Ndryshimi i çmimeve në muajin nëntor i matur sipas metodologjisë së Eurostat ka qenë i lartë për shërbimet e argëtimit dhe kulturës, teksa rritja ka vijuar edhe për grupin e ushqimeve dhe pijeve alkolike.
Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit bazuar me metoden e Eurostat në muajin nëntor 2018 është 1,4 %, ose 0,4 për qind më i ulet se raportimi kombëtar i INSTAT.
Rritja më e madhe e çmimeve prej 2,6 %, vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4 %, “Transporti” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 1,6 %, secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,2 %, “Komunikimi” me 0,5 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Veshje dhe këpucë” shënuan ulje respektive me 0,7 % dhe 0,3 %.
Në muajin Nëntor 2018, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është – 0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 1,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,3 %, “Shëndeti” me 0,2 %.
Ndërsa, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënuan rritje me 0,4 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3 %, “Transporti” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 0,2 % secili , etj.
Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë, IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.