Çfarë faktorësh të tjerë mendoni që do të ndikojnë në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2006?Artan SantoForcimi i istitucioneve tatimore e doganore, nga njëra anë, do të sjellë dukshëm rritje të të ardhurave buxhetore dhe tejkalim të planifikimeve. Nga ana tjetër, ky shtrëngim i domosdoshëm do të çojë natyrshëm në rritje të çmimeve, të cilat mund të luhaten në nivelin e 10 deri në 30%, që do të rëndojnë jo vetëm te konsumatori final, por do të kenë efekt edhe në një situatë më makro të treguesve bazë financiarë, duke ndikuar në fund te kurba inflacioniste. Më pas do të kërkohen instrumente monetare për tu përballur me këtë situatë, çka do të çojë në një spirale problematike rritëse. Auron PashaMendoj se ndikimi më i madh do të mbetet për tu parë në masat që do të ndërmarrë qeveria e PD dhe në zbatimin e atyre që janë ndërmarrë në lidhje me “formalizimin” e ekonomisë. Pra, në uljen e shkallës së informalitetit në ekonomi dhe sa do të ndikojnë këto masa në frymëmarrjen e sektorëve ekonomikë. Mbetet për tu parë nëse masat, të cilat synojnë rritjen e të ardhurave në buxhet, shkojnë kundër politikave të punësimit, pra mund të rezultojnë në një nivel më të madh papunësie (formale). Gjithashtu, është shumë i rëndësishëm rezultati i luftës kundër korrupsionit, një barrë e rëndë kjo ekonomike, përveçse morale.Artan HoxhaNdër faktorët pozitivë do të radhisja: 1) fillimin e efekteve pozitive (gjithsesi modeste) të investimeve private në rritje këto vitet e fundit, si dhe të rritjes së kredisë së bankave për ekonominë; 2) fillimin e efekteve pozitive të disa investimeve kapitale e të organizimit në sektorin e bujqësisë dhe agroindustrisë; 3) efektet pozitive të pritshme nga ulja e pengesave administrative, e përmirësimit të konkurrencës e funksionimit të tregut dhe një administrate shtetërore më efektive dhe me rol jo deformues në treg me kushtin që këto të jenë efektivisht të zbatuara nga qeveria; 4) vazhdimi i ruajtjes së qëndrueshmërisë makroekonomike.Genc MyftiuRritja e produktivitetit të shumë ndërmarrjeve të vogla, veçanërisht në fushën e agropërpunimit dhe konsolidimi i disa ndërmarrjeve të mëdha.Zef PreçiDuke qenë se gjatë dekadës së fundit vendi ynë ka shënuar hapa të mëdhenj dhe të sigurtë përpara në hapjen e tij drejt Botës dhe përshtatjen e “rregullave të lojës” të ekonomisë së lirë, mendoj se gjatë vitit që vjen do të mund të arrihen disa rezultate në rritjen e kësaj ekonomie, duke shfrytëzuar institucionet e ngritura dhe përvojën e grumbulluar deri më tani. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të vazhdojë të përmirësohet më tej klima e biznesit, të rritet konkurrueshmëria e ekonomisë sonë kombëtare si dhe të minimizohet arbitrariteti shtetëror ndaj biznesit privat. Nga ana tjetër, rritja e vëmendjes ndaj faktorit njerëzor, ndërmarrja e politikave publike që nxitin punësimin dhe zgjerimin e vetëpunësimit dhe sipërmarrjes familjare, si dhe vazhdimi i projekteve në fushën e infrastrukturës mund të krijojnë kushtet e nevojshme për një rritje ekonomike më të shpejtë.Ilir DashiNjë proces i suksesshëm privatizimi, si dhe shqyrtimi e trajtimi i problemeve të energjisë dhe infrastrukturës nëpërmjet koncesioneve do të ndihmojë zhvillimin e sektorit privat vendas dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Rritja reale e pagave, si edhe njohuritë e kufizuara të informacionit teknologjik mund të kufizojnë mundësitë e rritjes ekonomike në sektorët e rinj, jo tradicionalë. Ismail BekaFaktor pozitiv me siguri do të jetë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, në pranverën e vitit 2006, i cili do të hapte perspektiva të tjera për ekonominë shqiptare e parë nga këndvështrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me BE. Një ndikim negativ lidhet me ngadalësinë në reformën institucionale. Me sa duket për qeverinë shqiptare qe e vështirë për të përfunduar reformën institucionale brenda një kohe të shkurtër, e cila mund të jepte efekte pozitive që në fillim të vitit 2006. Shumë vendime të pritura për biznesin akoma nuk janë marrë dhe me sa duket do të duhet përsëri kohë në fillim të vitit 2006, për tu konsoliduar. Qëndrimi ndaj privatizimit të Albtelekom, ndërtimit të TEC në Vlorë, rikonstruksioni i hekurudhës Tiranë-Durrës etj., janë faktorë ekonomikë të rëndësishëm për nxitjen e investimeve dhe veçanërisht ato të huaja kaq të nevojshme për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Po kështu edhe privatizime të tjera strategjike si: ARMO e KESH. Viti 2006 do të jetë përsëri një vit zgjedhjesh për pushtetin vendor. Nëse klima politike do të ashpërsohet si në vitin 2005, ajo mund të sjellë dëme të mëdha veçanërisht për zbatimin e reformës së nisur për mbështetjen e biznesit të vogël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.