Prej vitesh, News 24 ka sjellë diversitet në programacionin e saj, përtej lajmit të fundit, me emisione si “Koha për t’u zgjuar” çdo mëngjes me Bashkim Hoxhën, “Vila 24”, “Me zemër të hapur”, “Shqiptarët për shqiptarët”. “Programacioni është i plotë dhe gjithëpërfshirës, mungon vetëm elementi i spektaklit dhe i filmave e serialeve”, pohon Ana Kekezi, drejtoreshë marketingu në News 24.
“Synimi i çdo kanali mediatik audioviziv është të mbajë të lidhur pranë ekranit të tij audiencë të fragmentizuar dhe të përshtatet shpejt dhe në kohe me kërkesat e audiencës, që çdo ditë e më shumë bëhet më selektive. Këtë synon të beje dhe News24 me diversifikimin në portofolin e sezonit programor 2018-2019”, shton ajo.
Të rejat e këtij sezoni janë rikthimi i emisionit “Të Paekspozuarit”, nga Ylli Rakipi, ardhja e Adi Krastës, që do të ketë show-n e vet televiziv të hënën dhe emisioni “Dritare” nga Rudina Xhunga, që më parë transmetohej në Vizion Plus.
Programi “A” nga Adi Krasta është ditën e hënë dhe do të zgjasë 90 minuta. “Do të jetë një reviste mbi aktualitetin, lajmin, fake news dhe personazhet e jetës shqiptare. Do ketë një monolog hapës, disa rubrika të shkurtra të parapërgatitura, një intervistë njëshe me një të ftuar të veçante, lidhje live me NewsRoom dhe një debat të posaçëm me të ftuar të opinioneve të ndryshme”, thotë Kekezi.
Nga janari mund të ketë një intervistë nate me personazhin e ditës, por për momentin, Krasta do të fillojë vetëm me programin e të henës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.