Miliarderi Jack Ma: Si të bëheni i suksesshëm në moshën 20 vjeç, 30, 40 etj…
Kur themeluesi dhe CEO i Alibaba, Jack Ma, ishte i ri, ai aplikoi në më shumë se 30 punë dhe u refuzua prej të gjithave. Sot, Ma, 53 vjeç, drejtues i një kompanie e-commerce e cila vlen 518 miliardë dollarë, thotë se megjithatë, nuk e kish nisur rrugën e tij drejt suksesit deri sa arriti të tridhjetat.
“Në jetë, nuk është se sa kemi arritur, por sa ditë të vështira kemi kaluar dhe gabime kemi bërë” – tha para një grupi drejtuesish të rinj Jack Ma, i ftuar në World Economic Forum, takimi i përvitshëm që zhvillohet në Davos, Zvicër. “Nëse doni të bëheni i suksesshëm, mësoni nga gabimet e njerëzve të tjerë, mos mësoni nga historitë e suksesshme”.
“Kur jeni mes 20 – 30 vjeç, ju duhet të ndiqni një drejtues të mirë, të punoni për një kompani të mirë dhe të mësoni t’i bëni gjërat ashtu siç duhet” – tha Ma.
Kur jeni mes 30 – 40 vjeç, nëse doni të bëni diçka për veten, mjaft që ta bëni. Ju ende mund t’i lejoni vetes që të humbni, të dështoni” – shtoi CEO i Alibaba-s.
Menjëherë pas kësaj, megjithatë Ma këshilloi që njerëzit duhet të fillojnë t’i japin përparësi stabilitetit, familjes dhe brezave të ardhshëm”.
Në vend që të filloni diçka në një fushë të re në vitet e fundit të karrierës, Ma tha: “Kur jeni në moshën 50 – 60-vjeçare, shpenzoni kohë në formimin dhe zhvillimin e të rinjve, të brezit të ardhshëm. Kur jeni më shumë se 60 vjeç, është më mirë të kaloni kohë me nipërit e mbesat tuaja”.
Ma tha se njerëzit në mes të moshës 20 – 30 vjeç janë ata më “me fat”, pasi kanë kaq shumë për të mësuar. Në vend që të përcaktoni objektivat dhe aspiratat tuaja në bazë të historive të suksesit të të tjerëve, CEO i Alibaba-s këshilloi më mirë që ju të vini veten në garë. Ju mund ta bëni këtë duke imagjinuar atë që shpresoni të arrini në dhjetë vjet – një metodë që për Ma ka funksionuar.
“Kur isha i ri – edhe sot – unë kurrë nuk e mendoja se do të arrija këtu. Kur shikoj pas në kohë, çdo problem me të cilin jam përballur kur isha i ri, më ka ndihmuar” – tha Ma.
“Kam dështuar shumë herë në jetë, ndoshta njerëzit nuk e dinë se kam aplikuar në kaq shumë punë, më shumë se 30 të tilla, dhe gjithnjë jam refuzuar”, shpjegoi ai.
Edhe pse ndihej një njeri i dështuar para se të arrinte të 30-at, Ma kurrë nuk hoqi dorë. Ai projektoi atë çfarë shpresonte të arrinte në dhjetë vjet dhe bëri gjithçka që ta përmbushte këtë objektiv.
“Sado i zgjuar të jeni, ju do të bëni gabime – tha Ma. Ju do të mësoni nga gabimet, jo sepse ju do të jeni në gjendje të shmangni gabimet kur të vijnë, [kur] këto gabime të vijnë, ju do të mësoni si t’i përballoni ato, si të përballeni me to”.
*Zameena Mejia
Burimi: CNBC