Në të ardhmen, makinat do të lëvizin me mendim

30/05/2018 5:01 PM 0 komente

Nëse historia tregon të kaluarën, mund të thuhet se arti parashikon të ardhmen. Veçanërisht atë konceptual. Një shembull vjen nga një shpikje e prezantuar pak ditë më parë në San Francisko.

Në laboratorët e Swissnex, inkubatori për start up që qeveria zvicerane ka hapur në zemër të Silicon Valley, ka lindur Mental Work. Bëhet fjalë për një instalim inovator, që ndërthur mendimet e mendjes së njeriut dhe makinat.

Me pak fjalë është një proces i ideuar nga filozofi amerikan Jonathon Keats, prej të cilit janë krijuar makina në gjendje të lëvizin vetëm nëpërmjet mendimit.

“Fabrika” e cila drejtohet nga mendimet e punonjësve

Duke përdorur një teknologji revolucionare, Mental Work është “fabrika” e parë në botë e cila do të drejtohet ekskluzivisht nga mendjet e punonjësve, në një vizion artistik që zhvilluesit e kanë quajtur “revolucion njohës” për ta dalluar nga ai industrial. Duke kontrolluar makinat nëpërmjet valëve të trurit, punonjësit shndërrohen në të njëjtën kohë në punë dhe produkt.

“Mundësia për të eksperimentuar me ndërveprimin tru-kompjuter (Brain Computer Interface – BCI) ka lindur nga bisedat e mia Jose Millan, një tjetër person pas Mental Work – shpjegon Keats. – Teknologjia BCI është kulmi i revolucionit të cyborg, i imagjinuar nga shkrimtarët e fanta-shkencës në vitet ’60, bashkimi i fundit mes njeriut dhe makinës.

Është gjithashtu një alternativë bindëse ndaj Inteligjencës Artificiale. Ndërkohë që Inteligjenca Artificiale është e angazhuar për ta bërë teknologjinë të gjithëditur dhe të gjithëpranishme, duke drejtuar jetën tonë nga jashtë pa e kuptuar, BCI e bën teknologjinë pjesë tonën dhe na bën pjesë të teknologjisë”.

Imagjinata motorike

Në këtë instalim në San Francisko (do të zgjasë deri më 28 korrik, para se të zhvendoset në qytete të tjera në botë), janë të pranishme 3 makina me ingranazhe.

Bëhet fjalë për mekanizma biell-manivelë, tipikë të revolucionit industrial dhe të motorëve me avull. Vizitorët ose më mirë “punonjësit mendorë”, ulen me pak distancë nga makinat dhe vënë një pajisje në kokë që shërben për të kapur valët e tyre të trurit. Më pas atyre u kërkohet të mendojnë për veprime specifike, si të hapin dhe mbyllin njërën dorë. Ky proces njihet si imagjinata motorike, i cili përdoret kohët e fundit edhe në ndërhyrjet për rehabilitimin fizik dhe mendor.

“Aftësitë tona teknologjike kanë përparuar me një ritëm më të madh se evolucioni njerëzor – shton Keats – ne kemi përparuar shumë në nivel njohës aq sa të përdorim fuqitë që kemi në dispozicion. Kjo besoj se është një ndër arsyet kryesore se pse bota që kemi ndërtuar është kaq e pasigurt. Mendoj se projektet e artit dhe shkencës si puna mendore, mund të parashikojnë të ardhmen, por më shumë se çdo gjë tjetër, do të ndikojnë në të ardhmen”.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz