Për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor,sfidat nuk janë të pakta. Nëpërmjet politikave stimuluese, ata po përpiqen që të arrijnë konvergjencën me Bashkimin Europian, që në rastin më optimist do të kërkojë disa dekada, në më të keqin dy shekuj. Nga konsolidimi fiskal, te paketat konkurruese, vendet e rajonit po përpiqen që të shndërrohen në një oaz ekonomik për investimet e huaja. Europa po nxit integrimin e tyre si një treg i përbashkët
Nga Ledina Loga
Është kthyer tashmë në një ritual të përvitshëm, që në fshatin bregdetar Becic, në Budva të Malit të Zi, të mblidhen njerëzit më të rëndësishëm, që kanë në dorë politikat monetare dhe fiskale të Ballkanit Perëndimor. Ky ishte samiti i shtatë rajonal i Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Fiskale. Në fokus të samitit ishte “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, dhjetë vjet pas krizës financiare globale”.
Paneli, i cili u udhëhoq nga ministrat e Financave dhe përfaqësues të ministrive, pati në fokusrëndësinë e mëtejshme të konsolidimit fiskal dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike të rajonit. Rritja ekonomike e rajonit në 2018-n është projektuar 2.4%.
Sfidat kryesore të rajonit mbeten forcimi i politikave makroekonomike, rritja e konkurrueshmërisë, si dhe politikat fiskale, të cilat do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit të konvergjencës.
Sipas studimeve, konvergjenca e vendeve të rajonit me Bashkimin Europian, në rastin më optimist do të mund të arrihet vetëm në 2053, bazuar mbi të dhënat makroaktuale do të arrihet në vitin 2078, dhe sipas skenarit pesimist, konvergjenca do të arrihet në 2220.
Procesi i konvergjencës kërkon rritjen me ritme më të shpejtë se vendet e BE-së, për të arritur sa më shpejt mesataren europiane të të ardhurave. Gjatë panelit u theksua se konsolidimi fiskal ka arritur që të ulë borxhin në Serbi, Bosnjë dhe Shqipëri. Por shqetësues mbetet ende niveli i lartë i papunësisë në të gjitha vendet e rajonit.
Ministrat në panel nënvizuan se duhet që të bashkërendojnë politikat për ta bërë rajonin me një popullsi prej 18.3 milionë banorësh më tërheqës për investimet e huaja.
Për Fatmir Gashin, zëvendësministër i Financave të Kosovës, qëndrueshmëria fiskale është kushti për zhvillimin ekonomik të WB6.
Problemet e një rajoni
Problemi më i madh për të gjashtë vendet vijon të mbetet niveli i lartë i korrupsionit dhe ekonomia në të zezë, por së fundmi vendet po përballen edhe me largimin e njerëzve të kualifikuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për z. Goran Pekez, drejtor i çështjeve korporative dhe komunikimit në kompaninë JTI (Japan Tobacco International) për Ballkanin Perëndimor, ka shqetësim për rritjen e tregtisë ilegale në këto vende, kryesisht në Bosnjë dhe Malin e Zi.
Të hyrat nga akcizat në produktet e duhanit në Mal të Zi në katër muajt e parë të vitit 2018 janë zvogëluar për 25,6%, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina ka humbur 770 milionë euro të të hyrave tatimore nga viti 2010 deri më sot. Humbjet janë shkaktuar me rritjen agresive të akcizave dhe rritjen e tregtisë ilegale, argumentoi Pekez në Samit.
Arsyeja për rritjen e shpejtë të tregtisë ilegale me produkte të duhanit në Mal të Zi është rritja e fundit e akcizës specifike nga 30 në 40 euro në 1.000 cigare, njëkohësisht me rritjen e TVSH-së prej 2%, që ka çuar deri te rritja dramatike e çmimeve dhe rënies së dukshme në shitjen e cigareve në tregun legal. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, akciza është rritur nga 28 euro në vitin 2010, deri në 83 euro për 1.000 cigare në vitin 2018. Rritja e akcizave dhe çmimeve të produkteve të duhanit ka qenë barrë shumë e madhe për konsumatorët, të cilët u janë kthyer alternativave ilegale.
Goran Pekez ka theksuar posaçërisht shembullin e Serbisë, ku përpjekjet e përbashkëta të shtetit dhe industrisë kanë sjellë deri te kalendari optimal i akcizave, i cili me rezultatet në luftë kundër tregtisë ilegale, sot rezulton me rritje konstante të të hyrave buxhetore. Industria e duhanit është një nga kontribuuesit tatimorë më të mëdhenj në rajon, me një kontribut prej 2,6 milionë eurosh. Vetëm JTI ka paguar akcizë në vlerë më shumë se 482 milionë euro në rajon, në vitin 2017.
Sipas të dhënave të publikuara nga JTI, industria e duhanit kontribuon në të ardhurat tatimore të vendit me 4% në Shqipëri. Sipas të dhënave rajonale është ndër më të ulëtat në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.