Shifra më e fundit zyrtare e inflacionit, që regjistronte një nivel gati historik të tij, 0.6%, ka ngritur shqetësimet te mjaft ekspertë të ekonomisë, por edhe sipërmarrës vendas.
Më shumë se rritjes së inflacionit, që megjithëse tregon rritjen e çmimeve, është edhe një tregues se kërkesa është në nivele të larta, ekonomistët i tremben shumë më tepër deflacionit, uljes së çmimeve.
Në kushtet e deflacionit, ekonomia është thuajse apatike, sepse konsumatorët nuk blejnë dhe si rrjedhojë, bizneset nuk janë në gjendje të shesin produktet e tyre.
Duke mos shitur, aktiviteti i tyre bie, të ardhurat gjithashtu, çka shoqërohet me ulje pagash, punësimi, etj.
Për ish-anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ardian Civici, rënia e inflacionit është rrjedhojë e rënies së kërkesës së brendshme dhe të eksporteve gjithashtu.
Fakt është se gjatë 3-4 muajve të fundit, inflacioni ka shënuar vazhdimisht rënie
Nga të dhënat zyrtare konfirmohet se me gjithë shifrën 0.6%, çmimet e artikujve nuk kanë shënuar rënie, vetëm të disa ushqimeve dhe të veshjeve e këpucë. Si rrjedhojë, shumë ekspertë gjykojnë se ulja e normës së inflacionit erdhi për shkak të rënies së konsumit
dhe jo sepse realisht çmimet kanë rënë. Ndërkohë edhe nga ana e ofertës, ngadalësimi i inflacionit të çmimeve të mallrave kryesorë në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria relative e kursit të këmbimit, është konkretizuar në rënie të inflacionit të importuar.
Rënia e konsumit konfirmohet edhe nga shifrat e tregtisë me pakicë, e cila është reduktuar 5.6% krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar ecurisë së dobët të shifrave të konsumit për vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në raportet e saj se,
“treguesit e disponueshëm sugjerojnë se ecuria e konsumit për tremujorët në vazhdim do të jetë e ngadaltë, e kushtëzuar nga burimet e financimit dhe nga pasiguria për situatën financiare dhe për zhvillimet e ardhshme ekonomike.
Sa rrezikohemi
Por për t’u frikësuar duket se është ende shpejt. Z. Civici vë në dukje se duhet parë ende ecuria e muajve në vazhdim për të gjykuar nëse shifrat e muajit shkurt janë sinjal për një deflacion të ekonomisë.
Të njëjtin mendim ndan edhe ish-drejtoresha e INSTAT-it, Milva Ekonomi. Inflacioni vjetor duhet të ruajë nivele 2-3%, nëse ari është në nivel 1-2%, atëherë duhet vërtet të shqetësohemi.
Fakt është që muajt e parë të vitit janar-mars shoqërohen gjithnjë me një kërkesë dhe shitje të pakta, por megjithatë gjatë muajit shkurt 2011 inflacioni ishte mbi kufirin e BSH-së, 4.5%.
Vetë Banka e Shqipërisë ka përcaktuar se në kushtet e zhvillimit normal, ekonomia e vendit tonë duhet të gjenerojë një rritje të çmimeve mesatarisht 3% në vit.
Inflacioni në nivelin 3% i përshtatet nevojave të zhvillimit të ekonomisë shqiptare si një ekonomi në tranzicion.
Ajo lehtëson lëvizjen e çmimeve relative, duke kontribuar pozitivisht në rolin informues që përmban ky mekanizëm në shpërndarjen e fondeve në ekonomi.
Ndërkohë që shumica e vendeve të zhvilluara e përkufizojnë stabilitetin e çmimeve si një nivel inflacioni rreth 2%,
objektivi i ekonomisë shqiptare për një inflacion prej 3% reflekton nevojën për një lëvizje më të madhe të çmimeve relative, sqaron më tej Banka e Shqipërisë.
Objektivi i inflacionit për periudhën 2012-2014 do të vazhdojë të jetë në formën e një vlere pikësore prej 3.0%, me një interval luhatjeje ± 1 pikë përqindjeje.
Nga ana tjetër, duke iu referuar ecurisë së dobët të shifrave të konsumit për vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar në raportet e saj se,
“treguesit e disponueshëm, sugjerojnë se ecuria e konsumit për tremujorët në vazhdim do të jetë e ngadaltë, e kushtëzuar nga burimet e financimit dhe nga pasiguria për situatën financiare dhe për zhvillimet e ardhshme ekonomike.
Si mund të ndërhyhet
Në rast të deflacionit, ndërhyrja e parë i përket pikërisht Bankës së Shqipërisë, e cila duhet të ndërhyjë për të ulur koston e lekut. Banka e Shqipërisë e ka ndërmarrë tashmë këtë nismë dhe pritet të vijojë edhe më tej.
Për mjaft sipërmarrës, do të ishte një metodë shumë efikase, nëse edhe BSH do të ndiqte shembullin e Europës apo më mirë Japonisë e SHBA-së, duke çuar drejt 0 normën bazë të interesit.
Ndërkohë, edhe qeveria mund të ndërhyjë duke shtuar investimet e shpenzimet publike, por në kushtet kur qeveria shqiptare e ka arritur tavanin e përcaktuar me ligj të borxhit (60% e PBB-së), kjo duket e vështirë.
Rreziqet e deflacionit janë të shumta, prandaj për ekspertët, ndërhyrja duhet të jetë e shpejtë nëse do të kemi risk konkret. Një nivel inflacioni afër 0 mund t’i korrespondojë një situate deflacioniste.
Nisur nga praktikat e mëparshme botërore, deflacioni mund të shkaktojë një rreth vicioz. Tregtarët duhet të shesin prodhimet e tyre që të paktën të mbulojnë kostot fikse,
kjo do të thotë se çmimi nuk është më i mjaftueshëm për të paguar shpenzimet, kështu që çmimet të bien. Me çmimet në rënie, kërkesa zvogëlohet shumë,
pasi konsumatorët presin që çmimet të bien edhe më shumë. Në inflacion ndodh e kundërta, sepse konsumatorët preferojnë të blejnë mallrat nga frika se ka rritje të mëtejshme.
Deflacioni bëhet shkak i mungesës së lëvizjes së parave në ekonomi. Deflacioni i zgjatur mund të ketë efekte shumë të dëmshme për ekonominë e vendit. Rënia e çmimeve përkeqëson bilancet e kompanive, ul vendet e punës, investimet etj.
INTERVISTA/ Flet Milva Ekonomi, ish-drejtoresha e INSTAT-it
Shkak, rënia e konsumit
Si e gjykoni rënien e inflacionit në muajin shkurt në 0.6%, më shumë i atribuohet rënies së kërkesës apo uljes së çmimeve
(megjithëse vetë INSTAT konfirmon se vetëm dy grupe artikujsh kanë shënuar rënie në çmime)?
Po t’i referohemi çfarë publikohet në website të INSTAT-it, indeksi i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënon rritje krahasuar me muajin e mëparshëm.
Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 13% vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.
Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të domateve me 36%, kastravecëve me 21.7%, specave me 21.2%, preshit 6.7%, qepëve të thata me 4.4%, etj.
Çmimet në nëngrupin “fruta” shënuan rritje prej 4.5%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të mandarinave me 22.1%, limonëve me 11.2%, mollëve me 5.6%, etj.
Në muajin shkurt, çmimi i naftës shënoi rritje prej 1.7% dhe çmimi i benzinës rritje prej 1.9%.
Indeksi i grupit “mallra dhe shërbime të ndryshme” shënoi rritje prej 6.1%, që ka ardhur si rezultat i dyfishimit të tarifave të sigurimit të automjeteve.
Pra nëse inflacioni po shkon në ulje dhe ky duket sikur është lajm i mirë, nga ana tjetër vëmë re se çmimet e produkteve të konsumit me frekuencë më të madhe dhe ato të lëndëve djegëse, shënojnë një rritje,
e cila shkon në kundërshtim me nivelin e rritjes së inflacionit total për këtë periudhë. Kështu që shporta e shpenzimeve primare tregon një rritje 2.2% krahasuar me 0.6% që është inflacioni total.
Mendoj që më shumë i atribuohet rënies së kërkesës.
Sa problematik është inflacioni në këto nivele?
Kjo situatë tregon se në vend mungon konkurrenca dhe nuk ka shkallë të lartë të liberalizimit të ekonomisë. Po të shohim me kujdes inflacionin, çmimet më të larta vijnë nga grupi i zarzavateve,
ku hallkat e shpërndarjes së produkteve lokale te konsumatori janë ende shumë të brishta. Pra në një situatë që inflacioni nuk është i lartë, por janë të larta çmimet e produkteve të konsumit primar,
duhen bërë kujdes me rregullat e konkurrencës, liberalizimin e tregut dhe shpërndarjes së produkteve.
A përbën rrezik për deflacion apo duhet të presim për të parë edhe ecurinë e muajve në vazhdim?
Në përgjithësi, ekonomistët mendojnë që ulja e inflacionit është mirë të shmanget. Gjithashtu në Shqipëri është rënë dakord në këto vite që Banka Qendrore cakton në target inflacionin dhe gjatë vitit ushtrimor,
e ndjek atë nëpërmjet ecurisë së IÇK. Është fillimi i vitit dhe të gjithë faktorët me ndikim në prodhim dhe shërbime nuk kanë qenë në momentin e tyre më të mirë. Ndaj mendoj që duhet të presim ecurinë e muajve në vazhdim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.