Në Shqipëri, tregu i sigurimeve i ngjan më shumë një “pazëlli” që duket se po vonon të marrë formën e duhur, me shumë mundësi për t’u rritur, por që ende nuk po i shfrytëzon dhe me sfidën për t’i bërë ballë një krize që më së shumti ka shënjestruar konsumatorin. Një krizë e cila ka vënë në pikëpyetje edhe qëndrimet që duhet të mbajnë autoritetet mbikëqyrëse financiare.
Një vit i vështirë ky për sigurimet, që nën ndikimin e krizës po njeh vetëm rënie, edhe pse gjatë 9-mujorit u dhanë disa sinjale gjallërimi (-0.18%). Ka disa elementë që do të ndihmonin në shtimin e “frymëmarrjes” për të. Zbatimi i politikave nxitëse, brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore do të ndikonte në futjen e produkteve të reja, të pronës, biznesit, bujqësisë, industrive të reja, të më shumë produkteve të jetës. Një zhvillim që do të çonte në rritje të vetë sektorit financiar në vend, në rritjen e mundësive të financimit të ekonomisë dhe në një këndvështrim tjetër, atë të krijimit të vendeve të reja të punës. Kjo është bindja e kryetares së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiar, Enkeleda Shehi, të cilën e shprehu gjatë zhvillimit në Tiranë, të konferencës ndërkombëtare “Ritheksimi i pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Sektorit Financiar”, ku morën pjesë krerë të lartë të shtetit, drejtues të organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, por edhe përfaqësues të autoriteteve rregullatore nga Estonia, Holanda, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Polonia, Serbia, Sllovenia, Turqia dhe SHBA.
Një nxitje tjetër mbetet krijimi i kuadrit të nevojshëm ligjor. Në tavolinat e punës së Ministrisë së Financave, tashmë ka mbërritur projektligji “Për sigurimet dhe risigurimet”, nga ana tjetër po punohet me amendimin e ligjit të “Sigurimit të detyrueshëm” për t’i dhënë zgjidhje problematikave të vërejtura deri tani. Jo pa qëllim, iu kërkua qeverisë për të përshpejtuar kalimin, në mënyrë që të merren në shqyrtim nga Kuvendi, ndërsa kreu i ekzekutivit dha garancinë e tij. Për Kryeministrin Sali Berisha ka ardhur koha që të rritet informimi i konsumatorëve, në mënyrë që ata të shkëputen nga “indiferenca ndaj rrezikut, si një trashëgimi jo e favorshme”. “Është e domosdoshme një punë intensive për edukimin e qytetarëve, mbi përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj sigurimit të veprimtarisë së tyre, të pasurisë së tyre, të shëndetit të tyre, të jetës së tyre, sigurimeve në tërësi”, tha Kryeministri.
Në bazë të disa statistikave, që i jep kryetarja e AMF-së, Shqipëria renditet ndër vendet që ka primet/për banorë në nivel të ulët në rreth 20 euro, ndërkohë që vendi pas nesh, Maqedonia, e ka këtë shifër në 50 euro. “Targeti edhe për ne është shumë i rëndësishëm. Të rrisim këtë tregues. Kjo do të thotë të nxitet konsumatori që të sigurohet drejt rreziqeve që paraqet jeta, në mënyrë që të bëhen të ndërgjegjshëm për këtë nevojë dhe në këtë logjikë edhe tregu vetë do të shtojë produktet dhe do të zgjerohet”, tha znj. Shehi.
Por, sipas saj, për t’i bërë ballë rritjes së tregut, AMF-ja ka nevojë të shtojë kontrollin mbi burimet e veta. Ky institucion po përgatitet të përballojë një punë shumë herë më të madhe dhe të vështirë në të ardhmen. Për këtë qëllim, kryetarja e AMF-së i kërkoi Kryeministrit që të mbështesë rritjen e pavarësisë në lidhje me strukturën organizative, nivelin e pagave dhe numrin e punonjësve. “Vendosja e rregullave të qarta dhe të qëndrueshme është kusht për zhvillimin e tregut. Për më tepër, pavarësia prej industrisë që mbikëqyr e rregullon, përbën një tjetër kontribut në zhvillimin e tregjeve dhe të ekonomisë. Rregullatori i pavarur vendos rregulla të qarta dhe të qëndrueshme për të gjithë lojtarët në treg, si dhe siguron zbatim të njëtrajtshëm në të gjithë sektorin. Në këtë mënyrë, industria vepron në një mjedis më transparent dhe më të qëndrueshëm”, tha kryetarja e AMF-së. Sipas saj, një tjetër element i rëndësishëm është rritja e mbrojtjes së konsumatorit, që kontribuon në shtimin e interesit të publikut për të “konsumuar” produkte financiare, që çojnë në rritjen e standardit të jetesës.
Kësaj kërkese, Kryeministri Berisha iu përgjigj me filozofinë e ndjekur deri tani, atë të qeverisjes së vogël, e cila ka kosto por, edhe anët pozitive. Ai garantoi se ligjet e hartuara do të kalojnë në kohën më të shkurtër në qeveri dhe më pas Parlamentit, por brenda konceptit të qeverisjes së vogël dhe me bujari.
Ndërkombëtarët, legjislacioni të ndjekë standardet e reja
E duke folur për filozofi, ajo që ndau gjatë konferencës ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, ishte mjaft interesante, sa kritikuese aq edhe orientuese. Në këndvështrimin e ambasadorit të BE-së në Tiranë, kriza ekonomike dhe financiare e ka bërë mbikëqyrjen financiare dhe fiskale të domosdoshme për konsolidimin e vendeve të BE-së dhe mbarë botës.
Prioritetet e BE-së në reformën financiare janë të qarta: të zhvillojë një përgjigje mbikëqyrëse më efikase, të forcojë mjetet për të siguruar stabilitetin financiar dhe të përmirësojë kapacitetet rregulluese të ekonomisë së BE-së nëpërmjet mirëfunksionimit të tregjeve.
“Raport-Progresi i vitit 2012 për Shqipërinë thekson faktin se legjislacioni në fushën e shërbimeve financiare është pjesërisht në linjë me standardet e BE-së. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme: për të forcuar pavarësinë e autoriteteve rregullatore; për të sjellë legjislacionin më afër standardeve europiane dhe për të rritur kapacitetet e administratës. Përpjekje të tjera janë të nevojshme për t’u bërë në përmirësimin e infrastrukturës së tregut financiar, letrave me vlerë dhe të shërbimeve të investimeve. Në sektorin bankar, BE ka ndihmuar në arritjen e progresit. Një fond prej 1 milion eurosh u akordua për binjakëzimin e Bankës Qendrore me “Banca d’Italia” dhe “Banque de France”.
Pavarësia e institucioneve mbikëqyrëse nuk është e sanksionuar si një detyrim i përcaktuar nga BE-ja (asquis). Sidoqoftë, në sektorin bankar arritja e standardeve ndërkombëtare, si ato të Baselit janë thelbësore. Kjo vlen edhe për standardet ndërkombëtare të mbikëqyrësve të sigurimeve në sektorin jobankar”, tha ambasadori Sequi.
Sipas tij, në përgjithësi, standardet ndërkombëtare luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e progresit të vendeve që janë në proces zgjerimi dhe që shkojnë drejt konsolidimit të demokracisë. Përtej standardeve ndërkombëtare, ka zhvillime të veçanta që duhet të merren parasysh nga BE-ja. Ajo po shikon mundësitë që nga kriza, të rritet më mirë dhe më e qëndrueshme. Çfarë nënkupton kjo? Për ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, kriza mbetet shqetësimi kryesor. “Në Shqipëri, efektet mund të përçohen përmes kanaleve financiare të transmetimit.
Sektori bankar në Shqipëri është zhvilluar fort vitet e fundit dhe duke u nisur nga një bazë e ulët. Ndikimi i krizës ndërkombëtare ka qenë i kufizuar, për shkak të ekspozimit të ulët të këtij sektori në tregun global. Megjithatë, Shqipëria është e ekspozuar ndaj Eurozonës, ku bankat që përfaqësohen kanë një përqindje të konsiderueshme asetesh. Europa ka marrë masa për të siguruar qeverisje të përgjegjshme financiare dhe mbikëqyrje më të mirë. U krijuan tri autoritete të reja, por që “duhet të tregohemi të qartë. Nuk ka pasur transferim të kontrollit nga institucionet financiare te këto nivele, sidoqoftë ato janë përgjegjëse për koordinimin, monitorimin dhe arbitrimin (nëse është i domosdoshëm) me autoritetet kombëtare. Detyra e tyre është që të adresojnë disa nga problemet kryesore që solli kriza dhe të kontribuojnë në harmonizimin e rregullave të duhura financiare. Në këto kushte, forcimi i pavarësisë së autoriteteve mbikëqyrëse bëhet i domosdoshëm”, tha z. Sequi.
Dikush, thotë ai, mund të mendojë se këto janë të gjitha përpjekje të mira, por fakti është se kjo pavarësi nuk është një ‘acquis’”. Në të vërtetë, pavarësia nuk ka nevojë të jetë e sanksionuar si e tillë në mënyrë që të zbatohet.
“Ka ligje të shkruara, por ka edhe norma të demokracisë.
Në demokraci ka rregulla dhe standarde që na mbrojnë kundër monopoleve. E njëjta logjikë vlen edhe për institucionet mbikëqyrëse. Nuk duhet të harrojmë se kriza financiare ka goditur qytetarin e thjeshtë, atë që është në vijën e parë. Kjo ka ngritur çështjen e qasjes së drejtë, mbi ndikimin e politikave dhe vendimmarrjeve në sektorin financiar. Janë autoritetet ato që sigurojnë mbrojtjen e interesit publik. Ato nuk kanë vetëm rolin për të mbikëqyrur dhe monitoruar, por edhe për të siguruar konkurrencën e drejtë”, tha z. Sequi.
Sipas tij, është koha që të mendohet për ndikimin që mund të sjellë mungesa e pavarësisë që këto institucione mund të kenë. Direktivat e BE-së synojnë që të garantohet operimi i duhur i sektorit financiar dhe të mbrohen konsumatorët, investitorët dhe policimbajtësit. Pyetja që lind është, a mundet që këto objektiva të përmbushen pa pasur pavarësi autoritetet mbikëqyrëse?
Sipas drejtorit të misionit të USAID-it në Shqipëri, Jim Barnhart, janë pikërisht këto institucione që kanë siguruar një ambient të shëndetshëm, të sigurt dhe mbështetës për biznesin. Ai përforcoi idenë se rregullatorët tani “duhet të kenë pavarësi më të madhe financiare për të shmangur konfliktin e interesave”. Ai gjithashtu mbështeti idenë që projektligji dhe propozimet e tjera legjislative të bëra nga AMF të aprovohen nga Parlamenti deri në fund vitit.
Ndërsa për ish-komisioneren e Departamentit të Bankave dhe Sigurimeve, në Nju Xhersi, SHBA, Holly Bakke, në mënyrë që të rritet pavarësia e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare duhet të arrihen dy gjëra: konsumatorët shqiptarë kërkojnë që dëmet e tyre të paguhen dhe për këtë, AMF-së i duhet numri i duhur dhe personeli i kualifikuar për ta realizuar këtë gjë. Nga ana tjetër, kërkohet që të shtohet numri i kompanive në tregun e sigurimeve, që investojnë dhe që tregu të bëhet konkurrues.
“Nëse këto kompani ndjejnë se autoriteti nuk është i pavarur, ato do të hezitojnë që të investojnë”, thotë znj. Bakke.
Po në cilat aspekte është vërejtur mungesa e pavarësisë së këtij institucioni? Sipas znj. Bakke është bërë një punë e mirë për vendosjen e rregullave dhe funksionimin, por ka edhe një lajm të keq “nëse kjo organizatë nuk do të mund të funksionojë si duhet, të ketë stafin e duhur apo të mbajë njerëz të kualifikuar, ajo nuk do të jetë në gjendje që të hartojë apo zbatojë rregullat. Kjo mund të ‘minojë’ të gjithë atë progres që ka bërë AMF-ja”.
Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi, thotë se tashmë diskutimi mbi pavarësinë institucionale është zhvendosur drejt aspekteve të tilla se sa pavarësi u duhet dhënë institucioneve dhe si të rritet efektiviteti i saj.
“Literatura që ekziston për pavarësinë e rregullatorëve financiarë konvergon në dy elemente të rëndësishme për përcaktimin e saj: Së pari, pavarësi prej ndërhyrjeve politike dhe, së dyti, pavarësi prej industrisë që mbikëqyr dhe rregullon. Në qarqet akademike dhe në fushën e vendimmarrjes politike, pavarësia e rregullatorëve ka qenë një tipar standard për rregullimin financiar, pasi ndikon në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar, por pavarësia nuk është një cilësi e dhënë dhe e qëndrueshme në kohë. Për të qenë të
pavarur, vetë autoritetet rregullatore duhet të këmbëngulin dhe të punojnë vazhdimisht, pasi vazhdimisht ka presione politike dhe nga grupet e interesit për ta cenuar atë”, thotë zonja Shehi. Sipas saj mbetet domosdoshmëri forcimi i pavarësisë së autoritetit rregullator, në të gjitha përmasat e saj, e veçanërisht në atë institucionale e financiare. “Nuk mund të presim të pësojmë kriza financiare për të ndërmarrë reformat e duhura. Nuk kemi pse të mos mësojmë me kohë prej gabimeve të të tjerëve”, tha ajo.
Ndërsa për Kryeministrin Berisha, ndërhyrje të tjera, përveç enteve, janë problematike dhe nuk ndihmojnë aspak, por kriza e fundit financiare botërore dëshmoi se sistemet rregullatorë ishin ato të cilat falimentuan. “Ç’ishte kjo krizë në rrafshin rregullator? Në rrafshin rregullator, kjo krizë ishte kolaps i sistemeve rregullatore, të cilat bazoheshin në dhjetëra faqe e ligje të miratuara në këto vende. Ndaj dhe leksioni i madh i kësaj krize është pavarësia më e madhe e këtyre institucioneve, është zbatimi rigoroz jashtë çdo ndërhyrje të ligjeve mbi të cilat ato bazojnë veprimtarinë. Në qoftë se ka një ndërhyrje të dëmshme, ajo është natyrisht e politikës. Nuk mundet politika të marrë funksione rregullatore, sa herë i merr përsipër, i ka përkeqësuar dhe më shumë. Fukujama thotë se në çdo shoqëri, elitat me aksesin e tyre epror në instanca ndikojnë fuqishëm në interesat e tyre. Ndaj dhe në këtë kontekst, entet rregullatorë duhet të bëjnë gjithçka për të rezistuar në interesin më të mirë të konkurrencës, të tregut, të konsumatorit, elitave të fushës ku ato rregullojnë”, tha Kryeministri.
Fjali veç
Enkeleda Shehi: Mbetet domosdoshmëri forcimi i pavarësisë
së autoritetit rregullator, në të gjitha përmasat e saj, e veçanërisht në atë institucionale e financiare. Nuk mund të presim të pësojmë kriza financiare për të ndërmarrë reformat e duhura. Nuk kemi pse të mos mësojmë me kohë prej gabimeve të të tjerëve.
Ettore Sequi: Raport-Progresi i vitit 2012 për Shqipërinë thekson faktin se legjislacioni në fushën e shërbimeve financiare është pjesërisht në linjë me standardet e BE-së. Përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme: për të forcuar pavarësinë e autoriteteve rregullatore; për të sjellë legjislacionin më afër standardeve europiane dhe për të rritur kapacitetet e administratës.
Sali Berisha: Të rritet informimi i konsumatorëve, në mënyrë që ata të shkëputen,
nga “indiferenca ndaj rrezikut, si një trashëgimi jo e favorshme. Është e domosdoshme një punë intensive për edukimin e qytetarëve, mbi përshtatjen e një qëndrimi të ri ndaj sigurimit të veprimtarisë së tyre, të pasurisë së tyre, të shëndetit të tyre, të jetës së tyre, sigurimeve në tërësi”.
BOX
Zgjimi i një sektori që “fle”
Shqipëria është në hapat e parë të zhvillimit të fondeve të pensioneve private vullnetare. Ka vetëm 3 shoqëri administruese fondesh pensioni, me asete nën administrim rreth 1.5 milionë euro. “Me politikën fiskale nxitëse të propozuar dhe ndoshta me thellimin e saj, edhe këtu shikohet një potencial të madh, në të ardhmen, në funksion të rritjes së standardit të jetesës, rritjes së kursimeve afatgjatë të popullatës, plotësimin e skemës së detyrueshme të pensioneve dhe me një ndikim zbutës afatgjatë për shtetin/qeverinë në drejtim të menaxhimit të skemës së pensioneve të detyrueshme”, thotë kryetarja e AMF-së.
Ndërsa për Kryeministrin Berisha ky është një sektor që po mbetet pothuajse i fjetur dhe kjo jo për shkak të Autoritetit. “Kjo për shkak tërësisht të ligjvënësit. Reforma e pensioneve është e përgatitur dhe ne jemi të hapur, ne kemi ligjin dhe të gjitha vendimet për shtyllën e tretë, funksionimin e saj, por ka një hezitim dhe ky hezitim kapërcehet nëpërmjet një seri stimujsh, praktikash të reja që duhet të instalohen. Për fat të keq, reforma e pensioneve ka dy- tre vite që ndodhet në sirtar, kjo sepse opozita refuzon, ndonëse ka pranuar tekstin që ta votojë, por kjo është një reformë që duhet të qëndrojë në fuqi shumë dekada dhe vendosja në mënyrë të njëanshme e saj, krijon pasiguri të panevojshme, ndaj dhe ne jemi të vendosur me durim të negociojmë, të bëjmë një dialog konstruktiv me opozitën, në mënyrë që kjo të miratohet në interesin më të mirë, së pari të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.