Një plan për Alpet synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të këtij rajoni për 15 vitet në vazhdim. Qëllimi kryesor është që Alpet shqiptare të hyjnë në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit duke pasur një qasje më të ekuilibruar sa i takon zhvillimit dhe shfrytëzimit të asaj çfarë natyra i ka dhuruar këtij rajoni
Me bukurinë e tyre, ndërthurjen në harmoni mes maleve, luginave, liqeneve, lumenjve, ujëvarave e burimeve të tjera natyrore, Alpet shqiptare lënë pa frymë këto që i sheh për herë të parë. Shumë turistë të huaj nuk ngurrojnë t’i etiketojnë ato ndër më të bukurat në botë.
Zona e Veriut të Shqipëri po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vitet e fundit, por kjo rrezikon që të nxisë një zhvillim të shfrenuar dhe të pastudiuar, ashtu siç ndodhi me bregdetin vite më parë, duke shkatërruar këtë pasuri natyrore.
Për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe një turizëm që i përgjigjet “lartësisë” së vetë Alpeve, një Masterplan dhe Studim Fizibilitetit për projekte infrastrukturore në zonën e Alpeve është iniciuar nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Mbështetja financiare për këtë projekt ka ardhur nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Ky projekt do të pasohet nga një program investimesh kapitale që do të kryhen me bashkëfinancimin e Qeverisë Shqiptare dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës.
Përmes këtij masterplani do të kryhet një studim i thelluar i mundësive për nxitjen e mëtejshme të turizmit në zonën e Alpeve, planifikimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe investime në përmirësimin e infrastrukturës publike në koordinim me biznesin e komunitetet vendore. Në një intervistë për Monitor, z.Benet Beci, drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit jep më shumë detaje. Ai pohon se masterplani synon zhvillimin e potencialit turistik të të gjithë rajonit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të qëndrueshme e në harmoni me natyrën me qëllim që të gjenerohet rritje ekonomike afatgjatë për banorët e zonës dhe pse jo edhe për ekonominë kombëtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.