Në Kinë, 1.4 miliardë të dyshuar nën mbikëqyrje

29/06/2018 10:03 PM 0 komente
Kina ka krijuar rrjetin më të madh të kamerave të vëzhgimit në botë. Vetëm vendi përbën 42% të tregut global të mbikëqyrjes së videos, sipas IHS Markit. - AFP / Ed Jones

Ndërsa Partia Komuniste kineze shtrin fuqinë e saj në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit, zhvillimet në Inteligjencën Artificiale dhe përdorimi i “Big Data” po ndihmojnë në shndërrimin e regjimit autoritar në një “Big Brother”

 

Për muaj të tërë, ai e ka pritur këtë moment. Me gruan dhe miqtë e tij, zoti Ao më në fund mund ta shohë idhullin e tij në skenë. Të shtunën e parë të prillit, stadiumi Nanchang mirëpriti legjendën Jacky Cheung. Rreth 60,000 njerëz u mblodhën për të marrë pjesë në shfaqjen e madhe të asaj që mediat e vendosin midis katër “perëndive” të “cantopop”, muzikës popullore kantoneze në juglindje të Kinës.

Por zoti Ao, 31 vjeç, do të dëgjojë vetëm notat e para të muzikës së idhullit të tij. Dy policë afrohen dhe e arrestojnë në mes të turmës. I dyshuar për “krim ekonomik”, Ao u njoh nga kamerat me teknologjinë e njohjes së fytyrës, gjatë kontrolleve të sigurisë në hyrje të stadiumit. “Ai u habit plotësisht”, i tha zyrtari i policisë Li Jin, agjencisë së lajmeve Xinhua. Ai nuk mund të imagjinonte që policia mund ta kapte aq shpejt në mesin e 60.000 njerëzve!”

 

Një sekondë për të skanuar gjithë popullsinë

Ndërkohë që Partia Komuniste Kineze e Xi Jinping shtrin influencën e saj në të gjitha aspektet e jetës politike, sociale dhe ekonomike të vendit, po zhvillon edhe mjetet teknike më të sofistikuara. Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, së cilës i jepet përparësi në Pekin, “kontribuon për ta shndërruar pushtetin kinez në një lloj ‘Big Brother-i’ orwellian të denjë të ‘1984’”, vëren sinologu Jean-Pierre Cabestan*.

I testuar në 16 qytete dhe provinca, falë sistemit Skynet të kamerave të vëzhgimit, i ngarkuar me njohjen e fytyrës, janë ndaluar tashmë 2,000 të arratisur në dy vjet, raportojnë mediat shtetërore. Pritet që ky sistem të mbulojë gjerësisht të gjitha vendet e mëdha publike në vend në vitin 2020 dhe të jetë në gjendje të skanojë të gjithë 1.37 miliardë kinezët në “një sekondë”, thonë me krenari zhvilluesit e saj. Dhe kjo gjë është e mundur nga “çfarëdo këndi dhe ndriçimi”!

 

– Gjatë Vitit të Ri Kinez, oficerët nga Zhengzhou Station ishin të pajisur me syze për njohjen e fytyrës. – DR

 

Syzet e zeza

Dimrin e kaluar, një gazetar i BBC-së sfidoi policinë në Guiyang City, në jugperëndim të Kinës, për ta gjetur atë nga një foto që ai iu kishte dhënë. Shtatë minuta ishin të mjaftueshme që kamerat e qytetit ta lokalizonin dhe të dërgohej policia në vendndodhjen e saktë.
Me rastin e Vitit të Ri Kinez, oficerët e policisë të Stacionit Zhengzhou (Kina Lindore) ishin të pajisur me syze për njohjen e fytyrës. Pas syzeve të tyre të zeza, të pajisura me aparat fotografik të vogël, ata mund t’i ballafaqonin menjëherë pasagjerët që kishin përpara tyre me bazën e të dhënave të stacionit të policisë.

“Ndjesia e sigurisë është dhurata më e mirë që një vend mund t’i ofrojë popullit të vet”, tha Xi Jinping në dokumentarin “Amazing China” (Kina e mahnitëshme). I transmetuar në televizion përpara Kongresit të 19 të Partisë, vjeshtën e shkuar, xhirimi kujton se Kina ka ngritur rrjetin më të madh të kamerave të vëzhgimit në botë. Vetëm ky shtet, përbën 42% të tregut global të mbikëqyrjes me video, sipas IHS Markit.

Nëse vëzhgimi masiv është në thelb një regjim komunist i fiksuar pas stabilitetit shoqëror dhe, nga aty, mirëmbajtjen e tij në pushtet, vëzhgimi merr një dimension tjetër në kohën e ndryshimeve dixhitale të Kinës. Jo vetëm që përdorimi i njohjes së fytyrës po zhvillohet në çdo mënyrë, por Big Data është një bekim për autoritetet. Në të gjithë vendin, po ndërtohen baza gjigante të dhënash nga grupe private, apo nga organe publike. Kaq shumë informacione të shpërndara mbi individët, që Pekini ëndërron, një ditë të jetë në gjendje t’i ndeshë.

 

 

“Sistemi i kredive sociale”

Një nga nismat më shqetësuese për mbrojtësit e lirive civile është padyshim “sistemi i kreditit social”. Që prej vitit 2014, ai shkon përtej vlerësimit të aftësisë kreditore të huamarrësve të praktikuar në Perëndim. Ky sistem përbëhet nga vlerësimi dhe klasifikimi i sjelljes së qytetarëve, funksionarëve dhe bizneseve sipas një sërë kriteresh. Më pas, dhënien e disa të drejtave tek ata që i meritojnë, ose heqjen e disa prej këtyre të drejtave.

Qëllimi i tij zyrtar është t’i përgjigjet mungesës së besimit – tepër aktual – që vuan shoqëria kineze duke inkurajuar çdo person, fizik ose juridik, që të respektojë më mirë rregullat. Shtrirja e saj prek pothuajse çdo fushë të jetës së përditshme. “Pekini paraqet sistemin e kreditit social si një ilaç për një mori problemesh me të cilat Kina përballet si, siguria e ushqimit, mashtrimet financiare, falsifikimi etj., me problemin themelor të korrupsionit që pengon marrjen e këtyre problemeve kokë më kokë”, thotë Séverine Arsène, sinologe dhe botues i Asia Global Online, në Hong Kong. Kritikët kanë frikë se ky mjet do të shmanget shpejt nga shteti policor.

Nëse një version i parë i pajisjes do të dalë në vitin 2020, është ende e vështirë të dihet sesi do të duket me saktësi. Kredia sociale është sot, objekt i eksperimenteve të ndryshme në rreth dyzet komuna, si dhe nisma private. Ndërmjet këtyre të fundit, shembulli më i suksesshëm është Sesame Credit, një aplikacion i zhvilluar nga Alibaba, kampioni i tregtisë elektronike dhe pagesat nga aparati celular.

 

“Pekini e paraqet sistemin e kreditit social si një ilaç për një mori problemesh me të cilat përballet Kina”

 

Algoritmi sekret

Falë të dhënave të grumbulluara nga përdoruesit e tij, ky i fundit është në gjendje të vlerësojë aftësinë e tyre paguese, sipas një rezultati nga 350 deri në 950 pikë. Duke filluar nga 600 pikë, ata mund të marrin një hua për të bërë blerje në faqet e Alibaba-s. Duke filluar nga 650 pikë, mund të marrin me qira një makinë apo dhomë hoteli pa lënë një depozitë dhe kanë të drejtë për një kontroll më të shpejtë në Aeroportin e Pekinit.

Problem, është se Alibaba mban sekret algoritmin e përdorur për të përcaktuar vlerësimin. Ne dimë vetëm që informacioni nuk është i kufizuar vetëm në të dhënat financiare, siç është aftësia për të paguar faturat në kohë. Zakonet e blerjes dhe marrëdhëniet e miqësisë gjithashtu ndikojnë në vlerësim.

“Dikush që luan video-lojëra për dhjetë orë në ditë do të konsiderohet si një person i papunë, ndërkohë që dikush që blen pelena shpesh do të konsiderohet më shumë mundësi si prind, i cili, në përgjithësi, ka më shumë gjasa për të pasur një ndjenjë përgjegjësie”, tha Li Yingyun, shefi i teknologjisë, në prezantimin e shërbimit në vitin 2015. N.q.s. Alibaba ka bërë hapa pas që nga ajo kohë, kredia sociale është një mënyrë për t’i nxitur njerëzit gradualisht që të ndryshojnë sjelljen e tyre.

 

 

Listat e zeza

Kur qeveria të përgjithësojë sistemin e saj të kreditit social, roli i gjigantëve të Web-it, si Alibaba dhe Tencent (pronari i aplikacionit me miliarda përdorues, WeChat), është ende i paqartë. Por askush nuk i njeh më mirë zakonet kineze se këta gjigantë privatë dhe mund të vendosë bast mbi dëshirën e Pekinit për t’u mbështetur në bazat e mëdha të të dhënave të tyre.

Tani për tani, ideja e një vlerësimi të vetëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset që do të qeverisin pjesën tjetër të jetës së tyre, duket teknikisht dhe politikisht e ndërlikuar për t’u vënë në zbatim. Eksperimentet publike lokale mbështeten kryesisht në vendosjen e sanksioneve dhe listave të zeza. Edhe pse nuk është ende e detyrueshme, sistemi i kreditit social ka pasoja të vërteta për jetën e përditshme të miliona njerëzve.
Më shumë se 11 milionë kinezë, të konsideruar “pak të besueshëm” pasi nuk kanë paguar borxhin e tyre, apo pasi i janë bindur një vendimi gjyqësor, të vendosur në listat e zeza, ata janë të ndaluar të udhëtojnë me avion, trena të shpejtë apo të blejnë një apartament, të frekuentojnë hotele luksoze apo klubet e golfit.

E mbikëqyrur nga Gjykata e Lartë, kjo ndjekje elektronike ndaj paguesve të këqij (“laolai”) është e mirëperceptuar nga publiku në një vend që ka vështirësi për ekzekutimin e vendimet të drejtësisë. Por “numri i shkeljeve të listës së zezë vazhdon të rritet”, tha Maya Wang, studiuese për Kinën, në Human Rights Watch. Që nga 1 maji, njerëzit që kanë shpërndarë informacion të rremë në lidhje me terrorizmin, kanë përdorur bileta të vjetruara dhe të përdorura, kanë tymosur në një tren ose s’kanë paguar sigurimet shoqërore, mund të ndalohen në bordin e një avioni ose treni.

 

Sanksionet arbitrare

Human Rights Watch denoncon edhe karakterin arbitrar të disa regjistrimeve në listat e zeza. Në përfundim të një udhëtimi pune në vitin 2016 në jug të vendit, avokati Li Xiaolin donte të përdorte kartën e identitetit për të blerë biletën e kthimit në Pekin. Për habinë e tij, faqja e internetit e refuzoi dhe e njoftoi se është në listën e zezë.

Dënuar për shpifje në vitin 2015, pasi bëri një mbrojtje në internet, ai duhej të kërkonte falje. Avokati kishte respektuar dënimin, por nuk ishte në dijeni se gjykata kishte refuzuar letrën e faljes si “të pasinqertë”. Pas shumë peripecive, “m’u desh të ridërgoja një letër të re falje për të dalë nga lista e zezë”, tha avokati. Gazetari investigativ, Liu Hu, do të haste të njëjtat pengesa.

 

Shpërblimi dhe dënimi

Kredia sociale është menduar si një sistem i madh shpërblim-dënimi që synon të drejtojë sjelljen e popullsisë në kohë reale, thotë instituti gjerman Mercator. Në Rongcheng, qyteti ka vënë në vend një sistem të pikave të mira dhe të këqija. Vullnetarizmi ose donacioni në një organizatë bamirëse rrit vlerësimin. Të vlerësuarit me AAA mund të marrin me qira biçikletat e qytetit pa një depozitë, përfitojnë një zbritje në faturën e tyre të ngrohjes, ose kanë kushte huamarrje më të mira.

Ideimi i sistemit bazohet edhe në parimin e “name and shame” (emër dhe turp), që synon denoncimin publikisht të njerëzve në faj. Listat e zeza gjenden në internet. Në Sanmen, gjykatat punojnë krah për krah me operatorët: njerëzit që telefonojnë paguesit e këqij përgjithësisht nuk iu përgjigjet një linjë e zakonshme pritjeje, por iu shfaqet një mesazh zanor që i informon ata se bashkëbiseduesi i tyre është në listën e zezë dhe u kërkon atyre t’i bindin të shlyejë borxhin.

“Synimi fillestar i kredisë shoqërore është devijuar dhe mund të bëhet një mjet për të shtypur disidentët”

Në Shenzhen dhe Shangai, identiteti i këmbësorëve që kalojnë rrugën në semafor shfaqet në një ekran gjigant deri në pagesën e gjobës së tyre. Në një mënyrë më të gjallë, aplikacioni Honest Shanghai ndjek rezultatin e secilit dhe e shpërndan atë në rrjetet sociale.
“Nëse regjimi komunist gjithmonë është përqendruar në mbledhjen e informacionit rreth popullsisë, teknologjitë e reja e bëjnë këtë gjë më të lehtë”, thotë historiani Zhan Lifan. Qëllimi fillestar i kredisë sociale ka qenë i devijuar dhe mund të bëhet një mjet për të goditur disidentët. “Me kamera survejimi dhe kredinë sociale, shteti ju njeh më mirë se ju veten!”, shton aktivisti Hu Jia. Mediat kineze nxjerrin në pah pikat pozitive të projektit në çështjet ekonomike, por qëllimi është të sjellë në radhët e qytetarëve mendime të ndryshme, duke u ndaluar atyre aksesin në shërbime të caktuara”.

Kritika të rralla

Ky lloj i ri kontrolli duket se ka shkuar në ekstremitet, në provincën myslimane të Xinjiang. Organizata joqeveritare Human Rights Watch akuzon autoritetet kineze se ka përdorur një algoritëm për të kryer disa arrestime parandaluese, në këtë rajon të trazuar në perëndim të vendit, si dhe për të regjistruar të dhënat biometrike të të gjithë popullsisë.

“Të fiksuar pas mbijetesës së saj, Partia Komuniste Kineze është në një hap përpara”

Në një Kinë komuniste, ku e drejta për privatësi dhe mbrojtja e të dhënave personale prej kohësh janë pothuajse të injoruara, pak kritikë flasin publikisht në lidhje me këtë projekt mbikëqyrës. Fakti që sistemi i kreditit social është ende në një fazë eksperimentimi, nuk është i panjohur. Shumë njerëz janë gjithashtu të ndjeshëm ndaj idesë se do t’i bëjë shërbimet publike (policia, drejtësia, shëndeti …) më pak të dobëta, siç theksojnë mediat.

“Njerëzit që nuk kanë asgjë për të fshehur nuk ka pse të frikësohen”, tha një drejtor i ri në Pekin, për të cilin çështjet e sigurisë justifikojnë ndërhyrjen e autoriteteve publike. Por prapa kësaj, “qëllimi përfundimtar është politik” vëren Maya Wang. “Të fiksuar pas mbijetesës së saj, Partia Komuniste kineze është në një fluturim përpara, paralajmëron Séverine Arsène. Duke i besuar verbërisht teknologjive të reja që supozohet se do të detyrojnë popullatën të vetëdisiplinohet, beson gabimisht se do ta përjashtojë partinë nga reformimi”.

Burimi: Lesechos

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of