Neni 43 i Kodit të Procedurave Tatimore ka shkaktuar një konflikt mes biznest dhe organeve tatimore. Sipas këtij neni të legjislacionit tatimor, një biznesmen është i detyruar të parapaguajë detyrimin tatimor përpara se ai të ankohet në Gjykatë, pra para se Gjykata të japë vendimin përfundimtar nëse gjoba është e drejtë apo jo. Por realiteti ka treguar që në disa raste, punonjësit e tatimeve e kanë vendosur këtë penalitet në mënyrë arbitrare. Problemi qëndron në faktin se bizneset thonë që, rastet e kthimit të shumave të marra në mënyrë të padrejtë nga tatimet kanë qenë shumë të rralla, për të mos thënë fare. Në nenin 43 të Përmbledhjes së Legjislacionit Tatimor (dhjetor 2001) thuhet se Para se të paraqiten për apelim, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë vetëm detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat e mundshme ose të paraqesin garancitë e nevojshme. Në rastin e garancisë, për periudhën e apelimit, llogariten të gjitha interesat.Më përpara ky nen ka parashikuar që të parapaguheshin edhe gjobat edhe interesat, përveç detyrimit tatimor. Por me insistimin e vazhdueshëm të sipërmarrësve, në dëm të të cilëve ky nen ishte, ligji u amendua dy vjet më vonë, duke reduktuar pjesën e pagesës në një element të vetëm, detyrimin tatimor. Niko Lera, drejtor i Kontrollit të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve thotë se, nga të tre elementet, tatim, interesa dhe gjoba, tatimpaguesi është i detyruar që të parapaguajë vetëm detyrimin tatimor, që normalisht shkon 40, 50, 60% e vlerësimit tatimor. Pra, me pak fjalë, sado që dy elemente janë hequr nga ligji, përsëri biznesit i bie që të paguajë më shumë se gjysmën e asaj që i është shënuar nga tatimorët. Por, ligji përcakton edhe një mënyrë tjetër pagese, bankën. Në rast se një bankë del garante për një biznes, atëherë Drejtorisë së Tatimeve i jepet kompetenca ligjore që me anë të një urdhëri të posaçëm të ngrijë llogarinë bankare të këtij biznesi. Pra, me hir ose me pahir biznesi duhet të paguajë. Biznesi dhe tatimetKërkesa e vazhdueshme e biznesit bëri që ligji të ndryshohet, pasi konsiderohej i padrejtë parapagimi i gjithë vlerësimit tatimor, pa ditur nëse ky vlerësim ishte brenda ligjit ose jo. Ferdinand Ibrahimi, president i Ferlut tregon se kontrollet e tatimeve bëhen një herë në vit, dhe mendoj që këto kontrolle duhet të jenë më të shpeshta dhe jo vetëm të vihen gjoba ndaj biznesit, por edhe të konsultohen me të. Unë i shoh këto kontrolle arbitrare dhe të rrezikshme për biznesin. Dhe ky mund të quhet abuzim i shtetit me firmat, pasi krijohet një imazh arbitrar për të. Ndërsa të tjerët mendojnë se vlerësimet tatimore bëhen vetëm për të realizuar planin e dhënë. Kështu, Enver Ferizaj, president i EN&ZY thotë se, e gjitha kjo ndodh se tatimet kanë një plan për të realizuar dhe me çdo kusht ato duhet ta plotësojnë atë. Sipas tij, ndërsa më përpara biznesi duhet të paguante deri në 200% të vlerësimit, tani ai duhet të paguajë vetëm 60%. Por të tjerë e gjykojnë këtë nen si të pakuptimtë, pasi nuk mund të cilësohet dikush fajtor pa e vërtetuar këtë nga një organ kompetent. Në rastin konkret, edhe pse firma mund të mos jetë fajtore në shkeljen e ligjeve fiskale dhe tatimorët t i kenë vendosur asaj një vlerësim ˜apriori , biznesi duhet të paguajë. Por, nga tatimet pohohet se buxheti i shtetit nuk mund të presë që të përfundojë një proces gjyqësor, pasi ai mund të zgjasë shumë. Niko Lera thotë se, apelimet përfshirë apelimin administrativ dhe sidomos apelimin gjyqësor zgjasin me vite. Pra 3, 4, 5 apo dhe më shumë vjet zgjat një proces në gjykatë për tatime të papaguara. Por buxheti i shtetit realizon funksionet e veta çdo orë, çdo ditë, çdo muaj të vitit, dmth buxheti kërkon të ardhura për të realizuar këto funksione në mënyrë të vazhdueshme. Sipas këtij institucioni, nuk mund të pritet aq gjatë, sepse arka e shtetit duhet mbushur. Madje, tatimorët mendojnë se një firmë për t iu shmangur detyrimeve fiskale mund t i quajë ato të padrejta, duke trokitur në dyert e Gjykatës dhe në këtë mënyrë për një kohë jo të shkurtër të vazhdojë aktivitetin e saj pa paguar gjë. Sipas Lerës, faji qëndron vetëm tek kohëzgjatja e proceseve gjyqësore. Mund të zbatohet kërkesa për të mos paguar detyrimin para apelimit, në rast se realisht do të funksionojë gjykata administrative, si dhe do të ketë afate të përcaktuara qartë. Proceset nuk mund të zgjasin me vite të tëra për dhënien e vendimit, në mënyrë që të sigurohet mbledhja e të ardhurave tatimore në buxhet, thotë ai. ZgjidhjaMë së shumti biznesi mendon që duhet të gjendet një rrugë e ndërmjetme ku të jetë gjykata ajo që të vendosë se kush ka të drejtë. Enver Ferizaj, president i En&Zy thotë se, një biznesmen gjithmonë i hyn rrugës së një procesi gjyqësor, duke e ditur se ka të drejtë. Dhe në ato raste kur i është dhënë e drejta, nuk ka ndodhur asnjëherë që të kthehen shumat e fituara nga tatimet. Edhe në rast se i janë kthyer, atëherë tatimet kanë dërguar kontrolle për të marrë përsëri atë që i kanë kthyer. Pothuajse e gjithë sipërmarrja private mendon se duhet të jetë gjykata ajo që duhet të vendosë. Sipas tyre, nuk ka kuptim që të detyrohet një firmë të paguajë duke mos ditur nëse ky detyrim është i drejtë ose jo. Në Ministrinë e Financave ekziston një komision që quhet Komisioni i Apelimit, ku mund të ankimohen të gjitha çështjet dhe konfliktet, që lindin midis organeve tatimore dhe sipërmarrjes private. Dhe duke qenë se një institucion i tillë ekziston, biznesi mendon që çështja të kalojë fillimisht në këtë komision dhe në rast se prej tij del një vendim, atëherë duhet të jetë gjykata që të përcaktojë fajësinë ose jo të biznesit. Në këtë mënyrë biznesi i përgjigjet justifikimit të tatimeve se nuk mund të priten proceset gjyqësore, pasi ato zgjasin shumë. Kjo, sipas tyre, do të ishte një rrugë e ndërmjetme shumë efikase, ku asnjëra palë nuk mund të abuzonte mbi tjetrën. Nga ana tjetër, Niko Lera thotë se, praktika dhe statistikat e gjithë këtyre viteve faktojnë që pjesa dërmuese e vlerësimeve tatimore të apeluara në Drejtorinë e Përgjithshme të Ministrisë së Financave, pjesërisht edhe në gjykata, vendimet kanë qenë në favor të administratës tatimore. Pra, nuk kemi pasur të bëjmë me një shkelje të administratës, por kemi të bëjmë më një shkelje të dispozitave fiskale nga tatimpaguesi. Por biznesi mendon ndryshe. Sipas Ferizaj, edhe në ato raste kur e drejta ka qenë me biznesin, atij nuk i janë kthyer asnjëherë shumat e marra në mënyrë arbitrare nga tatimet. Edhe në rast se ka ndodhur kjo, këto të fundit kanë dërguar përsëri kontrolle për të rimarrë përsëri atë që kanë dhënë. Ndërsa Ibrahimi thotë se, nëse vërehet një gabim, ai duhet parë në është nga mosdija apo është i qëllimshëm. Pra, nuk ekziston bashkëpunimi. Unë nuk di ndonjë rast që të jenë kthyer shumat e fituara nga biznesi nga Drejtoria e Tatimeve. Nga kjo e fundit faji mbetet në derën e gjykatës. Ajo çfarë kërkohet është rregullimi i menjëhershëm i apelimeve në sistemin gjyqësor, funksionimi real i gjykatave administrative me afate rigorozisht të përcaktuara qartë, jo shumë të gjata, dhe zbatimi korrekt i kërkesave para një apelimi, thotë Niko Lera i Tatimeve. Sipas tij, edhe në vende të tjera ndiqet e njëjta procedurë. Në të gjitha vendet ka gjykata administrative, të cilat nuk i zgjasin pafundësisht çështjet, sikurse zgjaten në Shqipëri. Ne mund të japim dhe të marrim edhe përvoja të tjera në interpretimin dhe në ripërpunimin e këtij neni. Por edhe përvoja në vende të tjera tregon që të ardhurat fiskale të buxhetit të shtetit nuk rrezikohen, interesat e shtetit nuk sigurohen nëpërmjet marifeteve për shmangien e tatimeve nëpërmjet zgjatjes së afatit të apelimeve pafundësisht deri në harresë të tyre, thotë ai.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.