Nga garazhi i Bezos te 1 trilion dollarë

10/09/2018 9:09 AM 0 komente

Historia e Amazon që sot kërkon të kapërcejë Apple

 

Prej disa ditësh, Amazon dhe Apple janë dy kompanitë e vetme në botë, të cilat kanë një kapitalizim tregu më shumë se 1 trilion dollarë. E para ishte kompania me seli në Cupertino, Apple. Tani është kolosi me seli në Seattle që kapërcen këtë mur që dukej i pakalueshëm për këdo.

Historitë e dy gjigantëve të teknologjisë janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme. Dy histori që shpjegojnë mirë – nëse kjo është ende e nevojshme – se si teknologjia dixhitale, interneti dhe të dhënat janë bërë nafta e re prej të paktën një dekade.

Dhe mjafton të shohësh klasifikimin e dhjetë kompanive me xhiro më të madhe në vitin 2008, për ta kuptuar më mirë: nuk ishin as Amazon, as Apple, në një klasifikim që dominohej nga Exxon dhe General Electric, me Microsoft dhe Google që zinin vendet e para.
Në shtator të 2008-s, Amazon vlente 34,5 miliardë dollarë, Apple 119. Ngjitja e gjatë sapo kish nisur, pa e kuptuar askush.

 

Nga garazhi i Bezos te 1 trilion dollarët në bursë

Ishte viti 1994 kur Jeff Bezos, plotësisht i pavetëdijshëm se 24 vjet më vonë do të bëhej njeriu më i pasur në botë, krijoi Amazon. Kohët e fundit, ai kishte lënë punën si zv.president në D.E Shaw në Nju Jork për t’u transferuar në bregun perëndimor, në Bellevue, Uashington. Këtu, 30-vjeçari Jeff vendosi të blinte një shtëpi. Dhe po këtu, në garazhin e tij, krijoi Amazon.

Zgjedhja e emrit, sipas rrëfimeve që vijnë nga ato anë, e la shumë net pa gjumë. Bezos dëshironte për kompaninë e tij një emër që të fillonte me shkronjën A, në mënyrë që të shfaqej i pari në renditje të ndryshme. Dhe duke shfletuar në enciklopedi gjeti Amazonë, emri i një prej lumenjve më të gjatë në botë.

 

Krahasimi / Evolucioni i tregut të kapitalizimit të Apple dhe Amazon

 

Ideja fillestare ishte që të shiste libra në të gjithë botën. Një librari online. Pa rafte, pa kufij. Plani i biznesit parashikonte 5 vjet humbje. Bezos vuri në lojë kursimet e tij dhe ato të prindërve për fazën startup: 300 mijë dollarë. Fitimet e para do të vijnë vetëm në vitin 2001, por ndërkohë flluska e internetit kishte shpërthyer dhe Amazon kishte nisur të rritej shumë.

Hyrja në bursë daton në vitin 1997. Dy vjet më vonë, Amazon numëronte më shumë se 2 mijë të punësuar (sot,më shumë se 566 mijë persona) dhe kishte kaluar kufijtë europianë. Libraria më e madhe në botë, ndërkohë, shiste CD, filma, software, pajisje elektronike, videogame, lojëra dhe pajisje për shtëpinë.

Në vitin 1998, Amazon është shembulli më konkret i eCommerce në botë dhe revista “Time” i kushton Jeff Bezos kopertinën si “Njeriu i vitit”. Prezantimi i Kindle të parë, lexuesi i librave në formatin elektronik, është një histori e kohëve të fundit: pajisja me ekran monokromatik 6 inç, doli në treg në tetor të vitit 2009. Me kalimin e viteve dolën në treg edhe 14 modele të reja.

Më pas u prezantuan shërbime si Prime, që do të ndryshonte përgjithmonë botën e logjistikës së eCommerce. Apo Web Service, i cili përfshin një seri shërbimesh të cloud computing dhe që sot i siguron Amazon miliarda fitime. Të mos harrojmë Create Space (një sistem për të publikuar librin tuaj online) dhe Alexa, asistentin inteligjent te pajisjet Eco. Në vitin 2017 bleu Whole Foods Market rrjetin e supermarketeve, që gjendeshin në lagjen e tij. Ishin këto të gjitha lëvizjet që e ndihmuan Amazon të bëhej një gjigant me një kapitalizim prej më shumë se 1 trilion dollarë.

Në historinë e këtij kolosi ka vend edhe për një ndër pajisjet më të bujshme në historinë e teknologjisë moderne. Quhet Fire Phone dhe u prezantua nga vetë Jeff Bezos më 18 qershor 2014,i cili duhej të ishte antagonisti i iPhone. Çdo gjë dukej në rregull që Amazon të trondiste sektorin e smartphone, por Fire Phone u refuzua nga tregu. Dhe Amazon, të paktën për tani, duket se e ka braktisur rrugën e vështirë të smartphone.

 

Potenciali që bën ndryshimin

Pavarësisht se Amazon arriti shifrën e qarkullimit prej 1 trilionësh, me disa javë vonesë krahasuar me Apple, diskutimi për periudhën për të cilën këto dy kompani do të duhet të mbajnë ritmet e forta të rritjes ështëi gjatë.
Kohët e fundit në Facebook është bërë një sondazh me një pyetje shumë të thjeshtë: cila mes Amazon apo Apple do të arrijë e para kuotën prej 2 trilion dollarësh kapitalizim?

Pjesa më e madhe kanë votuar Amazon, pasi plani i saj i biznesit ka rezultuar më solid krahasuar me perandorinë e Apple. Diversifikimi i biznesit mund të bëjë ndryshimin. Sot Amazon është një dragua me shumë koka: eCommerce, cloud computing, pajisje, supermarkete, muzikë në streaming, video on demand, logjistikë.

Analistët e Morgan Stanley, prej disa ditësh kanë vlerësuar se aksionet e Amazon do të ngjiten në kuotën e 2,500 dollarëve në 12 muajt e ardhshëm,kështu gjiganti i eCommerce do të kapë kuotën 1200 miliardë. Aksionet e Apple sot vërtiten rreth kuotës 1,100 miliardë dollarë. Në këtë mënyrë, Jeff Bezos konsolidon edhe një herë pozitat si njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej rreth 166 miliardë dollarësh.

Në podium është edhe Bill Gates dhe Warren Buffet. Por, CEO i Amazon, duke parë ritmet e rritjes në javët e fundit, pas disa ditësh mund të mbajë i vetëm totalin e dy antagonistëve.

Burimi: Il Sole 24 Ore

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of