Në mesin e viteve 2000, La Liga spanjolle mund t’i lejonte vetes lojtarë të kalibrit si Kaká, Ibrahimović e Cristiano Ronaldo, falë të ashtuquajturit Ley Beckham*, i miratuar në qershor të 2005, gjatë Qeverisë së qendrës së majtë të José Luis Zapatero.
Ligji Beckham konsistonte në reduktimin e taksave mbi IRPF (Impuesto sobre la Renta de las Personas Físicas) , që synonte të tërhiqte personel me kualifikim të lartë, si inxhinierë, mjekë, të cilët për pesë vjet kishin një taksë maksimale prej 24% krahasuar me atë të zakonshme prej 43%.
Por në mënyrë të qartë përfitonin gjithë kategoritë, paga e të cilëve ishte më shumë se 600 mijë euro, futbollistët të parët. Po qeveria e Zapatero-s, për t’u përballur me krizën ekonomike dhe sociale, në vitin 2010 i përjashtoi sportistët profesionistë si përfitues.
Deri në këtë moment, klubeve spanjolle u kushtonin futbollistët më në zë mesatarisht një e treta më pak se klubet e tyre europiane konkurrente (në Angli, taksa e pagës së futbollistëve ishte 50%, në Bundesligë 45%, në Serinë A, 43% dhe në Ligue 1, 40%).
Në momentin e reformës Zapatero, Josè Luis Astiazaran, presidenti i LFP (Liga de Fútbol Profesional) shprehte “shqetësim të madh” duke kërcënuar të ndalte La Liga, pasi ndryshimi do t’u kushtonte klubeve iberike 100 milionë euro në sezon. Sot në Spanjë, taksa për pagat më të larta shkon më shumë se 50%. Ndryshe ndodh në Itali, ku janë pjekur kushtet e përshtatshme për të blerë të ashtuquajturit ‘top player’.
Falë autonomisë fiskale në çdo vend, me Ligjin e Stabilitetit të vitit 2017, ligji i fundit i qeverisë që drejtohej nga Matteo Renzi, është futur një taksë që lejon aplikimin për ata që zhvendosin në Gadishull rezidencën e tyre tatimore, duke jetuar për të paktën nëntë vjet jashtë vendit, një taksë fikse prej 100 mijë eurosh në vit mbi gjithë të ardhurat që vijnë nga jashtë vendit.
Një situatë që ka favorizuar blerjen nga Juventus të Cristiano Ronaldo dhe që mund të bëhet shkak që futbollisti kroat Modric të lërë Spanjën dhe Real Madridin. Të dy lojtarët kanë pasur probleme serioze me ligjin spanjoll të taksave. Ronaldo ka marrë një gjobë prej 19 milionë eurosh dhe një dënim (me kusht) me dy vjet burgim.
Në fakt, sportistët e mëdhenj krijojnë gjithnjë shoqëri në parajsa fiskale, të cilave u japin të drejtën e tyre të imazhit. Kushdo që dëshiron t’i përdorë si dëshmi duhet të nënshkruajë kontrata me këto kompani dhe t’u derdhë atyre kompensimin. Në këtë mënyrë, me pak fjalë, merr të ardhurat nëpërmjet shoqërisë duke paguar (sa për të thënë) taksat ku kjo e fundit ndodhet. Kjo praktikë është kundërshtuar vazhdimisht nga ana e autoriteteve tatimore, duke zbritur taksat nga shteti në të cilin jeton futbollisti.
Sot, me Ligjin e Stabilitetit të vitit 2017, sportistët që vijnë në Itali mund të shmangin problemet duke zgjedhur regjimin alternativ për 15 vjet, që siç e thamë, parashikon një tërheqje prej 100 mijë eurosh në vit mbi gjithë fitimet e bëra jashtë vendit.
—–
*”Ley Beckham” (Dekreti Mbretëror 687/2005) është një dekret tatimor spanjoll, i miratuar në qershor 2005. Ligji e mori emrin e tij, pasi David Beckham u bë një ndër të huajt e parë që përfitoi prej tij. Megjithatë, ligji synon të gjithë punonjësit e huaj (veçanërisht ata më të pasur, që jetojnë në Spanjë. Pas aplikimit dhe pranimit nga ana e autoriteteve spanjolle, këta individë janë të detyruar të paguajnë taksat në Spanjë bazuar në të ardhurat e tyre në këtë vend dhe pasuritë për pjesën e tyre.
Burimi: Il Sole 24 ore