Flet Vjollca Dedei, Drejtore e Programacionit në Top Channel
Top Channel ka vendosur ta nisë këtë sezon televiziv me të paktën 13 programe të reja. Drejtorja e Programacionit në këtë televizion, Vjollca Dedei, shprehet për Monitor se synimi është mbulimi i të gjithë target-grupeve dhe shijeve të tyre.
Sipas saj, pjesë dominuese janë prodhimet e vetë televizionit, por nuk mungojnë as patentat e reja. Dedei nënvizon se po përvijohet një tendencë drejt emisioneve që kanë në fokus show “me lot” e fatkeqësi dhe pikërisht kjo ka shërbyer si një sinjal për të ecur kundër rrymës, duke i ofruar audiencës një alternativë tjetër, përmes programeve sa informuese, argëtuese e edukuese. Sipas saj, është televizioni që e ngre audiencën drejt vlerave dhe jo e kundërta.
Cilat janë programet e reja që shtohen në këtë sezon dhe audienca që synohet?
Këtë vjeshtë, Top Channel hyn në sezon me një prodhim të jashtëzakonshëm të shumë programeve e show të rinj, përveç sezoneve të reja të programeve ekzistuese që vijnë me risi. Programet e reja që vijnë në TCH janë:
– Programi “Ftesë në 5”
– Talk show “Top Talk”
– Talk Show Politikë “Open”
– Reality Show “Dita e parë e punës”
– Cikli i reportazheve investigativë “Top Story”
– Show argëtues familjar “Soiree”
– Show “Hell’s Kitchen/Kuzhina e Djallit”
– Show i Talentit “The Voice Kids 3”
– Reality Show “Big Brother Celebrity”
– Program për mjekësinë e shëndetin “Hipokrati”
– Cikli i reportazheve “Një ditë me…”
– Game Show “Dilema: Deal or no Deal”
– Dhe një show surprizë…
Pra, Top Channel vjen me 13 programe të reja të zhanreve të ndryshme që synojnë një audiencë të përgjithshme, duke mbuluar kështu të gjithë target-grupet dhe shijet e tyre. Top Channel hyn plotësisht në këtë sezon me 27 prodhime premierë në total.
Po programet e sezonin e kaluar dhe që kanë vijim edhe në këtë sezon të ri, cilët janë?
Programet ekzistuese janë “Wake up”, “Në Shtëpinë Tonë”, “Fiks Fare”, “Procesi Sportiv”, “Top Show”, “Shiko kush luan”, “Dua të të bëj të lumtur”, “Portokalli”, “Pop Culture”, “Top List”, “Info”, “Gjurmë Shqiptare”, “Exclusive”. Të gjitha programet tona nga sezoni në sezon kanë gjithmonë riformatim të tyre me risi, që ecin me përparësitë e ndryshme në kohë dhe kërkesat e audiencës.
A shihni ndonjë ndryshim në audiencën shqiptare krahasuar me një vit më parë, drejt kujt po orientohet?
Keq më vjen ta them, por nuk shoh ndonjë ndryshim të madh. Shoh një tendencë për programe ku abuzimi me lotin e hallet e njerëzve bëhet gjithnjë e më i pranishëm. Hera-herës më duken si reality show të telenovelave turke. Një ndër arsyet që Top Channel synoi me një gamë kaq të gjerë programesh të zhanreve nga më të ndryshmet, është që çdo target-grup të mund të gjejë veten në programe sa informuese, argëtuese e edukuese. Është televizioni që e ngre audiencën drejt vlerave dhe jo e kundërta.
Cili është raporti që zënë prodhimet tuaja dhe blerjet në programcion?
Sikurse e përmenda më lart, Top Channel ka rritur prodhimin e tij duke synuar audiencë të çdo target-grup dhe kjo ka sjellë një ulje në blerjet, e cila do të rritet përsëri me kalimin e kohës.
Çfarë serialesh apo telenovelash janë blerë, cilat janë tregjet më interesante që keni përzgjedhur? Po patenta të reja keni blerë?
Aktualisht jemi në negociata me kompanitë e mëdha si ABC/Walt Disney, NBC/Universal, Fox 20th Century për blerjen e serialeve. Ndërkohë kemi blerë disa patenta si ajo e game show “Dilema: Deal or no Deal” dhe “Big Brother Celebrity” nga EndemolShine, “Hell’s Kitchen/Kuzhina e Djallit” nga ITV, Londer, “The Voice Kids” nga Talpa dhe jemi ende në negociata për formate të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.