Yje si Cristiano Ronaldo i cili luan te Juventus apo Neymar te Paris Saint-Germain kanë një ndikim të rëndësishëm tek të ardhurat e vetë klubeve.
Agjencia e vlerësimeve DBRS, e bindur për këtë, i ka kushtuar një studim të ardhurave tregtare të klubeve të futbollit, duke analizuar në veçanti ndikimin e transferimeve të yjeve me famë botërore në të ardhurat komerciale.
Sipas DBRS, të ardhurat tregtare që gjenerohen nga sponsorizimet, partneriteti, të drejtat që lidhen me stadiumet, janë thelbësore për klubet, deri në pikën sa të blejnë lojtarë “me potencial të madh tregtar” si Cristiano Ronaldo dhe Neymar, të cilët gjenerojnë përfitime që shkojnë përtej meritave apo fitoreve sportive.
Analistët e DBRS theksojnë se, falë blerjes së Neymar nga Barcelona për 222 milionë euro në verën e vitit 2017, ndjekja në rrjetet sociale e klubit francez PSG u rrit me 30% ndërsa shitjet nga merchandising të klubit, me 78%.
Falë Neymar, PSG ka nënshkruar marrëveshje sponsorizuese të reja dhe fitimprurëse, me vlerë miliona euro në vit me Unibet dhe Renault.
Në Azi, aty ku fama e Neymar e kapërcen atë të klubit, PSG njoftoi një marrëveshje prej 20 milionë eurosh për tre vjet me agjencinë sportive të marketingut Desports për të shfrytëzuar popullaritetin në rritje të klubit në kontinent.
Në një mjedis, ku tifozët, në veçanti në tregjet aziatike, janë shpesh më pak të lidhur me një klub të vetëm, por më shumë pas yjeve të futbollit, tërheqja e kontratave të reja spornsorizuese, kur në ekip ka yje si Neymar dhe CR7, është e qartë.
“Nëse Ronaldo, i cili ka 332 milionë ndjekës në rrjetet sociale (122 milionë në Facebook) do të ishte një ekip, qarkullimi i tij do të ishte më i madh se i shumë klubeve në Serinë A” – lexohet në raport.
Gjatë kohës kur CR7 luante me Real Madrid – thekson raporti – vlera e klubit, sipas të dhënave të Forbes, është rritur nga 1,353 miliardë në vitin 2009 në 3,48 miliardë në qershor 2018. Nënshkrimi me Juventus – nënvizojnë analistët e DBRS – është një lëvizje për të ndihmuar klubin të arrijë një nivel më të lartë nga pikëpamja tregtare.
Pas transferimit të lojtarit portugez te klubi italian, Juventus është klasifikuar në vend të parë për reagimet në rrjetet sociale. Në të njëjtën kohë është rritur shikueshmëria në kanalin YouTube të Juventus – nga 3,07 milionë në qershor në 36,3 milionë në korrik.