Flet Roberto Caparrota, Shoqata e Sipërmarrësve Italianë në Shqipëri
Për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm, Shqipëria duhet të fillojë që nga institucionet, të cilat duhet të marrin parasysh që janë bizneset ato që krijojnë vende të reja pune, që janë pikërisht këto biznese që paguajnë taksat dhe si rrjedhojë, sot më shumë se kurrë, janë bizneset që kanë nevojë për mbështetje dhe për rishikimin e sistemit të taksave për t’u rimëkëmbur sërish…
Si e prisni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2017?
Klima aktuale e biznesit në Shqipëri nuk është shumë favorizuese dhe për këtë, motivet janë të shumta: një ndër më të rëndësishmet dhe që ka prekur të gjithë tipet e bizneseve nga më i vogli tek më i madhi është rritja e taksave në mënyrë të ndjeshme. Mjafton të marrim shembullin e taksës së tatimit mbi fitimin, e cila është rritur me 50% në krahasim me disa vite më parë që do të thotë nga 10% ka shkuar 15% dhe shumë taksa të tjera që janë vazhdimisht në rritje.
Taksimi progresiv ka penalizuar shumë investitorë të huaj të cilët kanë transferuar kapitalin e tyre në Shqipëri, sigurisht të favorizuar nga sistemi i vjetër i taksave i cili krejt pa pritur ndryshoi dhe si rrjedhojë, ndryshoi dhe ecurinë e shumë bizneseve të huaja, por edhe atyre shqiptare. Shumë kompani ndaluan investimet, madje disa janë tërhequr plotësisht nga Shqipëria për të provuar destinacione të reja si Maqedonia apo Mali i Zi. Të gjitha këto detaje ndikojnë negativisht në ekonominë e vetë bizneseve, por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare.
Është shumë e thjeshtë, sepse rritja e taksave çon në mënyrë automatike në rritjen e çmimeve në të gjithë sektorët, përfshirë edhe ato më të rëndësishmet që ndikojnë në mënyrë direkte në ekonominë e biznesit, si p.sh.: nafta dhe energjia elektrike.
Për 2017-n, shpresoj që të ketë rritje, sepse një nga përparësitë kryesore për Shqipërinë është nevoja emergjente për të vendosur një klimë cilësore biznesi, pasi kjo lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen ekonomike të një vendi.
Si e vlerësoni ambientin për të bërë biznes për investitorët e huaj?
Për të hapur një biznes në Shqipëri është shumë e thjeshtë, por për të filluar aktivitetin në të, bëhet gjithmonë edhe më e vështirë. Taksat nisin menjëherë në ditën që biznesi regjistrohet, ndërkohë biznesi e fillon punën me vonesë për shkak të mungesës së rrjetit elektrik, sepse OSHEE ka 45 ditë kohë afat për lidhjet elektrike dhe jo rrallëherë ky limit kalohet dhe për shumë faktorë të tjerë që nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me vetë biznesin.
Tjetër problematikë e hasur së fundmi janë kontrollet e vazhdueshme, intensive dhe shpesh agresive të inspektorateve të ndryshme nëpër biznese, të cilët pengojnë ecurinë e biznesit sepse administrata u kushton vëmendje gjithmonë e më shumë kontrolleve dhe si rrjedhojë, gjithnjë e më pak qëllimit të vetë biznesit. Një investitor i huaj sot për sot gjithashtu investon dhe nuk ka siguri për vazhdueshmërinë e biznesit të tij nëse biznesi i ndërpritet, për shkak se qeveria mund të bëjë ndryshime totale të legjislacionit. Një tjetër problem i investimeve të huaja dhe vendase është rimbursimi i TVSH-së, problemet e lidhura me të drejtën e pronës e të tjerë.
Cilët janë sektorët ku investitorët italianë kanë më shumë interes për të investuar në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë për të konkretizuar interesin e tyre?
Ky është një vend me potenciale të mëdha ekonomike. Turizmi, pasuritë minerare, prodhimi dhe shërbimet. Me pak fjalë, ka një fushë të gjerë ku mund të investohet në Shqipëri por nuk dua të lë pa përmendur këtu dhe investimet e mëdha që janë kryer dhe që ndoshta do të vazhdonin të kryheshin nëse nuk do të aprovohej ligji tashmë i famshëm në Itali për sa u përket call center-ave. Në vitin 2017, ky ligj do të fillojë të aplikohet fuqishëm dhe pjesa më e madhe e këtij lloj biznesi do të shkojë drejt mbylljes dhe si rrjedhojë, do të ngelen shumë njerëz pa punë dhe në këtë mënyrë do të ketë një rënie të ndjeshme të ekonomisë në vend.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria në afatin e mesëm dhe në afatin e gjatë për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm?
Për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm, Shqipëria duhet të fillojë që nga institucionet, të cilat duhet të marrin parasysh që janë bizneset ato që krijojnë vende të reja pune, që janë pikërisht këto biznese që paguajnë taksat dhe si rrjedhojë, sot më shumë se kurrë, janë bizneset që kanë nevojë për mbështetje dhe për rishikimin e sistemit të taksave për t’u rimëkëmbur sërish.
Bizneset kanë nevojë për përmirësime në aspektet e punës së specializuar, të cilat bëjnë të rritet profesionalizmi, kanë nevojë të mos paguhen sigurime shoqërore gjatë fazës së trajnimit të personave ende të papunësuar.
Sipas meje, njëra prej taksave që vihet që në fillim të hapjes së biznesit dhe që është e padrejtë, është ajo e tatimit mbi fitimin, e cila aplikohet që në fillim dhe paguhet me këste mujore, të cilat duhen paguar, në rast të kundërt rezulton debitor. Si rrjedhojë, nuk mund të marrësh vërtetimin që nuk je debitor ndaj shtetit, vërtetim ky që është shumë i rëndësishëm për burokracitë shqiptare dhe jo vetëm, edhe për financimet e kërkuara nëpër banka.
Duhet pasur parasysh fakti që në hapjen e një shoqërie është faza e investimeve dhe e start up-it dhe ka shumë pak mundësi që shoqëria të nisë me fitime të menjëhershme dhe si rrjedhojë taksa që nga vetë emri quhet tatim mbi fitimin sipas nesh duhet të fillojë të aplikohet pas aprovimit të bilancit vjetor të shoqërisë, nëse ky i fundit është pozitiv. Kompanitë duhet të kenë informacionin e duhur për sa i përket kostos reale që ka hapja e një aktiviteti dhe për këtë, duhet të ketë dhe ndihmën e institucioneve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.