Ndërsa është bërë fakt taksimi progresiv, sipërmarrës e ekspertë vazhdojnë të jenë të bindur në dobinë e taksës së sheshtë për një vend ende në zhvillim si Shqipëria e mbi të gjitha në një periudhë krize. Informaliteti, rreziku më i madh i kësaj takse. Debati mbetet i hapur, pasi edhe drejtuesit e FMN-së pranojnë se mund të bëhen hapa mbrapa, nëse ajo nuk rezulton efektive
E kundërshtuan deri në momentin e fundit kur u miratua dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë edhe tani, të bindur se do të rëndojë mbi ta dhe arkën e shtetit nuk do të mund ta mbushë. Debati i taksës progresive nuk u shua me miratimin e saj në Kuvend. Madje, rezultatet e të ardhurave në dy muajt e parë të këtij viti konfirmojnë atë që vetë sipërmarrësit paralajmëruan. Të ardhurat u rritën krahasuar me planin e Ministrisë së Financave, por nuk paraqiteshin shumë më lart se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Më të matur janë ekspertët e ekonomisë, pjesa më e madhe e të cilëve mbështesin taksimin e sheshtë. Ata duan të presin edhe ndonjë muaj tjetër për të vlerësuar efektet e kësaj takse në buxhet e në xhepat e sipërmarrësve.
Pavarësisht rezultateve, edhe ekspertët e ekonomisë vazhdojnë të preferojnë taksat e ulëta për një ekonomi si kjo e jona, ku informaliteti mbetet i lartë dhe rrezikon të rritet edhe më tej me rritjen e barrës fiskale.
Në një Forum mbi Lirinë Ekonomike të mbajtur së fundi në Tiranë, u theksua se taksa progresive ka rënduar gjendjen e ekonomisë, ndërsa nuk po rezulton e suksesshme në rritjen e të ardhurave për qeverinë. Drejtoresha e Institutit të Vjenës për Lirinë Ekonomike, Barbara Kolm, theksoi se vendi bëri hapa mbrapa me largimin nga taksa e sheshtë, ndërsa ofroi pasiguri në treg. “Shoqëritë e lira janë ato që po ecin me ritme më të shpejta e taksa e sheshtë ofron liri ekonomike. Ajo cilësohet si një taksë miqësore ndaj individëve e bizneseve”, tha Kolm.
Ndërsa kanë pak shpresa në mundësinë e rishikimit kaq të shpejtë të taksës, pasi ka vetëm dy muaj që është vënë, ekonomistët nuk heqin dorë nga bindja e tyre se kjo taksë do të ndihmonte më tepër në zhvillimin e vendit. Për më tepër, kur periudha e krizës dhe ulja e normës së fitimit janë në nivelet e tyre më të këqija, një efekt shumë i mundshëm në treg është rritja e informalitetit.
Llogaritë jozyrtare flasin për një treg informal në masën 40% të ekonomisë së vendit dhe një barrë më e lartë fiskale rrezikon të shtojë numrin e kompanive që përdorin bilance të dyfishta, për t’iu shmangur pagesave.
Banka Botërore, në një studim të saj kohë më parë fliste për informalitet të lartë të këtyre niveleve, që duket se është përmirësuar lehtësisht këto vite.
Llogaritë e bëra për taksën progresive lidhen me shlyerjen e borxhit, e në të njëjtën kohë e majta përmbush politikën e saj për drejtësi sociale, se kush fiton më shumë, paguan më shumë. Kjo nënkupton që këtë lloj takse do ta kemi për sa kohë jemi në marrëdhënie huaje me FMN-në, por nëse ajo nuk rezulton e vlefshme, edhe ekspertët e Fondit mund të pranojnë hapin mbrapa. Vetë shefi i FMN-së për Shqipërinë, Naadem Ilahi, ka vlerësuar si të drejtë shqetësimin e barrës fiskale pasi, sipas tij, bizneset dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme janë motori i rritjes.
Në Forumin e Lirisë Ekonomike, ku pikëpyetja ngrihet nëse shteti po merr më shumë kompetenca në treg, drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në vendin tonë, bën një krahasim të thjeshtë për të treguar nivelin e ndërhyrjes së qeverisë.
Historia krahasuese e treguar nga miku i tij në Ohajo flet për dy njerëz që ecin në rrugë, ku njeri ka para dhe tjetri jo. Opsionet janë dy, sipas tij. I pari do të ishte shkëmbimi i një vlere të caktuar nga ai që ka tek ai që nuk ka dhe opsioni i dytë do të ishte që personi që nuk ka para, të përdorë forcën për të marrë diçka nga tjetri. Duket se në Shqipëri po ndodh varianti i dytë, thotë presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crowford.
Ekonomistët vlerësojnë se në historinë 22-vjeçare të tregut të lirë në Shqipëri, taksa e sheshtë ndihmoi në uljen e informalitetit e dha rezultate në buxhet. Sipas Selami Xhepës, taksa progresive ushtron një presion te bizneset e mëdha, të cilat në kushtet e vështirësive ekonomike, janë më të prirura për të kaluar në informalitet.
Krahas kundërshtive për këtë sistem taksimi, specialistët e fushës kanë ofruar edhe propozimet e tyre, se si qeveria mund të rrisë të ardhurat në buxhet. Në një linjë me ekspertët e Fondit Monetar janë disa profesorë të Fakultetit Ekonomik të Tiranës. Sipas prof. Olti Rrumbullakut, miradministrimi fiskal është një linjë që duhet ndjekur me shumë vëmendje nga qeveria për të përmirësuar gjendjen financiare të buxhetit të shtetit.
Mbështetja që po marrin te specialistët po bën që sipërmarrësit të mos i shuajnë shpresat për një taksë të sheshtë në të ardhmen. Ata janë të bindur se vetëm përmes kësaj forme mund të krijojnë pikërisht marrëdhëniet miqësore që administrata tatimore po tenton të krijojë së fundi me ta. E për më tepër, do t’u mundësojë të jenë konkurrues në treg. Sipas presidentit të Konfindustrisë Hajredin Fratari, “me taksën e lartë shumë biznese kanë operuar në kushtet e korrupsionit”. Me taksën progresive, jo vetëm ka një prirje për t’u bërë informalë, por po vihet në rrezik konkurrueshmëria e sipërmarrjeve tona. “Taksë progresive në Shqipëri do të thotë që investitorët të zgjedhin vendet fqinje, ku po aplikohet taksa e sheshtë”, thotë Fratari. Mali i Zi aktualisht po aplikon taksën fikse 9%, Maqedonia 10% (dhe pritet të ulet në 9%), ndërsa Kosova është në nivelin 10%. I bindur për uljen e konkurrueshmërisë ndaj rajonit është edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka. Duke vënë në dukje taksat e ulëta në rajon, ai shtron pyetjen se me çfarë duhet t’i tërheqim investitorët e huaj. Sipas tij, kushtet më të mira do të ishin për një sistem të njëjtë taksash, në mënyrë që tregu të funksionojë si një i vetëm. Në fakt ka shumë kompani të huaja europiane, që mund të “zbarkojnë” në një vend të Ballkanit, nëse arrijnë të shesin apo të prodhojnë për të gjithë rajonin.
Barbara Kolm
Shoqëritë e lira po ecin me ritme më të shpejta. Taksa e sheshtë, miqësore ndaj individëve e bizneseve
Hajredin Fratari:
Me taksën progresive do të bëhemi më shumë informalë
Nikolin Jaka:
Po ulet konkurrueshmëria e sipërmarrjeve ndaj rajonit
Cilën taksë?!
Përzgjedhja më e mirë për sistemin e taksave mbetet larg politikës e zgjedhjeve elektorale. Profesor Adrian Civici na shpjegon të mirat e të këqijat (relative) të këtyre dy taksave, ku u aplikuan e çfarë duhet të vlejë për Shqipërinë
Për taksën e sheshtë, prof. Adrian Civici na kujton se, propozuesit dhe vendet aplikuese të saj vlerësojnë qëllimin dhe efektet e saj: thjeshtimi i sistemit fiskal dhe kosto e ulët e procesit të mbledhjes/llogaritjes së pagesës së taksave si nga qeveria ashtu dhe nga bizneset; rritja e të ardhurave fiskale në buxhet, pasi thjeshtimi zvogëlon informalitetin dhe rrit numrin e taksapaguesve; dekurajohet evazioni fiskal dhe stimulohet krijimi i vlerës së re apo të ardhurave/fitimit; favorizohet “neutraliteti fiskal” në sensin që parashikimet dhe veprimet e agjentëve ekonomikë çlirohen nga frika dhe dyshimet për efekte të papritura apo të pallogaritura nga efekti i taksave. Por aplikimi i saj është hasur edhe me probleme. Nga të cilat, sipas prof. Civicit është fakti se, nuk ka prova bindëse se kjo lloj takse stimulon në mënyrë direkte rritjen e produktivitetit të bizneseve dhe shton punësimin. Nga ana tjetër, nëse nuk ka një dysheme minimale për fillimin e aplikimit të këtij sistemi ekziston rreziku që, në emër të totalit të taksave që duhen mbledhur, të ardhurat e ulëta të taksohen më shumë dhe më rëndë se të ardhurat e larta, etj. Periudhat kur është përdorur liberalizimi i taksave flasin shumë. Prof. Civici na kujton se SHBA e Britania e Madhe i përdorën në vitet 1970-‘80. “Zonja e hekurt” Margaret Thatcher dhe Presidenti Reagan ndërmorën një revolucion ultra liberal nën moton “qeveria nuk është zgjidhje, pasi ajo është vetë problemi”, që d.m.th. “problemet nuk i zgjidh shteti por tregu”. Sipas z. Civici, “tiparet kryesore të kësaj reforme radikale, synimi kryesor i së cilës ishte nxjerrja nga recesioni dhe kriza e viteve 1970 e dy prej ekonomive kryesore të botës, u fokusuan në zvogëlimin në minimum të “shtetit kujdestar (Etat-providence), reduktim masiv të taksave dhe thjeshtim të tij në një taksë të sheshtë e të ulët, privatizime masive, derregullimin e ekonomisë dhe çlirimin e forcave të tregut”.
Momenti i dytë i rëndësishëm, sipas tij, është “periudha e tranzicionit – nga shteti drejt tregut – që patën vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë këtu dhe Rusinë” në fillim të viteve 1990.
Për të kopjuar “idhujt e tyre liberalë si SHBA apo Anglia, për të zbatuar paketat e axhustimeve strukturore të FMN-së, për të stimuluar rritjen ekonomike, apo edhe për faktin se duhej të ndërtonin një sistem atraktiv fiskal, privilegjuan taksën e sheshtë. Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria e zbatuan në nivelin 10%, Gjeorgjia 12%, Ukraina dhe Rusia 13%, Serbia 14%, Polonia 15%, Hungaria dhe Rumania 16%, etj.
Ndërsa varianti progresiv i tatimit është vendosur tashmë nga qeveria, pikëpyetja se cili variant taksash (progresiv apo i sheshtë) është më i mirë mbetet e vazhdon të diskutohet mes ekspertësh. Pikëpyetjet luhaten mes raportit të rëndesës së taksave te qytetarët dhe nivelit të shërbimeve publike. Taksa progresive mbizotëron nëse i japim prioritet ndarjes së barabartë të sakrificave. Sipas prof. Civicit, ideja e progresivitetit lidhet me kapacitetin kontribuues (ability to pay), që pretendon një ndarje të barabartë të sakrificave që duhet të bëjë çdo kontribuues në proporcion me kapacitetet dhe të ardhurat e tij. Sipas tij, “sakrifica” që ju kërkohet atyre që fitojnë më shumë, nuk vlerësohet te masa e progresivitetit apo shuma e paguar “më shumë se të tjerët”, por mbi të gjitha tek “utiliteti që kjo shumë ka për modelin social dhe funksionet e shtetit/qeverisë”. Argumentet kryesore të mbrojtësve të kësaj forme taksimi janë: duke taksuar më shumë të pasurit, krijohen më shumë mundësi konsumi për të varfrit; duke taksuar të ardhurat e larta luftohet akumulimi i kapitalit dhe përdorimi i tij për fitime edhe më të mëdha, siç është p.sh., rasti i krizës së fundit financiare; duke grumbulluar më shumë të ardhura në buxhet, shteti ka më shumë mundësi të ofrojë në mënyrë të barabartë e në një shkallë të gjerë shërbime publike të rëndësishme si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, transporti, mbështetje sociale, etj.
Shumica e vendeve të botës, veçanërisht ato anëtare të OECD po orientohen drejt “sistemeve duale të taksave” që do të thotë, një “kombinim argumentesh e sistemesh që integrojnë qëllimin e progresivitetit të mëshiruar në taksën e sheshtë” duke eliminuar në maksimum përjashtimet fiskale.
Aktualisht janë të pakta vendet që aplikojnë “sisteme të pastra unike taksimi”. Tendenca e re bazohet në konceptin e “barazisë vertikale dhe horizontale” që do të thotë se kontribuuesit që kanë të njëjtin nivel të ardhurash taksohen në të njëjtën mënyrë, pra dy apo tre taksa të sheshta për dy apo tre kategori të ardhurash. Vendet skandinave aplikojnë taksë progresive për të ardhurat nga puna, por taksë të sheshtë për të ardhurat nga kapitali; vende të tjera kombinojnë taksimin e sheshtë e të ulët për punën dhe konsumin me taksimin progresiv për kapitalin dhe pronën; një grup tjetër vendesh vlerësojnë si variantin më të mirë, rritjen e vlerës së taksësh së sheshtë (në nivelet 20-25%) duke e kombinuar këtë me dy masa të tjera: ngritjen e dyshemesë për aplikimin e kësaj takse në mënyrë që të mos preken shtresat e varfra dhe bizneset e vogla familjare dhe uljen e TVSH-së. Një grup tjetër vendesh aplikon taksë të sheshtë, por të diferencuar në përqindje në raport me të ardhurat, kapitalin, fitimin, pronën dhe konsumin,etj.
Edhe në rastin e Shqipërisë, Civici mendon se duhet ta profesionalizojmë më shumë këtë diskutim, duhet zgjerojmë diskutimin për të shumë më përtej “sistem absolutisht më i miri” dhe “absolutisht më i keqi”, “dështoi se nuk krijoi punësim” apo “ndershmëria kërkon që kush fiton më shumë paguan më shumë”, duhet ta shpolitizojmë dhe çelektoralizojmë atë. Edhe për vendet më të zhvilluara të botës, vendimet për sistemin e taksave janë aktualisht nga më të vështirat dhe më të debatueshmet pasi aty ndeshen shkolla të ndryshme të mendimit ekonomik, përvoja të suksesshme e të pasuksesshme, interesa politike e ekonomike, filozofi e ideologji të kundërta, tradita e kultura të largëta me njëra-tjetrën, etj.
Sipas Civicit diskutimi që po vazhdon edhe pas miratimit të taksës progresive duhet profesionalizuar e të bëhet një vlerësim i “zhveshur” nga politika apo zgjedhjet elektorale. Zgjidhja më e mirë vlerësohet të bazohet në përvojën e suksesshme apo jo të aplikimit të tyre në ekonomi, interesa politike e ekonomike të vendit, e madje edhe kultura e tradita e vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.