Nga bankat te spitalet e industria, bizneset dalin në shitje

19/01/2018 11:07 PM 1 koment

Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare dhe investitorëve të huaj, bashkë me rritjen e taksave dhe efektet e formalizimit e kanë vështirësuar mjedisin për biznesin, duke krijuar mbiofertë për shitje kundrejt mungesës së interesit për të blerë. Ja cilët janë sektorët dhe arsyet sipas aksionerëve

 

Blerina Hoxha

 

Tregjet shqiptare janë përfshirë së fundmi nga një ofertë jo e zakontë për shitje, teksa interesi për të blerë mungon. Rënia e normave të fitimit, maturimi në disa sektorë, mungesa e financimeve bankare nga njëra anë, bashkë me rritjen e taksave, efektet e formalizimit dhe rritjen e tarifave dytësore nga ana tjetër, e kanë vështirësuar mjedisin e të bërit biznes dhe për rrjedhojë ka rritur numrin e kompanive në shitje si asnjëherë më parë në këto dy dekadat e fundit. Planet e shitjes kanë përshirë sektorët e mëdhenj të ekonomisë si bankat, telekomunikacionet, kompanitë e sigurimit, koncesionarët e naftës dhe disa linja të industrisë së përpunimit. Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) është në fazë finalizimi të marrëveshjes për të blerë Bankën Kombëtare të Greqisë. Të tjera banka do të jenë në shitje këtë vit.

Në fillim të këtij viti u largua Sheraton Albania, hoteli me pesë yje. Sipas bilancit të konsoliduar të Mak Albania, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania, e përqendruar në hoteleri e turizëm, rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.

Në fund të vitit të kaluar, frekuencat e kompanisë së shërbimeve celulare Plus Communication iu shitën dy operatorëve më të mëdhenj të fushës, Vodafone dhe Telecom Albania. Spitali i dytë privat më i madh në vend Hygeia është në tratativa shitjeje te operatorët e tjerë vendas. Një vit më parë, një nga kompanitë më të mëdha në vend Bankers Petroleum u shit tek një grup kinez “Geo Gade”. Disa linja të industrisë përpunuese si fabrikat e miellit dhe ato të birrës janë në shitje prej vështirësive që po sjell konkurrenca nga importet. Ndërsa më shumë se 106 mijë biznese të shitjes me pakicë kanë kaluar në regjistrin pasiv, ku në rastin më të mirë, presin të shiten, por shumica e tyre kanë falimentuar për shkak të rënies së konsumit dhe efekteve që dha formalizimi. Mbi-investimet në disa sektorë dhe shfrytëzimi i ulët i tyre pas krizës së vitit 2008 kanë nxitur edhe më tej shitjet e bizneseve.

Bankat

Ekspertët në tregje lajmërojnë se konsolidimi do të vazhdojë edhe më tej, sidomos në tregun financiar, po në rrugë për shitje janë edhe kompanitë nga sektorë me fitime të sigurta. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se procesi i shitjes nuk është më fobi as për kompanitë e mëdha. Duke komentuar zhvillimet në sektorin bankar ai tha se, përqendrimi duhet të vijojë më tej, përderisa disa aktorë të sistemit po rrinë në pasivitet dhe po nuk tentojnë të rriten.

Portofolat e lartë të kredive me probleme me rreth 14% të totalit, rënia e kërkesës për hua në tregun vendas dhe politika e konsolidimit nga bankat mëma i kanë bërë disa aktorë të sistemit pasiv vitet e fundit. Pjesa më e madhe bankave, duke përfshirë edhe të mëdhatë, kanë aplikuar politika tërheqjeje nga tregu dhe shumë prej tyre kanë në plan të shiten. Norma e kthimit të investimit është përgjysmuar në raport me vitin 2000. Ekspertë brenda sistemit pohojnë se tregu në Shqipëri nuk po prodhon fitime, teksa barra rregullatore dhe investimet në teknologji kanë rritur kostot dhe fitimet janë me pikatore. Aktualisht, në treg janë 16 banka (që pas shitjes së NBG Bank dhe përthithjes se Veneto nga Intesa Sanpaolo do të bëhen 14), por ekspertë të tregut mendojnë se tregut shqiptar i mjaftojnë vetëm 7 të tilla nëse konkurrenca është e shëndoshë.

Një studim kërkimor i Bankës Europiane të Investimeve (BEI) për tregun bankar në rajon ka gjetur se shumica e bankave vendase në Shqipëri kanë qenë më pak fitimprurëse sesa grupet e bankave mëmë gjatë periudhës tetor 2016-mars 2017. Niveli i lartë i kredisë me probleme ka peshuar negativisht në rentabilitetin e bankave. Në përgjithësi, 57% e bankave mëmë e shohin potencialin e tregut në Shqipëri si të ulët, tregoi studimi.
Për faktorë të brendshëm, por kryesisht edhe politikave të grupeve bankare që kanë degë në Shqipëri, oferta për të shitur në sektorin bankar është rritur.

Në korrik të vitit të kaluar u miratua transferimi i aseteve, Veneto Banca tek Intesa Sanpaolo S.p.A. Transaksioni që u krye nga bankat mëmë në Itali përfshiu edhe shkrirjen e tyre në vendin tonë.
Planet e ristrukturimit të paraqitura nga bankat greke si pjesë e paketës së shpëtimit të udhëhequr nga BE parashikojnë një tërheqje graduale nga aktivitetet e tyre jashtë vendit. Piraeus, banka më e madhe e Greqisë në aspektin e aseteve, planifikon të shesë filialet e saj në Shqipëri (në Shqipëri, Pireaus zotëron Tirana Bank) dhe Serbi (përveç atyre në Bullgari, Rumani dhe Ukrainë).
Ekspertë të tregut pohojnë se të gjitha bankat që janë në tkurrje kanë plane për shitje, por mungojnë blerësit potencialë. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha nëse do të kishte oferta serioze, edhe operatorë të mëdhenj të sektorit do ta transferonin pronësinë.

 

Bankat në shitje

Të gjitha bankat që janë në tkurrje kanë plane për shitje, por mungojnë blerësit potencialë. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha nëse do të kishte oferta serioze, edhe operatorë të mëdhenj të sektorit do ta transferonin pronësinë.

 

Sigurimet

Disa operatorë të tregut të sigurimeve janë gjithashtu në shitje. Qëndrimi në vendnumëro i tregut për vite me radhë, prej mungesës së kulturës së sigurimit dhe problematikës në rregullimin e tregut, e ka vështirësuar ekzistencën për operatorët e vegjël. Aktualisht në treg janë 11 operatorë, por Avni Ponari, drejtori i përgjithshëm i “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, pohoi se, tregu i sigurimeve aktualisht ka mbingopje me operatorë.

Ponari pohon se oferta për shitje në sektor është e lartë, por, nga ana tjetër, mungojnë blerësit. Tregu shqiptar kohët e fundit nuk ka qenë atraktiv për investitorët, pohoi ai, duke e arsyetuar sjelljen e tyre me mungesën e kulturës për t’u siguruar dhe një ambient jo komod për të bërë biznes. Ponari thotë se për vite me radhë nuk kemi asnjë investitor të huaj që të jetë angazhuar konkretisht në vendin tonë.
Edhe pse tregu është ende i pamaturuar dhe hapësirat për rritje janë të mëdha, kultura e ulët për shërbimet e sigurimeve dhe numri i lartë i operatorëve në treg kanë bërë të vështirë ekzistencën për shumë kompani. Avni Ponari, pohon se në këto kushte tregu mundëson ekzistencën e vetëm tre-katër operatorëve.

Të ardhurat nga shitjet e primeve të sigurimit për vitin 2016 janë 113 mln euro dhe ndahen ndërmjet 11 kompanive. Në qershor 2017 u zyrtarizua transaksioni i shitjes së 90% të aksioneve që Eurosig SHA zotëron tek Insig Jetë SHA, tek biznesmenët e njohur Samir Mane dhe Shefqet Kastrati.
Shqipëria mbetet vendi me tregun më të pazhvilluar të sigurimeve në rajon. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat për frymë nga primet ishin 39 euro në vitin 2016, teksa në rajon kjo e ardhur i kalon të 100 eurot për frymë.

 

Ponari

Tregu i sigurimeve aktualisht ka mbingopje me operatorë. Oferta për shitje në sektor është e lartë, por, nga ana tjetër, mungojnë blerësit. Për vite me radhë nuk kemi asnjë investitor të huaj që të jetë angazhuar konkretisht në vendin tonë.

 

Industria prodhuese, kthim i ulët nga investimet

Përveç ciklit të vështirë në të cilin është futur ekonomia pas vitit 2008, politikat klienteliste në disa sektorë kanë denatyruar normat e fitimit, duke detyruar që operatorë brenda një sektori të përthithen nga të tjerë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se barra e taksave, e shoqëruar me rënien e konsumit dhe mungesën e ekonomisë së shkallës, kanë ndikuar negativisht sidomos sektorin prodhues. Norma e kthimit të investimeve në sektorin e industrisë përpunuese i kalon tashmë 15 vite, ndaj disponibiliteti është më shumë për të shitur se për të blerë.

Industria e rëndë, në kërkim të blerësve

Çmimet e naftës ende nuk po rikuperohen në nivelet mesatare të tre dekadave të fundit. Çmimi i naftës në 2017-n u luhat në kuotat e 45-47 dollarëve për fuçi, ende larg mesatares së viteve 2000, kur luhatej mbi 90 dollarë për fuçi. Rënia e çmimeve në rekorde historike në janar të vitit 2016 me vetëm 29 dollarë për fuçi, niveli më i ulët se kostot e prodhimit në disa vende, vunë në vështirësi kompanitë prodhuese edhe në Shqipëri. Operatori më i madh i fushës, Bankers Petroleum u shit në 2016-n tek kompania kineze “Geo Gade”.

Ministria e Energjisë ka publikuar për negocim rreth 13 blloqe të lira kërkimi për naftë në tokë e në det që gjatë vitit 2015, por interesi në këtë drejtim ka qenë i vakët, duke u realizuar vetëm marrëveshja me Shell për bllokun katër. Ekspertë të sektorit pohojnë se perspektiva e zbehtë për ringritjen e çmimeve të naftës po i mban larg investitorët përkundër interesit të qeverisë për të zgjeruar koncesionet në sektorin e prodhimit të naftës.

Çmimet e naftës janë futur në një normalitet të ri, ku një fuçi nuk pritet të kalojë të 60 dollarët deri në vitin 2020. Banka Botërore ka bërë një analizë të thellë për ecurinë e çmimeve të naftës, në të cilën arrin në përfundimin se çmimet do të vijojnë të jenë poshtë 60 dollarëve edhe për katër vitet në vijim, për faktorë që rrjedhin si nga krahu i ofertës dhe ai i kërkesës. Për pasojë, tregu shqiptar por edhe ai botëror po vuajnë pasojat e mbiofertës për shitje në këmbim të një interesi të ulët për blerje.

Për shkak të çmimeve të ulëta në tregun ndërkombëtar, në shitje janë edhe bizneset e sektorit minerar. Në shtator të vitit 2015, kompania më e madhe e sektorit, Beralb mbylli aktivitetin, ndërsa bizneset e tjera janë në konservim dhe pjesa më e madhe e tyre janë në shitje për shkak të borxheve, bënë me dije burimet nga Ministria e Energjetikës. Rritja e çmimeve të metaleve në tregun ndërkombëtar, edhe këtë vit, ishte poshtë parashikimeve të janarit. Për këtë arsye, mineralet e nxjerra nga nëntoka janë në stokazh, në pritje të çmimeve më të larta.

Industria e përpunimit, fabrikat e blojës në shitje

Fabrikat e blojës po dalin në shitje nga zotëruesit e tyre si pasojë e konkurrencës së miellit nga importi dhe përkeqësimit të mjedisit të biznesit nga taksat e larta dhe mbiinvestimet.
Adi Haxhiymeri, i cili zotëron fabrikën e miellit “Bloja”, po merr në konsideratë shitjen, por në sfond nuk ka blerës, pasi tregu nuk është atraktiv në këtë periudhë. Fabrika “Bloja” pa përgjysmim të xhiros më 2016 dhe situata, sipas zotit Haxhiymeri, i cili e drejton atë, është përkeqësuar gjatë këtij viti. Nga 3.7 miliardë që ishin shitjet e fabrikës “Bloja” në vitin 2015, ato ranë në 1.4 miliardë lekë më 2016 dhe 2017 pritet të mbyllet edhe më keq.

Edhe operatori tjetër i madh i tregut, “Miell Tirana”, në 2016-n e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i “Miell Tirana”, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë atë në fushën e importit.

Në vështirësi nga konkurrenca e importit janë vënë edhe fabrikat e prodhimit të birrës, të cilat për të tretin vit me radhë po ngushtojnë praninë në treg, për shkak të rritjes së importeve të këtij produkti. “Më kushton shumë herë më lirë ta importoj nga jashtë produktin dhe ta shes në rrjetin e shpërndarjes që kam ngritur se sa ta prodhoj këtu. Puna është se kam të punësuar rreth 200 punonjës, pjesa më e madhe e tyre në fabrikën e prodhimit të birrës dhe e kam të rëndë t’i pushoj”, tha Stefan Pinguli, administrator i fabrikës së prodhimit të birrës “Stela”.

Në një intervistë për “Monitor”, ai shpjegoi disa kosto të fshehura që, përveç taksave të rritura, presioni fiskal po e bën industrinë vendase të punimit jokonkurruese.
Edhe fabrikat e qumështit dhe të mishit po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi për të konkurruar në tregun vendas, pasi e kanë të ndaluar eksportin. Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve që zotëron linja të përpunimit të mishit dhe peshkut për eksport, pohon se informaliteti në sektor, nëse vijon i tillë edhe për dy vite të tjera, do të nxjerrë në shitje fabrikat e përpunimit të produkteve ushqimore. Forcimi i kontrolleve dhe penaliteteve ndaj operatorëve të mëdhenj, teksa të vegjlit vijojnë të shesin pa rregulla, shumë shpejt ka për t’i vënë bizneset e rregullta me shpatulla pas muri në të gjithë industrinë, thotë Zusi.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se politikat ekonomike ende nuk po prodhojnë një platformë që të rrisë interesin për investime. Sipas tij, ky fakt duket paradoksal në kushtet kur ekonomia jonë është ende e pamaturuar në shumë sektorë, po nga ana tjetër, kthimi i investimeve në Shqipëri është bërë gjithnjë e më i vështirë. Mesatarja botërore njeh kthimin e investimeve për një periudhë 3-7-vjeçare, por ekonomia shqiptare, në kushtet e tanishme, nuk e respekton këtë rregull, madje kthimi i investimeve në disa sektorë kërkon 15 vjet.

 

Kthimi nga investimet

Mesatarja botërore njeh kthimin e investimeve për një periudhë 3-7-vjeçare, por ekonomia shqiptare, në kushtet e tanishme, nuk e respekton këtë rregull, madje kthimi i investimeve në disa sektorë kërkon 15 vjet.

 

Energjia, lejet dhe licencat në shitje

Ish-qeveria Berisha ka miratuar ndërtimin e rreth 525 hidrocentraleve të vogla në të gjithë vendin, por deri më tani kanë përfunduar rreth 140 të tillë, ndërkohë që pjesa më e madhe e lejeve të dhëna për to janë në shitje. Lejet dhe kontratat koncesionare të HEC-eve janë tregtuar që në ditët e para që janë dhënë, por së fundmi shitja e tyre është kthyer në emergjencë, pasi afatet për nisjen e punimeve po skadojnë. Altin Fortuna që ka një leje të tillë e ka nxjerrë në shitje, por thotë se në treg nuk ka blerës për dy arsye.

E para, bankat nuk po i kreditojnë projektet e HEC-eve, nëse nuk kanë kolateral që kalon 150% vlerën e kredisë. Mirëpo kontratat e HEC-eve, në të shumtën e rasteve disponohen nga persona që nuk kanë kolateralin e mjaftueshëm. Stoku i kredisë për bizneset në muajin tetor shënoi rënie vjetore me 8.6 miliardë lekë.

Por, nga ana tjetër, personat që disponojnë lejet pohojnë se, as investitorët e huaj nuk ofrohen të jenë bashkinvestitorë. “Kam ofruar gati 70% të aksioneve për investitorin në pesë vitet e para të aktivitetit të HEC-it, por nuk kanë pranuar, edhe pse energjia e pastër e ka të sigurt tregun dhe çmimet janë gjithnjë e në rritje”, – thotë Fortuna. Ai pohoi se, si pasojë e kësaj situate, tregu i energjisë së rinovueshme ka mbiofertë për shitje, por nuk ka aspak nevojë për blerje.

Aktualisht, pranë Drejtorisë Hidroenergjetike, janë 185 Kontrata Koncesionare (të formës BOT, ROT, BOO) të nënshkruara ndërmjet Autoritetit Kontraktor (Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë) dhe Shoqërive Koncesionare vendase apo të huaja, për ndërtimin e 525 hidrocentraleve të tipit me derivacion, me digë apo dhe të kombinuara. Nga këto HEC-e, sipas AKBN, 117 janë në prodhim dhe 43 në ndërtim, të tjerat janë në fazën e ndjekjes së procedurës së lejeve.

Mbiofertë, edhe në tregti

Tregtia me pakicë është futur në një periudhë të vështirë të aktivitetit për shkak të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe rënia e konsumit dhe formalizimit. Këto arsye e kanë rritur ofertën për shitje të aktiviteteve në sektorin e tregtisë me pakicë, kundrejt një interesi më të paktë për blerje. Të dhënat nga Tatimet e ilustrojnë këtë fakt, pasi vetëm gjatë një viti, mbi 10 mijë e 500 biznese kanë kaluar me status pasiv. Në rastin më të mirë, shumica e tyre janë në shitje dhe të tjera në proces falimenti.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka përditësuar listën e subjekteve pasive deri më 25 tetor të këtij viti. Numri i përgjithshëm i bizneseve në këtë listë arrin në rreth 103 mijë. Vetëm nga 1 janari deri më 24 tetor 2017, listës i janë shtuar 10,578 biznese të reja.
Të paktën 25% e bizneseve të mbyllura gjatë këtij viti u përket muajve shtator-tetor, kohë kur qeveria e re deklaroi nismën për Antiinformalitet. Nga të dhënat e listës konstatohet se muajt e fundit ka pasur një numër të madh biznesesh ambulante që kanë kaluar si pasiv.
Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.

Sipas sondazheve të zhvilluar nga Qendra e Kërkimit Monitor, kriza, konkurrenca e shtuar, gjobat, taksat e larta janë disa prej arsyeve që po zhysin tregtinë me pakicë në krizë. Nga rezultat e sondazheve, 60% e bizneseve të anketuara mbi arsyet e mbylljes operonin në sektorin e tregtisë me pakicë (dyqane ushqimore apo veshjesh) dhe në sektorin e shërbimit (bar-kafe). Nga 300 bizneset shqiptare të anketuara, 62 prej tyre ishin bar-kafe, afërsisht 41% e totalit.
70% e bizneseve që mbyllen në Shqipëri japin si arsye kryesore krizën. 70% e bizneseve që kanë detyrime të pashlyera nuk kanë mundësi që t’i paguajnë ato.

Mbiinvestimet nxisin shitjet dhe falimentet

Teksa ekonomia shqiptare është duke u rritur nën potencial, shumë sektorë po vuajnë nga mbiinvestimet e larta. Disa linja të tregut kanë investuar aq shumë në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit dhe depozitimit, saqë edhe një rikthim hipotetik i vrullshëm i konsumit si para krizës nuk do të shfrytëzonte tërësisht potencialet e tyre. Superinvestimet erdhën nga zhvillimet e shpejta të disa sektorëve brenda një kohe të shkurtër, të tilla si ndërtimi dhe zinxhiri që lidhet me të dhe nga konkurrenca e pakontrolluar ndërmjet operatorëve në linja të tjera të prodhimit dhe shërbimeve.

Kriza e ekonomike e 2008-s e ka sjellë ekonominë shqiptare në një normalitet të ri, ku rritja ekonomike e para gjashtë viteve (6%) as nuk mund të ëndërrohet dhe mbajtja e konsumit mbi zero konsiderohet zhvillim pozitiv. Në këto kushte, as kapacitetet normale të investimeve nuk po shfrytëzohen. Sipas raportimeve nga Banka e Shqipërisë, në fund të tremujorit të tretë 2017, norma shfrytëzimit të investimeve ishte 69%. Edhe gjatë periudhës së “artë”, 2007-2008, norma e shfrytëzimit të investimeve nuk ka qenë më shumë se 76%.

Banka e Shqipërisë dhe ekspertët e saj shpjegojnë se përdorimi i dobët i kapaciteteve është sinjali më i qartë për rritjen e dobët ekonomike në periudhën afatmesme. Rritja e hendekut të prodhimit lajmëron se ekonomia nuk ka nevojë për investime të reja dhe vende pune shtesë në një hark kohor trevjeçar. Nga këto ngjarje, zhvillimet ekonomike duket se kanë rënë në rreth vicioz, pasi mosshfrytëzimi i kapaciteteve është bërë shkak për dobësitë në konsum, i cili nga ana e vet, po i kthehet biznesit në bumerang për shitjen e produkteve. Mosarritja e shitjes së produkteve nuk gjeneron të ardhura dhe për pasojë, biznesi nuk ka nevojë të rrisë prodhimin.
Vetëm sektori i naftës llogarit 350 milionë euro mbiinvestime në linjat e depozitimit. Këto vlera monetare tashmë të investuara nuk po shfrytëzohen. Të nxitur nga disa projekte të mëdha energjetike të prezantuara nga ish-qeveria Berisha para viteve 2008, tregtarët e mëdhenj të karburanteve rritën kapacitetet depozituese.

Mbiinvestime kanë edhe disa sektorë të tjerë që lidhen me ndërtimin. Prodhimi i tullave, çimentos, nga njëra anë, dhe tregtia e hidrosanitareve e materialeve të tjera të ndërtimit nga ana tjetër, u zgjeruan pa marrë në konsideratë perspektivën afatgjatë të sektorit. Vetëm në industrinë e prodhimit të tullave llogariten 50 milionë euro të investuara tepër. Gjatë viteve e fundit kanë falimentuar 6 fabrika, – thotë Vahid Ruli, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Prodhimit të Tullave.

Në të njëjtën situatë janë edhe fabrikat e çimentos. Operatorët kanë shpjeguar se, tregu është në një situatë mbingopje, me një “mbiprodhim” prej gati 2 milionë tonësh në vit. Mundësitë e prodhimit vendas të çimentos janë rreth 3 milionë tonë në vit, ndërkohë që tregu ka nevojë për më pak se 1 milion tonë. Sektori i industrisë ka hendekun e prodhimit mesatarisht 30%. Qysh prej vitit 2008, në ditët më të mira, sektori i industrisë nuk ka mundur të shfrytëzojë më shumë se 70% të investimit.

Në fund të vitit 2007, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për industrinë ishte 76%. Por tani, 6 vite më pas, hendeku i prodhimit në industri është rritur mbi 3%. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi vlerën 73% në tremujorin e tretë 2017. Bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre. Ndikimin e ka dhënë industria e rëndë.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

1 Koment në "Nga bankat te spitalet e industria, bizneset dalin në shitje"

Notify of
avatar
Sort by:   newest | oldest | most voted
Anonymous
Guest

Keq e me keq po i ka punet ky vendi yne treg kaq i vogel.Ters i madh po na ndjek.I mbyllur me dogana dhe rroje, Mijra tatimore police,kontrollore, doganiere prokurore, gjyqtare, avokate…e mijera parazite e jo prodhimtare te tjere…si mund te zhvillohet kur nuk ja vlen te investohet ne asgje…?

wpDiscuz