Gjigantët amerikanë të teknologjisë po ia vështirësojnë punën startup-eve. Të mëdhenj, të pasur dhe duke zotëruar një numër të madh të dhënash, ata kanë mundësi që t’i ndihmojnë startup-et nëse duan, ose në të kundërt t’i blejnë të gjitha ato që i sfidojnë
Historia e mëposhtme është një histori klasike startup-i, por që gjatë rrugës mori një kthesë ndryshe, shkruan The Economist. Tre 20-vjeçare krijuan një startup nga konvikti i tyre në Institutin e Teknologjisë së Massachusetts në vitin 2016, me qëllim përdorimin e algoritmeve për të parashikuar përgjigjet e email-eve. Në maj, ata ishin duke mbledhur fonde për startup-in e tyre, EasyEmail, kohë gjatë së cilës Google mbajti konferencën vjetore për zhvilluesit e programeve dhe bëri publik një aplikacion të ngjashëm me EasyEmail.
Filip Twarowski, shefi i saj, e sheh inkursionin e fundit të Google si një “konfirmim të pabesueshëm” se po punonin për diçka vërtet të vlefshme. Por ai pranon se kjo erdhi edhe si një lloj shoku, sepse kapitalistët e sipërmarrjeve përpiqen të shmangin hapësirat ku gjigantët e rinj të teknologjisë mund të ndërhyjnë.
Konferencat vjetore të teknologjisë, të mbajtura për të prezantuar mjete të reja, karakteristika të shtuara dhe blerje të reja, thuajse gjithmonë shoqërohen edhe me një frymë tensioni dhe frike në mesin e sipërmarrësve të startup-eve, shprehet Mike Driscoll, partner në Data Collective, një firmë investimi.
“Sipërmarrësit kapitalistë marrin pjesë në këto konferenca me frikën se cili do të jetë “viktima e radhës, që do të eliminohet”. Por ankthi dhe frika e sipërmarrësve të startup-eve është diçka që shkon përtej konferencave të tilla. Sipërmarrësit kapitalistë, si Albert Wenger nga Union Square Ventures, i cili ishte një nga investitorët e parë në Twitter, tani shprehet për ekzistencën e një “zone-vrasëse” pranë rrethit të gjigantëve të teknologjisë. Mbijetesa e këtyre startup-eve të reja është e vështirë, pasi ato bëhen pjesë e kësaj industrie.
Gjigantët e teknologjisë përpiqen t’i shtypin startup-et ose duke kopjuar risitë që ato nxjerrin, ose duke i blerë ato që në fillimin e tyre për të eliminuar një kërcënim të mundshëm. Ideja e ekzistencës së një “zone-vrasëse” na sjell ndër mend mbretërimin e gjatë të Microsoft në vitet 1990, e cila ndoqi strategjinë e “përkrahjes, konfirmimit, zgjerimit dhe shuarjes” dhe mbi të gjitha duke u përpjekur të frikësojë startup-et e reja që ato t’i qëndronin larg domainit të saj.
Por shqetësimet e sipërmarrësve dhe të kapitalistëve të sipërmarrjeve janë të habitshme, sepse për një kohë të gjatë startup-et kanë pasur një “rrugëtim të lirë”. Në vitin 2014, The Economist e cilësoi përhapjen e startup-eve në shpërthimin Cambrian si një sipërmarrje me kosto të ulët dhe industri, e cila të ofronte shumë mundësi.
Ndërsa sot, situata nuk është e njëjtë. Sot, më pak. Çdo gjë që ka të bëjë me internetin e konsumatorit perceptohet si e rrezikshme, për shkak të dominimit të Amazon, Facebook dhe Google (në pronësi të Alphabet). Sipërmarrësit kapitalistë po tregohen më të kujdesshëm për të mbështetur startup-et e reja në fushën e kërkimit online, mediave sociale, telefonisë celulare dhe tregtisë e-commerce. Për startup-et është e vështirë, sidomos sigurimi i fazës së parë të financimeve.
Sipas Pitchbook, një kompani kërkimore, në vitin 2017, numri i këtyre fazave të para financuese për startup-et e reja ra me rreth 22% nga viti 2012. Rënia justifikohet me faktin se çfarë u ndodh startup-eve, pasi ato bëhen pjesë e “zonës vrasëse” qoftë qëllimisht apo edhe aksidentalisht. Kompania Snap është shembulli më i mirë për t’u marrë në këtë kontekst, duke kujtuar këtu kundërshtimet e saj ndaj përpjekjeve të Facebook për të blerë atë në vitin 2013, kundrejt një vlere prej 3 miliardë dollarësh amerikanë. Menjëherë si kundërpërgjigje ndaj këtij reagimi, Facebook klonoi shumë nga karakteristikat më të suksesshme të kësaj kompanie, duke ndikuar fuqishëm në rënien e suksesit të saj.
Një kompani tjetër më pak e njohur është Life on Air, e cila krijoi Meerkat, një aplikacion për transmetimin e videove në kohë reale në vitin 2015, por u zhduk nga tregu në momentin kur Twitter filloi të promovonte fuqishëm Periscope, një aplikacion tjetër konkurrues të cilin sapo e kishte blerë. Life on Air e mbylli aplikacione e saj Meerkat dhe krijoi një aplikacion tjetër, të quajtur Houseparty, i cili mundësonte transmetimin e videove në grup. Fillimisht ky aplikacion fitoi shumë pikë në këtë treg, por u kopjua më pas nga Facebook, i cili duke shfrytëzuar dhe vëmendjen e madhe të përdoruesve të saj, e la aplikacionin Houseparty, në hije.
“Zona-vrasëse” funksionon në softuerin e biznesit (“sipërmarrjeve” në gjuhën e kësaj industrie), nën hijen e rëndë të gjigantëve të Microsoft, Amazon dhe Alphabet. Shërbimi cloud i Amazon, “Amazon Web Services” (AWS), i ka etiketuar një numër të madh startup-esh të reja si “partnerët e tij”, vetëm për të kopjuar funksionalitetin e tyre dhe për t’i ofruar ato ndaj përdoruesve si një shërbim me kosto të ulët ose falas.
Nëse një gjigant teknologjie futet në territorin e një startup-i dhe nëpërmjet kontrollimit të platformës nga e cila startup-i varet, ia bën jetën të ndërlikuar këtij të fundit. Për shembull, kompania Elastic, një firmë për menaxhimin e të dhënave, shënoi rënie në shitjet e saj pasi shërbimi cloud i Amazonit, AWS, prezantoi një tjetër firmë konkurrente, Elasticsearch, në vitin 2015. Edhe nëse gjigantët e teknologjisë nuk i kopjojnë plotësisht startup-et, ata mund të ndikojnë negativisht duke dëmtuar perspektivat e tyre. Vitin e kaluar, Amazon bleu Whole Foods Market, rrjetin e supermarketeve amerikane, i specializuar për shitjen e produkteve organike, kundrejt vlerës prej 13.7 miliardë dollarësh.
Blue Apron, një startup i specializuar në shpërndarjen e produkteve të ndryshme ushqimore, që po përgatitet për të dalë në treg, u cilësua si i papërshtatshëm, vetëm sepse Amazon ka pritshmëri që shumë shpejt të jetë pjesë e këtij sektori tregu. Kohët e fundit, ky fenomen nuk po ndodh vetëm në startup-et e reja. Facebook, jo shumë kohë më parë, prezantoi shërbimin e ri që ofronte për “njohje online”, duke shkaktuar rënien e aksioneve të Grupit të madh “Match” që ka në pronësi Tinder, me rreth 22%, pikërisht në të njëjtën ditë që Facebook e bërë këtë gjë publike. Nuk ka qenë kurrë e lehtë rruga për të krijuar një startup të ri.
Tashmë ushtria e gjigantëve të teknologjisë së frikshme është më e madhe se kurrë dhe po vepron në një gamë më të gjerë fushash, duke përfshirë kërkimin në internet, mediat sociale, reklamat dixhitale, realitetin virtual, mesazhet dhe komunikimet, smartphone, shërbimin cloud, softuerë gjithnjë e më të zgjuar, tregtinë e-commerce etj. Kjo e bën këtë industri sfiduese dhe njëkohësisht të frikshme në syrin e këtyre startup-eve të reja, të cilave u duhet një rrugëtim shumë i gjatë jo vetëm për t’u bërë pjesë e saj, por edhe për të mbijetuar më pas. Gjigantët e sotëm të teknologjisë janë “më të pamëshirshëm dhe introspektivë”.
Ata janë në gjendje të “hanë edhe fëmijët e tyre”, që të mbijetojnë edhe një ditë më shumë në këtë treg të egër, shprehet Matt Ocko, një sipërmarrës kapitalist i Data Collective. Dhe ata i kërcënojnë vazhdimisht startup-et e reja, thotë ai më tej. Fillimisht startup-et punonin mbi një projekt të ri për një kohë të gjatë pa u vënë re nga gjigantët e teknologjisë, thotë Aaron Levie nga Box, duke shtuar se ato gjithashtu janë përpjekur që t’i shmangen “zonës-vrasëse” (me një vlerë tregu prej rreth 3.8 miliardë dollarësh).
Por sot startup-et mund të kenë një periudhë operimi që shkon në vetëm disa muaj, po u vënë re nga gjigantët e teknologjisë. Por ka edhe disa përjashtime. Airbnb, Uber, Junk dhe disa “njëbrirësha” të tjerë janë përballur gjithnjë me konkurrentët e tyre. Por fatkeqësisht ato janë të pakta në numër, por kanë ndikuar pozitivisht duke ia rritur pritshmëritë një pjese të madhe startup -esh. Që përpara krijimit të një startup-i, sipërmarrësit mendojnë se cili mund të jetë gjiganti teknologjik që mund t’i blejë, shprehet Larry Chu nga firma ligjore, Goodwin Procter. Gjigantët e teknologjisë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë “blerës të uritur”.
Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft shpenzuan rreth 31.6 miliardë dollarë për të gjitha blerjet që bënë në vitin 2017. Kjo ka bërë që disa prej startup-eve të jenë më pak ambicioze. “90% e startup-eve që njoh janë krijuar vetëm për t’u shitur më pas”, thotë Ajay Royan nga Mithril Capital, që merret me investime në teknologji. Kjo mund t’i pasurojë themeluesit e tyre, të cilët mund të vazhdojnë të krijojnë edhe shumë startup-e të tjera, apo mund të sigurojnë financimin e “ideve të zgjuara” të kompanive homologe.
Deri në momentin që sipërmarrje të tilla mundësojnë sigurimin e më shumë kapitali në fushën e inovacionit, kjo nuk është aspak e keqe. Gjigantët e teknologjisë mund t’i ndihmojnë firmat që të rriten më shumë sesa ato mund të kenë qenë në gjendje që ta bëjnë vetë. Për shembull, blerja e Instagram nga Facebook eliminoi një konkurrent të mundshëm, por ajo po zhvillohet nën mbikëqyrjen e gjigantit të rrjetit social, duke pasur infrastrukturën teknike, stafin dhe njohuritë që zotëron Facebook.
Miq apo armiq?
Të shumtë janë njerëzit në Sillicon Valley që mendojnë se të këqijat e këtyre blerjeve janë më të mëdha sesa të mirat që ato kanë sjellë, kryesisht sepse ato e kanë dobësuar inovacionin. “Dominimi i platformave të mëdha ka pasur efekt kuptimplotë në kulturën sipërmarrëse të Silicon Valley”, thotë Roger McNamee nga Elevation Partners, një firmë private në sipërmarrjet e kapitalit, njëkohësisht edhe një prej investitorëve të parë në Facebook.
Blerja e startup-eve vret përpjekjen për të krijuar një platformë të madhe dhe të suksesshme dhe në vend të saj, krijon diçka me idenë se ajo do të shitet dhe jo që do të zhvillohet më tej. Dhe kur një pjesë e madhe startup-esh krijohen me këtë qëllim, kjo është edhe më shqetësuese. Firmat e mëdha të teknologjisë prej kohësh i frikësojnë startup-et e reja në mënyrë që ato të bien dakord që të blihen prej tyre duke i kërcënuar se do të krijojnë një shërbim të ngjashëm konkurrues dhe mund të shkojnë deri aty sa t’i nxjerrin jashtë kësaj industrie, në rast se ato nuk pranojnë kushtet e tyre.
Ka tre arsye kryesore për të menduar se “zona-vrasëse” ka shumë mundësi se do të vazhdojë të ekzistojë. Së pari, gjigantët e teknologjisë kanë një “mal informacionesh dhe të dhënash” për të identifikuar rivalët që supozohet se do të zhvillohen më shpejt se kurrë më parë.
Google po merr jo vetëm të dhëna për mënyrën se si përdoruesit e internetit po e shpenzojnë kohën, por edhe para përmes browser-it Chrome, shërbimit të email-it që ofron, sistemit operativ Android, aplikacioneve, shërbimit cloud dhe shumë të tjerave. Facebook mund të shohë se cilat aplikacione janë duke përdorur njerëzit dhe faqet në të cilat ata lundrojnë më shpesh. Ai bleu aplikacionin Onavo, i cili e ndihmoi atë të kuptonte se Instagram po fitonte fuqishëm terren ndër rrjetet e tjera sociale.
Facebook e bleu firmën e re kundrejt vlerës prej 1 miliard dollarësh amerikanë, përpara se ajo të shndërrohej në një kërcënim të vërtetë për të. Gjatë vitit të kaluar ajo bleu sërish për të njëjtat arsye, tbh, një startup të sapokrijuar. Amazon mund të gjenerojë një sërë të dhënash nga platforma e saj e-commerce dhe nga shërbimi cloud. Një burim tjetër për marrjen e informacioneve të tregut vjen nga investimi në startup-e të ndryshme, i cili i krijon mundësinë firmave gjigante të teknologjisë, jo vetëm të kenë akses në to por edhe të bëjnë ndërhyrje.
Nga të gjitha firmat amerikane të teknologjisë, Alphabet ka qenë më aktivi. Që nga viti 2013, ai ka shpenzuar 12.6 miliardë dollarë amerikanë, duke investuar në 308 startupe të reja. Një numër i madh sipërmarrjesh ndihen të gëzuara nga investimet paraprake të gjigantëve të teknologjisë, por më pas mallkojnë ditën kur ranë dakord për këtë, duke qenë se konfliktet e shkaktuara nga një bashkëpunim i tillë janë të shumta.
Uber, për shembull, mori para nga një prej fondeve të gjigantit të Alphabet, por shpejt e gjeti veten duke konkurruar me gjigantin e makinave me vetëdrejtim, Waymo. Kompania Thumbtack pranoi investimin nga Alphabe, por më pas vuri re se kompania gjigante investuese krijoi një shërbim konkurrues, Google Home Services.
Ndërsa Amazon dhe Apple investojnë më pak në startup-et e reja, por kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë pasur përplasje me ta. Amazon investoi në një sistem intercom të quajtur Nucleus, dhe më pas prezantoi një produkt të ngjashëm të krijuar nga ai vetë. Rekrutimi është mjeti i dytë që gjigantët përdorin për të zbatuar rregullat e “zonës-vrasëse”.
Firmat e mëdha të teknologjisë janë në gjendje të shpenzojnë shuma të mëdha për të mbajtur jo vetëm punonjësit më të mirë, por edhe ata me një nivel mesatar në kompanitë e tyre, që ata të mos largohen dhe të bëhen pjesë e ndonjë startup-i. Arsyeja e tretë që startup-eve u duhet që të luftojnë për t’u përballur me gjigantët, sepse deri më sot, për shembull, nuk ka asnjë platformë të re që t’i tejkalojë ata, edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë nga fuqizimi i telefonisë së lëvizshme, për shembull.
Fuqizimi i telefonisë celulare e godit rëndë Microsoft, që ishte dominues në kompjuterët personalë, dhe i dha një pushtet të madh si Facebook ashtu edhe Google, duke u mundësuar atyre të grumbullojnë më shumë para nga reklamat online në platformat e tyre dhe mbi të gjitha, duke u bërë gjithnjë e më të njohur nga një numër i madh njerëzish.
Por sot nuk ka një platformë të re. Gjigantët përpiqen me të gjitha mënyrat për të marrë të gjithë vëmendjen. Edhe investitorët duke parë që startup-et e kanë të vështirë për të konkurruar me gjigantët e teknologjisë në terrenin e tyre, shkojnë drejt atyre fushave ku e kanë të sigurt fitimin e investimit të tyre. Për shembull, kjo mbase shpjegon edhe faktin se përse ka kaq shumë entuziazëm të investitorëve për kriptomonedhat dhe për biologjinë sintetike.
As kjo nuk u ka shpëtuar gjigantëve, të cilët po fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjes. Thuhet se Facebook dëshiron të blejë Coinbase, një firmë kriptomonedhash. Por padyshim që rregullatorët do të shikojnë me vëmendje atë që gjigantët e teknologjisë po përpiqen që të bëjnë.
Kritikat në këtë drejtim kanë qenë të shumta, duke thënë se rregullatorët kanë miratuar blerjen e shumë startup-eve të reja prej këtyre gjigantëve, startup-e këto që një ditë mund të fuqizoheshin dhe të konkurronin gjigantët. Për të luftuar kundër “zonës-vrasëse”, rregullatorët duhet të marrin parasysh se me cilat armë duhet t’i luftojnë këta gjigantë të teknologjisë.