Flet Jimmy Lama, Shoqata e Tur-operatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA)
Fluksi që përballojnë dy vendet fqinjë Maqedoni- Mali i Zi është shumë larg atij të Shqipërisë. Kjo lidhet direkt me kapacitetet akomoduese. Ky fakt është një problem i madh, i cili nuk mund t’i ofrojë jetëgjatësi sektorit në vitet në vazhdim…
Këtë vit, ka pasur një rritje të dukshme të fluksit të turistëve të huaj në Shqipëri. Sa e përgatitur ka qenë Shqipëria në këndvështrimin e kapaciteteve akomoduese dhe cilësisë së shërbimit?
Shqipëria, siç dihet, vit pas viti ka një rritje të konsiderueshme në turizëm. Kjo rritje arrin nga 12 deri në 18% në vit. Ky fluks vjen nga publiciteti që i është bërë Shqipërisë, por edhe sepse vendi ynë vijon të jetë ende i pazbuluar. Turistët që vijnë janë të pasionuar ndaj natyrës dhe eksplorimit të vendeve të reja.
Turizmi e ka marrë tashmë rrugën e pashmangshme të rritjes, të paktën edhe për 20 vitet e ardhshme. Por pyetjes suaj, se sa të përgatitur jemi për këtë fluks, mund të them se fatkeqësisht problemet vijojnë të jenë të mëdha, duke nisur që nga kapacitetet akomoduese, transporti publik, guidat, pastërtia etj. Këto anë negative që kemi, mundohemi t’i mbulojmë me aspektin njerëzor, nëpërmjet stafeve të kualifikuara që u vëmë në dispozicion turistëve. Ka njerëz të pasionuar ndaj turizmit, që duan të bëjnë diçka ndryshe dhe ne si tur-operatorë, mundohemi të kemi rreth vetes njerëz të tillë. Raporti mes asaj çfarë dëgjojnë dhe çfarë gjejnë në vendin tonë, mendoj se turistët kur largohen nga vendi ynë ikin përgjithësisht me mendime pozitive.
Si e vlerësoni ju angazhimin e qeverisë për të krijuar infrastrukturën e duhur për turistët (pastrimin e plehrave dhe plazheve, furnizimin me energji, rrugët – p.sh., rasti i bllokimit të autobusëve tek Ura e Dajlanit në Durrës)
Qeveria është përpjekur të bëjë të pamundurën për të krijuar mjedisin e duhur. P.sh. isha në Pogradec dhe ishte ushtria ajo që kishte nisur aksionin për pastrimin e plazheve. Kjo është pozitive, pasi është sensibilizim. Por, në fakt, nuk është zgjidhja, pasi pastrimi nuk mund të bëhet me aksion. Ne kemi 10 vjet që kërkojmë më shumë pastërti në plazhe. Çdo vit kërkojmë të njëjtën gjë. Është si puna e shtëpisë, është e pamundur ta mbash pastër, nëse e pastron vetëm një herë në vit. Edhe çështja e energjisë nuk mund të thuhet se është plotësisht e zgjidhur, pasi ka ende zona ku energjia shkëputet. Ndaj kemi ende punë për të bërë në këtë drejtim. Pavarësisht përpjekjeve, sërish situata në terren ka probleme.
Problemet që ka Shqipëria (kapacitetet akomoduese dhe infrastruktura e varfër) a rrezikojnë të na kthehen në një bumerang vitin e ardhshëm?
Në këtë pikë, po të krahasohemi me rajonin, sërish nuk jemi asgjëkundi. Fluksi që përballojnë dy vendet fqinjë Maqedoni- Mali i Zi është shumë larg atij të Shqipërisë. Kjo lidhet direkt me kapacitetet akomoduese. Nëse mund t’ju marr një shembull, unë po të kem 2 apo 3 grupe me – 10 persona, parapëlqej t’i refuzoj, se sa t’i marr përsipër t’i akomodoj dhe më pas të zhgënjehem. Është e pamundur t’i sistemoj në hotele, pasi nuk ka njësi akomoduese që ofrojnë shumë dhoma. Ky fakt është një problem i madh, i cili nuk mund t’i ofrojë jetëgjatësi sektorit në vitet në vazhdim.
A keni bërë ju vëzhgime se cili është perceptimi i turistëve të huaj për Shqipërinë dhe për raportin çmim-cilësi dhe cili është profili i turistëve që po vijnë në Shqipëri?
Mundësitë për t’u informuar janë të shumta, nëpërmjet internetit, agjencive, review-ve etj. Ndaj kushdo që vjen këtu e ka një informacion të përgjithshëm rreth natyrës së vendit. Ata vijnë në Shqipëri për të shijuar kryesisht natyrën dhe nuk fokusohen te shërbimi. Në të shumtën e rasteve dominojmë turistët që duan të eksplorojnë natyrën më shumë sesa ata që qëndrojnë në plazhe për ditë të tëra.
Janë tipa të aventurës jo të hotelit, ndaj dhe kur nisen nuk marrin shumë në konsideratë shërbimin. Profili i turistëve është i ndarë me kategori, p.sh., lindorët vijnë kryesisht për plazh dhe akomodohen direkt në hotele. Kemi dhe kategorinë e të rinjve, që vijnë të pashoqëruar dhe duan të eksplorojnë, janë tipa të aventurës. Kemi dhe kategorinë e atyre që organizohen, nëpërmjet tureve nga kompanitë turistike. Kjo kategori është mosha kryesisht 60 vjeç, të cilët duan gjëra të garantuara.
Këtë vit ka pasur një numër të shtuar të turistëve polakë e çekë. A keni informacion nga agjencitë përkatëse se si e vlerësojnë ato turizmin në Shqipëri dhe nëse ka sinjale paraprake për rezervimet e vitit të ardhshëm?
Të gjithë tur-operatorët që kanë sjellë charter nga Polonia dhe Çekia janë të njohur me vendin tonë. Ata kanë bërë vëzhgimet e tyre në vijën bregdetare me hotelet që ofrohen ndaj dhe ata e dinë se çfarë presin. Por ajo që mund të themi është se në dy vitet e fundit ka pasur një kërkesë në rritje që tur-operatorët të lidhen direkt me hotelet në vendin tonë duke i marrë ato me qira, si në rastin e Durrësit. Ky është viti i dytë që ka pasur kontrata direkte nga polakët apo çekët për të menaxhuar hotelet gjatë sezonit, kryesisht për 3 deri në 5 muaj. Nisur nga ky fakt ka pasur më shumë fokusim në bashkëpunimin me tregun lindor, pasi gradualisht, tregu i Kosovës po zbehet në Durrës.
Unë mendoj se po merren hapa seriozë në këtë drejtim. Deri tani janë dhënë leje ndërtimi për fshatra turistikë, por ato shfrytëzohen maksimumi për tre muaj. Tashmë qeveria e ka ndryshuar fokusin e saj. Strategjia, sikundër ka thënë qeveria, do të jetë te zhvillimi dhe ndërtimi i hoteleve, apo resorteve me 5 yje.
Mendoj se ka shumë kërkesë në këtë drejtim, për të ndërtuar hotele me kapacitete të tilla. Në Shqipëri nuk ka ose ka pak hotele të këtij standardi. Mund të themi se janë afro 10 hotele në vend që ofrojnë deri në 100 dhoma, një shifër kjo e papërfillshme për fluksin e turistëve që po njeh rritje çdo vit. Qeveria duhet të bëjë të pamundurën të shtojë kapacitetet, pasi nuk mund të zhvillohet sektori me dhoma apo apartamente familjare. Them se deri tani ka mbajtur “pilafi”.
Në vijim nuk mban më. Vitet në vazhdim do të jenë edhe me më shumë ngarkesë. Unë kam 5-6 grupe aktualisht që dua t’i sistemoj në Berat dhe e kam të pamundur, pasi s’ka hotele. Ato janë vetëm me nga 10 – 12 dhoma. Nuk mund të bëjmë turizëm me këtë sistem. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një qytet pjesë e UNOSKO-s. Kjo është e paimagjinueshme. Nevojitet një strategji kombëtare për këtë problem, sidomos për këto qytete që mbartin një rëndësi të veçantë.
Cilat janë avantazhet kryesore të turizmit shqiptar dhe si mund t’i zhvillojmë ato në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Avantazhi kryesor është natyra, pastaj ushqimi, ndërsa njerëzit janë të dashur. Edhe pse nuk e duam shumë njëri-tjetrin, të paktën jemi të dashur me të huajt. Këtë mendim kanë të huajt për ne. Mikpritja vlerësohet shumë. Në fakt, kemi shumë për të treguar, por kaq edhe për të përmirësuar.
——————–
ATOA: Gabim strategjik ndalimi autobusëve nga Kosova
Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike (ATOA) ka reaguar ashpër lidhur me një vendim të Bashkisë së Durrësit mbi diferencimin e autobusëve nga Kosova në plazhin e Durrësit, kryesisht tek rruga Pavarësia. Në opinionin e Shoqatës, ky është një nga reagimet e para, që për fat të keq do të shtohen, mbi lejimin e ndërtimit të një turizmi masiv të pa planifkuar. Kur vendoset të ndërtohet në një zonë turistike, në fillim përcaktohen kapacitetet maksimale akomoduese të asaj zone, llogariten numrat maksimal që ajo zonë do të mbajë, pastaj ndërtohen arteriet kryesore të qarkullimit të mjeteve dhe çdo infrastrukture tjetër turistike shoqëruese. Ky quhet planifikim në turizëm. Ndërkohë që kur punët i lejon të bëhen mbrapsht, pra në fillim të bëhen pallate e hotele, pastaj në dimër kur të duken pak njerëz, mendon të kthesh një rrugë në shëtitore duke harruar se do vijë kulmi i verës, ndodh pikërisht kjo çudi, që tregut që përbën 90% të pushuesve u thua të kalojnë nëpër rrugica poshtë e lart, sepse bulevardin e kemi ruajtur për 10% të kombësive të huaja…
Tregu i Kosovës përben akoma gjysmën e pushuesve në Shqipëri, me mbi 2 milionë pushues. Madje duke i shtuar edhe shqiptarët e Maqedonisë, të Greqisë dhe Italisë janë gati mbi 3 milionë nga 4.5 milionë vizitorë që hyjnë në Shqipëri. Nëse për tregun e Europës Qendrore dhe Lindore po flitet shumë kohët e fundit, duhet të dimë që ai treg është vetëm 60-70 mijë në total pra vetëm 1.5-2% e totalit të pushuesve! Pra që këtu e kuptojmë se sa i varur është akoma turizmi dhe ekonomia jonë nga tregu shqipfolës, kryesisht i Kosovës. Prandaj vendime të tilla si kjo e Bashkisë së Durrësit ku pa asnjë takt bëhen diferencime duke emërtuar tregun e Kosovës, duhet të mendohen 10 herë, madje duhet të gjykohen shumë mirë më parë me qeverinë qendrore, përpara se të dilet në media me deklarata strategjikisht shumë të gabuara, që e dëmtojnë shumë raportin tonë me tregun e Kosovës.
Nëse “golemizinin” e turizmit tashmë nuk po mendojmë si ta zgjidhim, të paktën kur të bëhen plane bulevardesh e palmash, duhet të bëhen duke pasur parasysh se si do akomodohet sa më mirë qarkullimi i 2 milionë shtetasve nga Kosova në korrik dhe gusht, duke e zgjeruar edhe më shumë rrugën kryesore dhe duke menduar vend qëndrimi për autobusët, dhe jo duke e kthyer në pedonale arterien kryesore.
Dhe mbasi të planifikohet sa më mirë ky qarkullim, të merren përgjegjësitë ligjore që u takojnë bashkive për menaxhimin e plazheve, dhe jo të kalohet lumi duke thënë që u kemi kërkuar operatorëve turistikë të pajisen me roje detare, ndërkohe që sezoni është në gjysmën e vet dhe akoma nuk ka një rojë në gjithë bregdetin tonë, përfundon deklarata e ATOA.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.