Flet Naim Gashi ekspert i çështjeve të ekonomisë në Kosovë: Klubi i Prodhuesve Kosovar ka deklaruar dhjetëra herë se më lehtë është të eksportohet nga Kosova në Zvicër se në Shqipëri…
Ekspertët e ekonomisë së Kosovës mendojnë se Shqipëria e ka të vështirë të zërë hapësirat e lëna bosh në tregun e Kosovës nga barrierat ndaj importeve Serbe, pasi qeveria Rama sipas tij e ka vënë një dogane të re në rrugën e Kombit.
Naim Gashi ekspert i çështjeve të ekonomisë në Kosovë thotë se, aktualisht Kosova, 45% të mallrave i importon nga vendet e BE-së dhe nëse e rrisim importin nga BE-ja, rajoni dhe Turqia nuk do të ketë asnjë disbalancë në treg, përkundrazi do te importohen mallra më cilësore se ato që kanë ardhur nga Serbia.
Cilët artikuj do të ndikohen nga rritja e tarifave?
Deri tani importi i mallrave nga Serbia ka qenë 14% e totalit, ose e thënë me shifra 440 milionë euro. Pjesa dërmuese e këtij importi është grurë, materiale ndërtimore, dhe produkte ushqimore. Materialet ndërtimore me prejardhje nga argjila mund të zëvendësohen pa asnjë problem nga prodhuesit vendorë, ndërsa importi i grurit duhet orientuar nga vendet e rajonit, Hungaria, Turqia etj.
A rrezikojnë këto masa të destabilizojnë ekuilibrin makroenomik të vendit?
Asnjë çekuilibrim të tregut nuk ka dhe as nuk pritet të ketë, ka një përpjekje nga bizneset kosovare të lidhura me ato serbe, që të krijojnë një panik në treg nëpërmjet rritjes spekulative të çmimeve. Aktualisht Kosova importon 45% të mallrave nga vendet e BE-së, nëse e rrisim importin nga BE-ja, rajoni dhe Turqia nuk do të ketë asnjë disbalancë në treg, përkundrazi mendoj që do importohen mallra më cilësore se ato që kanë ardhur nga Serbia.
A mund të jetë Shqipëria zëvendësuese për ndonjë nga artikujt që importoheshin nga Serbia?
Shqipëria është porta e parë e Kosovës për zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia. Fatkeqësisht qeveria e Shqipërisë në vend se të bëhet pjesë e politikave për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, kryeministri Rama ka marrë flamurin e ndarjes së Kosovës, një projekt i zier në kuzhinat e Beogradit prej dekadash me radhë. Ekonomia e Kosovës dhe e Shqipërisë janë komplementare me njëra-tjetrën, por fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka funksionuar, edhe pse potencialet janë jashtëzakonisht të mëdha.
Në vend të patriotizmit të rrejshëm folklorik, qeveritë e dy vendeve duhet të marrin hapa konkret për heqjen e të gjitha barrierave dhe nxitjen e investimeve të përbashkëta. Klubi i Prodhuesve Kosovarë ka deklaruar dhjetëra herë se më lehtë është të eksportohet nga Kosova në Zvicër se në Shqipëri. Në vend se të krijojë lehtësi tregtare, qeveria Rama ka vendosur “një pikë të re kufitare” në Kalimash, ku gjobiten bizneset e të dyja vendeve, kryesisht ato nga Kosova që shkëmbejnë mallra ndërmjet tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.