Në sinergji me natyrën dhe malet / Projekti më i ri në Kinë

01/06/2018 3:01 PM 0 komente

Ky është një ndër projektet më të reja që është ndërtuar në fshatin Huangshan të Kinës dhe që është në duar të studios kineze të arkitektëve MAD Architects, të drejtuar nga arkitekti Ma Yansong.

Ky fshat është një prej zonave më të bukura malore në Kinë, ku ndodhet gjithashtu edhe Parku Kombëtar i Huangshan, që nga banorët e zonës njihet si “mallet e verdha”.

I njohur për peizazhin e pasur dhe shumë të gjelbër, ai ka qenë një burim frymëzimi i vërtetë për një numër shumë të madh artistësh nga e gjithë bota. Si një prej vendeve që ka kaluar në mbrojtje të UNESCO-s, ai vizitohet nga mbi një milionë turistë çdo vit.

Por ky projekt i propozuar nga studioja e arkitektëve MAD është pjesë e një plani më të madh për turizmin në këtë rajon. Në harmoni perfekte me natyrën dhe me liqenin Taiping, ky projekt përbëhet nga dhjetë ndërtesa gjigande.

 

Siguria dhe komoditeti që ajo u ofron banorëve ia rrisin akoma edhe më shumë asaj rëndësinë. Në vendin ku janë ndërtuar këto dhjetë ndërtesa gjigande, kanë qenë shtëpi të ndryshme në të cilat praktikohej joga, duke qenë se pamja që i ofrohet cilitdo që shkon aty është mbresëlënëse. Kjo ka qene edhe një ndër idetë kryesore se përse secilit apartament i është lënë një hapësirë e madhe për ballkon. Secila prej këtyre ndërtesave është ndërtuar në harmoni të plotë me konturet topografike të lokalitetit malor, duke krijuar përshtypjen se ato janë krijuar nga era dhe uji. Asnjë prej tyre nuk është identike.

Për disa të tjerë forma e tyre e parë nga ajri, imiton atë të plantacioneve të çajit që ndodhen aty pranë.

Zona e madhe e hapësirave të hapura publike u mundëson banorëve të kompleksit të jenë sa më pranë natyrës, të bashkohen me mjedisin dhe të bëhen pjesëmarrës të pavullnetshëm të dialogut me malet, liqenin dhe qiellin.

Për realizimin e të gjithë këtij projekti u deshën plot tetë vite, dhe ideja kryesore e arkitektit që drejtoi këtë projekt ishte krijimi i një mjedisi që përçon emocione, duke e ndihmuar individin që të jetë sa më pranë natyrës.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz