Sistemi bankar në “hije”, në Kinë, vlen 27,000 miliardë yuan ose 4.400 miliardë dollarë. Ky është një nga rreziqet më të më mëdha që i kanosen vendit nën profilin financiar dhe një nga shqetësimet kryesore të qeverisë kineze. Vlerësimi është bërë nga Akademia kineze e Shkencave Sociale, “think-tank”-u më i madh i qeverisë.
Sektori “hije” bankar është i rrethuar nga kredi informale, që nuk kalojnë përmes kanaleve tradicionalë, sasia e të cilave është rritur ndjeshëm që nga viti 2008, ku volumi statistikisht nuk ishte domethënës. Aktualisht, shifra ka arritur në nivele tepër të larta duke përbërë rreth një të pestën e gjithë aseteve të mbajtura nga bankat zyrtare, vlerëson raporti që shoqëron vlerësimet e Akademisë.
Shifra e përllogaritur deri më sot mbetet inferiore në krahasim me vlerësimin që agjencia “Moody’s” jepte në vitin 2012, 4,800 miliardë dollarë, një vlerë e përafërt me atë të gjysmës së PBB-së kineze. Instituti i frikësohet më shumë peshës që ka filluar të zërë në sektorin real bankar dhe në zhvillimin e ekonomisë.
“Rreziqet që derivojnë nga sektori bankar ‘hije’ mund të përhapen lehtësisht në segmentin bankar dhe në ekonomi nëpërmjet tregjeve monetare dhe huave, duke krijuar rreziqe financiare sistematike”. Gjatë muajve të këtij viti, sistemi financiar kinez është goditur nga disa raste dështimesh, kryesisht të evituara, si ai i China Credit Trust, që u shpëtua pas 11 orësh përpjekje për falimenti, por edhe raste të tjera që ka qenë e pamundur ndërhyrja. Në këtë listë, në vend të parë, është rasti i grupit të Shangait, aktiv në sektorin e energjisë diellore “Chaori Solar”, që falimentoi marsin e vitit të shkuar, pasi deklaroi se nuk ishte më në gjendje të paguante transhin prej 89,8 milionë yuan (rreth 10,6 milionë euro) në bono në skadencë. Qeveria është treguar disi tolerante në rastet e falimentimit të këtyre grupeve, por ka vazhduar ritheksimin se sistemi financiar po vihet përballë rreziqeve të pashmangshme.
Problemet e sistemit financiar kinez janë trajtuar edhe nga Presidenti Xi Jinping, gjatë një fjalimi të mbajtur në Zhengzhou, kryeqendra e provincës qendrore të Henan, gjatë të cilit vlerësoi rëndësinë e stabilitetit ekonomik dhe nevojën për t’u përballur me rreziqet e sistemit nëpërmjet “kundërmasave të duhura”.