizmin. Donim diçka që të ishte e veçantë, por edhe në nivel kombëtar, pra të ndërthureshin bashkë pasioni ynë me aftësinë që kishim fituar në vite në këto ture, për t’i vënë në funksion të kësaj nisme.

Sa e lehtë apo e vështirë ka qenë që të njihet dhe frekuentohet pjesa e tureve që organizoni?

Kur e kemi filluar, as ne vetë nuk e besonim 100%, kështu që kuptohet skepticizmi edhe te të tjerët ka qenë i shprehur. Me kalimin e kohës pamë që nisi të funksionojë dhe sot jemi këtu, çka tregon se është diçka që kërkohet dhe ka tregun e vet.

Sa kuaj keni sot në stallën tuaj dhe çfarë race?

Sot që flasim në ture, ne përdorim vetëm kuajt, pra jo mushka apo gomarë. Në total janë 35 kuaj, racë shqiptare, pra nuk kemi kuaj të marrë nga jashtë, por të rritur në vend.

Sa shtigje bëni gjithsej dhe çfarë kostoje ka secili prej tyre?

I pari është shtegu, apo rruga e karvanëve, që përfshin krahun e Lunxhërisë, Zagorisë dhe Pogonit. Kjo është rruga që kanë ndjekur karvanët në Mesjetë, e mbushur me mite, tregime dhe balada. Udhëtimi kalon nëpër rrënojat e lashta të qytetërimit ilir, e shumë kisha dhe manastire të largëta. Po kështu mund të shihen urat malore të ndërtuara gjatë periudhës së Ali Pashës që kanë një arkitekturë unike. Kulmi i shtegut është ngjitja në Shkëmbin e Dallëndyshes. Përgjatë shtegut vizitohen disa fshatra ruralë, takohen njerëz, preken nga afër traditat, shijohen ushqime tipike të zonës. Kuajt që përdoren për këtë shteg janë racë mikse lokale mes kuajve Arabë dhe atyre Tarpan.

Ky tur kushto 979 euro për person dhe përfshin 8 ditë, nga të cilat 6 janë ditë udhëtimi me kuaj. Grupet kanë maksimumi 10 persona. Koha kur mund të bëhet ky shteg është nga 4 marsi deri më 2 dhjetor. Shtegu i dytë është ai që njihet si “Rruga e Ushtrisë së Mbretit Skerdilajd”. Ky udhëtim ndjek rrugën që bëri Mbreti Skerdilajd për të pushtuar Kaoninë 2300 vite më parë. Ajo që mund të shijojnë turistët është natyra mbresëlënëse, trashëgimia kulturore, mikpritja e njerëzve.

Ky shteg ka të veçantë larmishmërinë e terreneve ku kalon, me ngjitje në mal, zbritje të forta, kalime lumenjsh, pyje dhe bregdet. Ky shteg prek disa nga zonat më të bukura bregdetare si Borsh, Piqeras, Lukovë. Kostoja e tij është 1055 euro për person dhe zgjat 8 ditë, nga të cilat 6 janë udhëtim me kuaj. Ky shteg zakonisht është i mundur nga prilli deri në shtator.

Çfarë përfshin çmimi që ka paketa që ofroni ju?

Përfshin gjithçka, pjesa e transportit në trasfertë, te hoteli, ushqimi. Pra është “all inclusive”.

Kryesisht nga janë ata që rezervojnë dhe vijnë për të kalëruar në këto shtigje?

Janë të gjithë të huaj. Ne kemi partnerët tanë që janë kompani që merren me kalorës profesionistë në Europë, Kanada dhe Amerikë. Vijnë shumë francezë dhe gjermanë, por jo vetëm këta. Sa u përket preferencave në grup apo si individë, do të thosha që janë të dyja.

A ka shqiptarë të interesuar për këto shtigje?

Shqiptarët aktualisht përbëjnë zero për qind. Kërkojnë të vijnë, por normalisht janë në fazat e para dhe kjo nuk është diçka që ti mund ta bësh pa u përgatitur, sepse bëhet e rrezikshme. Ne jemi në hapat e parë për të hapur një shkollë kalërimi, për të gjithë ata që e kanë pasion dhe duan që ta mësojnë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of