Selami Xhepa: Është ulur prodhimi kombëtar në tre muajt e parë; Arjan Kadare: Edhe rritja 2% në pikëpyetje…
Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, zhvillimet ekonomike të këtij fillimviti kërkojnë vëmendjen serioze të qeverisë. Përkeqësimi i disa treguesve, institucionalisht pranohet se ka vënë në rrezik rritjen e pritshme të ekonomisë. Ekspertët thonë se duhen masa emergjente për t’i dhënë dinamikë ekonomisë. Strategjia e kredive me probleme, po, por vlen për periudhë afatgjatë
Në daljen e fundit publike, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë foli për rritje të ekonomisë në nivele më të larta se vjet, por për herë të parë prej më shumë se një viti kur ishte projektuar, nuk u përmend rritja 3% e ekonomisë. Dhe në fakt, vetëm pak ditë më vonë, në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë, ekspertët e bankës theksuan se mundësia e rritjes ekonomike këtë vit është më e ulët se 3%, nivel që do të jetë në potencialet e ekonomisë në dy-tre vitet e ardhshme. Pra, jo vetëm që këtë vit nuk do të rritemi 3% ekonomikisht, por edhe në vitet e tjera të parashikuara me rritje që pritej t’i kalonte 4%, zhvillimi i ekonomisë do të jetë anemik. Shifrat pesimiste “lindën” pas mbylljes së tremujorit të parë të këtij viti, ku të gjithë treguesit, të parë veçmas apo së bashku, të çonin vetëm në një përfundim: rënie. Janë të ardhurat në buxhet ndaj planit, ulja e investimeve publike e private, ulja e eksporteve, inflacioni sërish nën objektivin e Bankës së Shqipërisë e kredia në stanjacion. Një tregues më përmbledhës që ishte në ulje, është masa monetare gjithsej (M3). Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, masa monetare gjithsej ra me 4.4 miliardë lekë, në raport me fundin e vitit 2014, duke zbritur në 1.19 trilionë lekë. Ekonomistët e shohin këtë tregues si pasojë e disa zhvillimeve negative që kanë ndodhur këta tre muaj, por më e keqja, masa monetare në qarkullim, është lajmëtar i një të ardhmeje jo të mirë ekonomike. Madje, ekonomistët e shohin si shenjën e parë të recesionit.
Është ulur prodhimi kombëtar në tre muajt e parë
Flet: Selami Xhepa, ekonomist
Statistikat e tremujorit të parë, statistikat e eksportit, tregtisë së jashtme, fiskale e statistikat monetare po konfirmojnë gjithnjë e më shumë tezën se tremujori i parë i këtij viti ka treguar dobësitë e shfaqura dhe këtë e konfirmon njëkohësisht edhe statistika monetare që ka të bëjë me kontraktimin e sasisë së parasë në qarkullim. Pra, masa monetare në përgjithësi reflekton ose nivelin e çmimeve, ose sasinë fizike të mallrave të prodhuara. Në kushtet kur nuk kemi ndonjë ndryshim në inflacion, kjo do të thotë se vëllimi i aktivitetit fizik të prodhimit do të jetë kontraktuar. Më saktë, prodhimi kombëtar për tremujorin e parë të këtij viti, sipas të gjitha pritshmërive, duhet të jetë kontraktuar. Megjithatë, kjo është një statistikë e përkohshme. Dhe në momente të mëparshme ka pasur kontraktime të parasë në qarkullim. Janë episode të caktuara, por nëse do të vazhdojë për një kohë më të gjatë, kontraktimet monetare janë të njohura edhe në historinë e ekonomisë si shkaktarët kryesorë të recesioneve.
Në fakt, ne po flasin jo vetëm për një recesion, por për një rritje më të lartë se vjet.
Një rritje e tremujorit të parë, nëse do të rezultonte negative, përbën pikëpyetje për rritjen 3% këtë vit. Por, kjo nuk do të thotë të mos realizohet objektivi, nëse aktiviteti monetar në tremujorin pasues do të jetë shumë më i gjallëruar. Por, duhet theksuar se ndryshimet e para negative kanë filluar të shfaqen.
Duhet të kujtojmë se BERZH ka qenë më pesimist për rritjen ekonomike. Ekonomic Inteligence Unit i “The Economist”, ka qenë gjithashtu pesimist, duke bërë një parashikim më të ulët.
Në përgjithësi, kontraktimet monetare shkaktojnë recesion, por shpresojmë që ky të jetë fenomen sezonaliteti, i kufizuar në tremujorin e parë. Ulja e parasë në qarkullim tregon se ka kontraktim të aktivitetit të ekonomisë, në prodhim e në shërbime, por është statistikë afatshkurtër. Recesioni nuk matet me një tremujor, kërkon të paktën dy tremujorë që të konfirmohet që ekonomia ka recesion. Por, sidoqoftë, kemi të bëjmë me një kontraktim të zhvillimeve të ekonomisë së vendit. Ky është sinjal shqetësues që autoritetet duhet të ndërmarrin veprime më energjike, jo vetëm për të çliruar masën monetare, por për të nxitur kreditimin e ekonomisë, atë lloj aktiviteti që lidhet drejtpërdrejt me krijimin e sipërmarrjes dhe zgjerimin e sipërmarrjes së aktivitetit ekonomik.
Mendoj që ekonomia ka nevojë për veprime energjike të shpejta. Sigurisht që paketa e kredive me probleme pritet të jetë tërësore në trajtimin e problemeve të kredisë por ato do të jenë me efekt afatgjatë. Sot kemi nevojë për një zhvillim shumë më afatshkurtër, për ndërmarrjen e veprimeve të momentit, që të zgjerojnë e të çlirojnë kontraktimin e ekonomisë. Objektivi duhet të jetë që të shmanget mundësia që kjo lloj tkurrje të jetë edhe në tremujoret në vazhdim.
Qeveria mund të nxisë edhe kreditimin e sektorit publik, por në veçanti kredia për sektorin privat duhet të marrë prioritet absolut. Nxitja e kreditimit të ekonomisë mbetet sfida më e madhe. Nga ana tjetër, edhe realizimi i investimeve publike, në vepra që japin efekt të mirëfilltë të aktivitetit ekonomik, që realisht bëjnë diferencën, që krijojnë punësim dhe veprimtari ekonomike, duhet të jetë objektiv emergjent i qeverisë.
Xhepa:
Kontraktimet monetare shkaktojnë recesion, por shpresojmë që ky të jetë fenomen sezonaliteti, i kufizuar në tremujorin e parë
……………
Edhe rritja 2% në pikëpyetje
Flet Arjan Kadare, ekonomist
Paraja në ekonomi, që matet me agregatet monetare, jep një ide mbi situatën e aktivitetit ekonomik në kushtet aktuale dhe jep një ide për zhvillimin në të ardhmen. Pra, është një tregues edhe për të ardhmen e afërt. Ai shkon përkrah me zhvillimet e tjera që masin ekonominë e në këtë këndvështrim, duket që aktiviteti ekonomik në tremujorin e parë është më i zbehtë në krahasim me vitin e kaluar në tërësi. Ka disa faktorë të rastit që janë përmbytjet, etj., që kanë ndikuar negativisht në aktivitetin ekonomik. Mund të përmendim dhe performancën jo të mirë të eksporteve, të cilat rezultojnë në rënie, krahasuar me tremujorin e parë.
Mund të vihet gishti edhe mbi konsumin e dobët, që ka karakterizuar tremujorin e parë, kjo reflektohet edhe me numrin e transaksioneve që kapet nga agregati monetar, i cili është me një rënie të lehtë ndaj tremujorit të parë të vitit të kaluar.
Në atë masë që është shkaktuar nga faktorë afatshkurtër, nuk përbën shqetësim, Por, nëse agregati monetar do të vazhdojë të tkurret për një periudhë të gjatë që të sinjalizojë një recesion. Në këtë moment mendoj se janë faktorët afatshkurtër që kanë ndikuar dhe mendoj se aktiviteti ekonomik gjallërohet më shumë në periudhën e verës. Janë faktorë të rastit dhe është akoma më herët që të jap një vlerë për parashikimet në terma afatmesëm.
Fundi i gjashtëmujorit të parë do të na japë më shumë të dhëna, për të bërë një vlerësim të saktë nëse ekonomia shqiptare do të kalojë nivelin 2%. Duhet thënë se tre vitet e fundit rritja ekonomike ishte nën 2%. Disa shifra të forta siç janë eksportet, të ardhurat fiskale, sidomos të ardhurat nga TVSH dhe kreditimi ekonomik nuk na bëjnë optimistë.
Konsumi është kërkesa e brendshme, një tregues i tërthortë, por i fortë janë të ardhurat nga TVSH. Ato tregojnë zhvillimin e konsumit dhe janë 9% më të ulëta se një vit më parë. Meqë TVSH prek disa sektorë të ekonomisë dhe konsiderohet si një taksë e konsumit të gjerë tregon që nivelet e konsumit janë të ulëta.
Kadare:
Tre vitet e fundit rritja ekonomike ishte nën 2%. Disa shifra të forta siç janë eksportet, të ardhurat fiskale, sidomos të ardhurat nga TVSH dhe kreditimi ekonomik nuk na bëjnë optimistë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.