Industria e shërbimeve financiare e sheh të ardhmen jashtë Bashkimit Europian
Qyteti i Londrës është i shqetësuar në lidhje me Brexit, veçanërisht për diskutimin e një dalje të vështirë të Britanisë nga tregu i vetëm i përbashkët i Bashkimit Europian, shkruan The Economist. Kjo ngre dyshime në lidhje me të ardhmen e pasaportës, e drejtë, e cila lejon siguruesit e shërbimeve financiare që të tregtojnë në të gjithë BE-në pa një legjislacion të veçantë apo kërkesë për kapital. Një tjetër shqetësim është se qeveria ka në plan që të fillojë procesin formal të daljes së vendit nga unioni në fund të marsit. Kjo do të thotë se Britania do të jetë jashtë unionit në vitin 2019, por që përsëri bankat duhet ta planifikojnë këtë dy apo tre vite më parë. Prandaj, paralajmërimi i fundit nga Anthony Browne, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bankierëve Britanikë, është se bankat mund të fillojnë të zhvendosin vendet e punës në Europë në fillim të vitit të ardhshëm.
Ironik është fakti se ky nervozizëm përkon me përvjetorin e tridhjetë të Big Bang-ut, hapi liberalizues që kryesisht krijoi qytetin e sotëm (më së shumti i ndihmuar dhe nga zgjerimi i zonës Canary Wharf). Përpara Big Bang-ut, tregon një financier, qyteti nuk ishte i zhvilluar, si dhe kishte një frikë se mund të dështonte jo vetëm ndaj Nju Jorkut, por edhe ndaj Europës Kontinentale. Ishte Big Bang-u, i cili forcoi dominimin e Londrës në financat europiane. Tani është Brexit që mund ta sfidojë këtë.
Nuk ka diskutim në lidhje me rëndësinë që kanë shërbimet financiare në ekonominë britanike. TheCityUK, një grup lobues, thotë se 1.1 milionë njerëz punojnë drejtpërsëdrejti në këtë biznes, duke shtuar këtu dhe 2.2 milionë të tjerë të cilët punojnë në mbështetje të infrastrukturës. Dy të tretat e tyre janë jashtë Londrës. Shërbimet financiare kontribuojnë me 12% të taksave kombëtare. Veprimet bankare janë eksportet më të mëdha të vendit. Shërbimet Financiare dhe shërbime të tjera të lidhura me sistemin bankar gjenerojnë një suficit vjetor tregtar 55 miliardë paund (67 miliardë dollarë).
Megjithatë, ata të cilët ishin pro daljes, janë të pashqetësuar nga kërcënimi i bankave “për t’ia mbathur nga vendi”. Ata thonë se, meqenëse financa po zhvillohet globalisht, pasaporta nuk do të ketë më rëndësi. Asnjë vend tjetër i Europës nuk mund ta zëvendësojë Londrën, konkurrentë të së cilës janë Nju Jorku, Singapori dhe Hong Kongu. Qyteti shfaqi të tilla shqetësime për humbjen e vendeve të punës edhe pas vendimeve të Britanisë për të mos iu bashkuar përdorimit të monedhës euros, e cila u provua që ishte gabim. Ata argumentojnë se Londra është një aset i rëndësishëm i Europës, jo vetëm i Britanisë, pasi kompanitë europiane dhe bankat kanë nevojë për të, kështu që politikanët nuk do ta dëmtojnë.
Kjo duket se i kënaq ata të cilët punojnë në qytet. Merrni në shqyrtim pasaportizimin (ky term nënkupton që bankat dhe kompanitë e tjera financiare mund të jetë të autorizuar për të bërë biznes në një shtet anëtar të BE-së, ose pak më gjerë në Zonën Ekonomike Evropiane, EEA, pa pasur nevojë të jenë të autorizuar veçmas në secilin vend). Ka shumë lloje pasaportash, nga menaxhimi i aseteve deri te shoqëritë e siguracioneve dhe bankat. Për disa sektorë, si p.sh. “fondet e mbulimit” dhe siguracionet e përgjithshme, pasaporta mund të mos ketë shumë rëndësi. Por një raport i Open Europe, grup ekspertësh, nënvizon se pasaporta është kritike për bankat e investimit. Disa prej bankave, tashmë janë të vendosura në më shumë se një vend: Citibank ka një filial të kapitalizuar në Dublin. Por, pjesa më e madhe jo. BE-ja përllogarit se një e pesta e bizneseve të tyre, nëse ato humbasin pasaportën, mund të vendosen diku tjetër (agjentët e pasurive të paluajtshme raportojnë se po kërkojnë për hapësira të lira në Frankfurt). Zhvendosja do të kushtojë miliarda, ndërsa marzhet e fitimeve janë të ulëta.
Për kërkesat, të cilat asnjë vend tjetër nuk mund t’i konkurrojë, Londra me siguri do të vazhdojë që të mbetet qendra më e madhe financiare europiane. Por, financa nuk është statike. Të rinjtë, në biznesin e teknologjisë financiare që po rritet me shpejtësi, mund të zhvendosen kudo. Ka shumë vende rivale ku shërbimet financiare mund të vendosen, që nga Frankfurti, Amsterdami dhe deri jashtë Europës. Zyra e parë jashtë kufijve e Morgan Stanley ishte në Paris dhe jo në Londër. JPMorgan Chase ka paralajmëruar se Brexit do të shkaktojë humbjen e 4 mijë vendeve të punës, ndërsa HSBC ka diskutuar për transferimin e 1,000 punonjësve në Paris. Oliver Wyman, firmë konsulente, përllogarit në një raport të hartuar për TheCityUk se një dalje e vështirë e Britanisë do të kushtojë 75 mijë vende pune, një goditje e fortë. Mark Boleat llogarit se një e treta e këtyre vendeve do të zhvendosen në Europë, një e treta tjetër në Nju Jork, dhe pjesa e mbetur thjesht do të zhduket.
Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë se shtetet e tjera do të mbështesin qytetin. Industria e shërbimeve financiare ka humbur popullaritetin në mbarë Europën, dhe po shikohet gjerësisht si shkaktari i krizës financiare. Qeveri të tjera duan të përfitojnë ndonjë pjesë nga ky biznes i Londrës. Likuidimi dhe ndërrimi i vendndodhjes janë shembuj kryesorë. Londra merret me pjesën më të madhe të likuidimit të tregtive në euro, por Banka Qendrore Europian ka dashur me kohë që t’ia transferojë këtë funksion Frankfurtit. Një përpjekje më e hershme është kundërshtuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, por Brexit do ta largojë mbrojtjen e gjyqësorit. Përfitimet nga likuidimi kanë shumë rëndësi për Bursën e Londrës.
Emigracioni është një shqetësim tjetër. Industria ka nevojë që të punësojë staf nga e gjithë Europa, megjithatë ata të cilët janë pro-Brexit duan të vendosin regjimin e vizave dhe lejeve të punësimit. Një raport nga PwC, firmë konsulente, hedh idenë e vizave rajonale vetëm për Londrën. Megjithatë, është e vështirë për ne që të imagjinojmë qytetin me kontrolle të gjëra, sikurse është e vështirë që të imagjinojmë që t’i jepet akses i plotë në tregun e përbashkët europian.
Zhurmat e mbytura nga Qyteti, pjesërisht mund të shkaktohen për të shpërqendruar ministrat, të cilët janë pro-daljes nga BE-ja. Por, bankierët janë shumë seriozë mbi nevojën për qartësi të marrëveshjes së daljes në 2019, nëse nuk duan që ata të fillojnë me zhvendosjen e vendeve të punës shpejt. Shpresa e tyre më e madhe është që kancelari Philip Hammond ta bëjë vazhdimësinë e përdorimit të pasaportës së bankave një nga çështjet kryesore të negociatave. Megjithatë, ata nuk janë optimistë.
Jehona e Brexit
Irlanda mund ta ndiejë më së shumti daljen e Britanisë nga BE, ky fakt e bën atë një nga vendet europiane që kërkon lehtësi për të.
Më 25 tetor, John Bruton dhe Bertie Ahern, dy ish-kryeministra irlandezë, morën pjesë në Komitetin Britanik të Shtëpisë së Lordëve, për të diskutuar mbi ndikimin e vendimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian mbi fqinjin perëndimor. Të dy burrat dukeshin të zymtë. Brexit, tha zoti Bruton, mund t’i japë ekonomisë së Irlandës një goditje më të rëndë se sa vetë Britanisë, edhe pse, shtoi ai me ironi, Irlanda nuk kishte asnjë rol në këtë vendim. Që nga viti 1973, vit në të cilin të dy vendet iu bashkuan BE-së, bizneset irlandeze janë ndërthurur me ato britanike, tha zoti Ahern. Zgjidhja e këtyre zinxhirëve do të jetë shkatërruese.
Goditja e parë është marrë, thotë Fergal O’Brein nga IBEC, një grup lobues biznesi. Ndërsa sterlina është dobësuar, eksportet në Britani janë bërë më pak konkurruese, kurse importet më të lira. Britania merr dy të pestat nga eksportet e firmave irlandeze, dhe një ndarje të ngjashme për të gjitha produktet bujqësore. Fermerët që tregtojnë mish dhe bulmet dhe disa prej fermave të përpunimit të kërpudhave, të cilat eksportojnë katër të pestat e produkteve të tyre në Britani, tashmë janë mbyllur. Kjo do të përkeqësohet ndërsa sterlina dobësohet dhe pasiguria e biznesit ka goditur kërkesën.
Në momentin që Britania do të largohet nga BE-ja, firmat irlandeze do të përballen me vështirësi të mëtejshme. Këto mendime mbi eksportet përgjithësisht fillojnë me Britaninë, nënvizon Alan Barrett nga Instituti i Kërkimeve Ekonomike dhe Sociale, një grup ekspertësh në Dublin. Gjithashtu shumë punëtorë irlandezë fitojnë përvojë dhe trajnime përtej detit. Pas Brexit, firmat irlandeze do të luftojnë që të thyejnë tregun e vogël vendas dhe nuk do të kenë shumë mundësi rekrutimi. Zinxhirët e shpërndarësve dhe ofruesve kryqëzohen përgjatë të dy ishujve. Nëse do të rivendosen tarifat dhe kontrollet doganore, këto lidhje do të prishen. Tregtia do të bjerë më shumë, sikurse ligjet, që nga etiketimi i ushqimeve deri te standardet mjedisore, do të ndryshojnë.
Qeveria irlandeze është veçanërisht e shqetësuar në lidhje me kufirin e Irlandës së Veriut, pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe republikës jugore. Për dekada, Irlanda e Veriut ka vuajtur prej luftërave civile midis republikanëve që kanë luftuar për një Irlandë të bashkuar dhe sindikalistëve të bindur për të qëndruar me Mbretërinë e Bashkuar. Marrëveshja e paqes “E Premtja e Mirë” në vitin 1998, angazhoi të dyja qeveritë, si dhe administratën e deleguar të Irlandës së Veriut, për të hequr kontrollet në kufirin midis Veriut dhe Jugut.
Kjo ka lehtësuar biznesin, politikën dhe lidhjet kulturore, sikurse ka bërë dhe “Zona e përbashkët e udhëtimit”, një marrëveshje afatgjatë që iu jep të drejtë qytetarëve të të dy ishujve që të udhëtojnë lirisht midis tyre. Brexit mund të zgjojë shumë prej këtyre “problemeve të fjetura”, thotë Noel Whelan, një analist politik në Dublin. Përveçse nëse Britania do të mbesë në tregun e vetëm të përbashkët dhe pranon lëvizjen e lirë të njerëzve, (e cila duket e pamundur), stabiliteti i veriut është në rrezik.
Një zgjidhje e diskutueshme është vendosja e kontrolleve doganore dhe të emigracionit, jo midis dy vendeve (veri dhe jug), por midis dy ishujve. Zyrtarët britanikë do të vendoseshin në portet e republikës dhe aeroporte, si dhe qytetarët e Irlandës do të duhet të përdornin pasaportën për të udhëtuar në pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo do të jetë më pak e papëlqyeshme se sa përforcimi i kufijve veri-jug. Por, ky kufi shumë shpejt do të jetë ndarësi i BE-së nga Britania, nënvizon Dara Murphy, ministrja irlandeze e Çështjeve Europiane, si dhe BE-ja do t’i duhet të jetë dakord për çdo marrëveshje që do të marrin qeveritë e dy vendeve. Shqetësimi kryesor i Irlandës, thotë ai, është që të sigurohet se Britania së bashku me pjesën tjetër të Europës të kuptojnë rrezikun që kanoset në të dyja pjesët e Irlandës.
Qeveria irlandeze po përpiqet që rikuperojë çfarë të mundet. IDA Irlandë, Agjencia Kombëtare e Investimeve, po dyfishon përpjekjet që “të shesë” forcën punëtore të kualifikuar dhe taksimin e ulët të korporatave tek investitorët e huaj. Shërbimet financiare janë më premtuese, thotë Feargal O’Rourke nga zyra në Dublin e PwC-së. Konsulentë irlandezë po mbledhin të dhëna se bankat që operojnë në Londër mund të mbajnë “pasaportën” që iu jep të drejtë të bëjnë biznes në Europë, duke zhvendosur aktivitetet e tyre në Irlandë. Disa po hamendësojnë se Irlanda mund të përfitojë 20,000 vende pune prej kësaj.
Duke parë drejtimet e shumta, nga të cilat Brexit do të dëmtojë Irlandën, këto vende punë vështirë se do të jenë çmim ngushëllues për të. Por, nuk ka hapësirë për t’u ligështuar. Sa më pak Brexit të dëmtojë Britaninë, aq më mirë do të jetë për Irlandën,- thotë Johnny Fallom, analist politik. Kjo do të thotë se Irlanda duhet të bindë pjesën tjetër të Europës që të tregohet bujare me Britaninë për sa u përket kushteve të daljes. Disa prej vendeve dëshirojë që të shikojnë Britaninë që të përmbyset pas daljes nga BE-ja,- tha ai. Por, jo Irlanda.