Bankat u gëzohen fitimeve të larta dhe rënies së kredive me probleme, por sistemi vijon të jetë inaktiv në kreditimin e ekonomisë, teksa depozitat vijojnë të tkurren si rrjedhojë e normave të pafavorshme të interesit. Aktivet bien me ritmet më të larta që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi vuajti pasojat e krizës ndërkombëtare financiare…
Rritja e fitimeve dhe rënia e vazhdueshme e treguesit të kredive me probleme i ka dhënë pak frymëmarrje sistemit bankar në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Megjithatë, sistemi është në tkurrje, kreditimi ka vijuar të mbetet i dobët, ndërsa depozitat, si në lekë ashtu dhe në valutë, po vijojnë të largohen nga sistemi, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme. Në mungesë të kreditimit, bankat po i investojnë paratë në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, teksa mbajtja e tyre në Bankën e Shqipërisë, ose vendosja në institucionet financiare jashtë vendit, është bërë e paleverdishme.
Asetet, sërish me rënie
Totali i aseteve të sistemit bankar zbriti në 1.39 trilionë lekë në fund të qershorit, duke shënuar rënie për të dytin tremujor radhazi. Në krahasim me fundin e vitit 2016, totali i aseteve të sistemit bankar ka rënë me gati 1%, ose me 13.4 miliardë lekë. Kjo është rënia më e madhe në vlerë absolute, që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi vuajti pasojat e krizës financiare globale, që çoi në një rrjedhje depozitash nga sistemi.
Paratë që mbledhin nga depozituesit (të cilat në 6 muajt e parë të vitit kanë qenë në rënie), bankat i investojnë në dhënien e kredisë për biznesin dhe individët, blejnë letra me vlerë të qeverisë, apo i vendosin në institucionet e huaja financiare, ose pranë Bankës së Shqipërisë.
Rënia e aktiveve në gjashtë muajt e parë të vitit ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e uljes së veprimeve me Bankën e Shqipërisë për dy tremujorë radhazi (-25 miliardë lekë më pak në raport me fundin e 2016-s). Investimet në institucionet financiare jashtë vendit, janë rritur lehtë me rreth 2.3 miliardë lekë, pas një rënieje të fortë që kishte shënuar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Ndërsa veprimet me klientët (huaja për bizneset dhe individët) kanë shënuar rënie me 0.7% në tremujorin e dytë në krahasim me të parin dhe një tkurrje prej 0.6% në raport me fundin e vitit. Ky zë tregon ecurinë neto të kredisë, duke përjashtuar efektin e fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave.
Bankat u janë rikthyer veprimeve me letra në vlerë, që janë rritur me 0.6% në raport me tremujorin e parë, pas tkurrjes së muajve të parë të vitit.
Gjithsesi, fondet e lira të bankave nuk kanë qenë të larta, për shkak të ecurisë së dobët të depozitave.
Bien edhe depozitat!
Qershori nuk ka qenë një muaj i mirë për sistemin bankar, që ka parë një rënie si të kredisë, ashtu dhe të depozitave.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave zbriti në 988.6 miliardë lekë, me një rënie prej 0.6% në raport me muajin e kaluar. Në vlerë absolute, vetëm në qershor, kanë ikur neto nga bankat (depozitat e reja-tërheqjet) rreth 6.3 miliardë lekë, apo rreth 46 milionë euro, kryesisht kursime të individëve.
Në qershor kanë rënë si depozitat në valutë, ashtu dhe ato në lekë.
Kursimet në lekë u ulën me 2.5 miliardë lekë, apo 0.5%, kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të depozitave me afat të individëve. Këta të fundit, prej disa vitesh, nuk po shfaqin interes të vendosin paratë që vënë mënjanë në depozitat me afat, për shkak të interesave tepër të ulëta (për kursimet njëvjeçare kthimi është më pak se 1% në vit). Vetëm katër vitet e fundit (qershor 2017/qershor 2013), depozitat me afat të rezidentëve në lekë kanë rënë me rreth 820 milionë euro.
Në krahasim me fundin e 2016-s, depozitat në sistem kanë rënë me 2.5%, ose 25 miliardë lekë. Këtu është edhe efekti i kursit të këmbimit për depozitat në euro.
Normat e interesit të depozitave në lekë janë ulur ndjeshëm vitet e fundit, teksa Banka e Shqipërisë ka ndjekur që prej mesit të vitit 2011 një politikë lehtësuese monetare, që synonte uljen e kostos së parasë në ekonomi. Norma bazë, që shërben si referencë në ekonomi, ka zbritur aktualisht në nivele minimale rekord prej 1.25%, nga 5.25% që ishte në mes të vitit 2011, ndërsa interesat e depozitave njëvjeçare janë ulur nga 6.6% në 0.8% për të njëjtën periudhë. Individët kanë reaguar duke tentuar investimet me afate më të gjata, duke iu drejtuar letrave me vlerë të qeverisë, apo dhe alternativa të tjera më të rrezikshme si investimet në platformat online, në monedha virtuale dhe madje, së fundi, Banka e Shqipërisë raportoi se ka një rritje të fenomenit të fajdeve.
Krahas rënies së depozitave në lekë, muajt e fundit është konstatuar dhe tkurrja e kursimeve në euro, që vitet e fundit kishin shënuar tendencë rritëse, teksa individët i ishin drejtuar monedhës së përbashkët si një alternativë më e sigurt.
Në qershor, depozitat në valutë ranë me 0.7% me bazë mujore, apo me rreth 28 milionë euro. Në krahasim me fillimin e vitit, depozitat në valutë kanë rënë me 1.43%.
Shqipëria ka një nivel të lartë euroizimi të kursimeve. Në qershor, kursimet në valutë zinin 52% të totalit të depozitave në vend.
Bie ndjeshëm kredia për ekonominë në 2017-n
Ndonëse ekonomia raportohet se ka një gjallërim dhe u rrit me gati 4% në tremujorin e parë të këtij viti, sistemi bankar nuk arrin të reflektojë këtë tendencë.
Huaja për ekonominë, që është një tregues i financimeve që marrin bizneset për të investuar ose për të qarkulluar kapitalin dhe individët për të blerë pasuri të paluajtshme apo produkte konsumi, ka shënuar rënie të fortë në muajin qershor.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë zbriti në 543.5 miliardë lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2016.
Vetëm në qershor, stoku i huasë u reduktua me 955 milionë lekë, në raport me muajin e mëparshëm, pasi ishte reduktuar ndjeshëm edhe në janar dhe prill.
Në krahasim me dhjetorin 2016, stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 0.7%.
Me bazë vjetore (qershor 2017/qershor 2016), kredia e dhënë për ekonominë është reduktuar me 1.6%.
Me bazë vjetore, e gjithë rënia është ndikuar nga tkurrja e stokut të huasë dhënë korporatave jofinanciare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, stoku i së cilës ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë. Këtu ka pasur ndikim edhe kursi i këmbimit, teksa euro është zhvlerësuar ndjeshëm në raport me një vit më parë.
Sistemi bankar është përfshirë në një proces të fshirjes së kredive që janë më shumë se tre vjet vonesë, që kanë reduktuar kryesisht në valutë.
Kjo fshirje u reflektua dhe në uljen e treguesit të kredisë me probleme, që zbriti në 15.86% në muajin maj, larg nga niveli rekord afër 25% që arriti në mesin e vitit 2014.
Rritjen më të lartë në vlerë absolute vitin e fundit e ka shënuar kredia për individë, me rreth 8.8 miliardë lekë më shumë, apo zgjerim 8.7%, në raport me qershorin 2016.
Kredia për bizneset në lekë ka shënuar rritje më të moderuar me 6.4%.
Banka e Shqipërisë njoftoi në vrojtimin e fundit se bankat vijuan të mbanin të shtrënguara standardet e kreditimit për bizneset, ndërsa i kanë liruar për individët. Këta të fundit kanë rezultuar kredimarrës më të mirë, teksa përqindja e kredive të tyre me probleme është gati tre herë më e ulët se ajo e bizneseve.
Huatë me probleme në nivelin më të ulët në 6 vjet
Huatë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar tjetër rënie gjatë qershorit, për të tetin muaj radhazi, duke zbritur në 15.58% të totalit, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët i arritur që nga tremujori i parë 2011, kur kreditë e pakthyera në afat në banka ishin 14.41%. Më pas ky tregues erdhi në rritje, për të arritur rekordin prej gati 25% në tremujorin e tretë 2014.
Pasi Banka e Shqipërisë ndërmori një strategji për menaxhimin e huave problematike, ato janë ulur gradualisht, duke neutralizuar dhe rritjen e përkohshme të konstatuar në gjysmën e parë të vitit 2015, si rrjedhojë e falimentimit të kompanisë Kurum, që kishte një ekspozim rreth 30 milionë euro në bankat shqiptare.
Dy vitet e fundit, bankat kanë zbatuar procesin e fshirjes së huave, sipas të cilit hiqen nga bilancet e bankave kreditë që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, ndërsa ato vazhdojnë të ndiqen nga bankat. Të dhënat e qershorit treguan se stoku i huasë së korporatave jofinanciare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huasë për të njëjtën periudhë, duke reflektuar një fshirje masive të huave në valutë.
Një tjetër element, që ka ndikuar në reduktimin e huave me probleme, është procesi i ristrukturimit të 35 kompanive të mëdha, që deri pak kohë më parë zotëronin 60% të kredive me probleme.
Aktualisht, sipas burimeve zyrtare të Bankës së Shqipërisë, nga 35 kompani janë ristrukturuar 21 prej tyre.
Nga 21 kompanitë e ristrukturuara, 10 prej tyre nuk janë më në vonesë, duke bërë që ato të dalin përfundimisht nga lista e sipërmarrjeve problematike. Ndërsa për 11 të tjera, procesi i ristrukturimit ka ecur, por do të duhet të kalojnë edhe pak muaj derisa ato të dalin nga lista e të këqijve. Nga këto 35 kompani, 7 janë në proces falimenti.
Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria ishin vendet më problematike në rajon për nivelin e lartë të NPL-ve, duke e pasur këtë tregues midis 20 dhe 25% deri në vitin 2015. Më pas, të tre shtetet nisën planin për uljen e NPL-ve, kryesisht përmes ristrukturimit. Më mirë rezulton të ketë ecur Mali i Zi, që në fund të vitit 2016 i kishte huatë me probleme 10.3% të totalit, ndërsa Serbia i ka rreth 16-17%.
Fitime rekord në 6 muajt e parë të vitit
Fitimi i sistemit bankar arriti në 11.5 miliardë lekë në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat u publikuan nga Banka e Shqipërisë, e cila i raporton fitimet e bankave sipas standardeve lokale, në bazë të të cilave bankat paguajnë dhe tatimfitimin në buxhet.
Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i lartë rekord i fitimeve të arritura nga sistemi bankar për gjashtëmujorin e parë, që nga viti 1999, kur raportohen të dhënat.
Dy janë arsyet që kanë ndikuar në përmirësimin e rezultatit financiar të bankave.
Së pari, janë rritur të ardhurat neto nga veprimtaritë e tjera, me 2.8 miliardë lekë, duke u trefishuar në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo ka amortizuar dhe rënien e të ardhurave nga interesat me 1 miliard lekë, si rrjedhojë e uljes së interesave të huave që bankat japin për bizneset dhe individët.
Së dyti, janë ulur ndjeshëm shpenzimet për provigjionime, me 3.6 miliardë lekë, apo 72%, të cilat janë fitimet që bankat lënë mënjanë për të mbuluar kreditë me probleme. Niveli i huave të pakthyera në afat ka rënë vazhdimisht përgjatë këtij viti, duke arritur në 15.58%, niveli më i ulët në 6 vjet. Kjo ka bërë që bankat të rimarrin këto fonde që i kishin lënë si “garanci” për huatë që nuk po u ktheheshin.
Situata e përfitueshmërisë së sistemit bankar është shumë më e përmirësuar në raport me 6-mujorin e parë 2016, kur ato panë një tkurrje të fitimeve me 39%.
Rritja e fitimeve ka përmirësuar dhe treguesit e rentabilitetit, si kthyeshmëria nga kapitali (ROE), që u rrit me 1.2 pikë përqindje në 16.7%, e cila tregon se sa me eficiencë po i përdor banka kapitalet e veta dhe kthyeshmëria nga aktivet (ROA), që u rrit nga 1.51% në 1.64%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.